Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rregullave të zgjerimit për të anashkaluar veton e Hungarisë, e cila ka bllokuar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës. Sipas një propozimi të Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, hapja e grupeve të pranimit mund të vendoset me shumicë të kualifikuar në vend të unanimitetit të 27 shteteve anëtare, duke zvogëluar ndikimin e veto-së hungareze.
Hungaria ka penguar për më shumë se një vit hapjen e grupit të parë të negociatave, duke argumentuar çështje sigurie, energjetike dhe të pakicës hungareze brenda Ukrainës. Ndërsa Costa ka zhvilluar takime me të gjitha shtetet anëtare, përfshirë Orbán-in, ideja e tij është që të lejojë përparimin e Ukrainës dhe Moldavisë pa bllokimin e vetos së një shteti të vetëm.
Megjithatë, ndryshimi i kuadrit negociues kërkon pëlqimin unanim të vendeve anëtare, gjë që mbetet sfidë. Komisioni Evropian ka theksuar se besueshmëria e procesit të zgjerimit është në rrezik kur një vend pengohet pa arsye objektive, duke shtuar se Ukraina dhe Moldavia kanë përmbushur kriteret për hapjen e negociatave./E.S