Florian Haçkaj, nga nisma Diaspora për Shqipërinë e Lirë, ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij mes kandidatëve të mundshëm të opozitës për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, të dekretuara tashmë nga Presidenti Begaj.
Në një postim në rrjetet sociale, Haçkaj shprehet se ndihet i nderuar për këtë sugjerim, duke e konsideruar jo thjesht një vlerësim personal, por edhe një njohje të rolit të diasporës në forcimin e opozitës dhe zhvillimin demokratik të vendit.
“Ndihem i nderuar që emri im është propozuar si një nga kandidatët e mundshëm të opozitës për Bashkinë e Tiranës dhe falënderoj të gjithë ata që e kanë sugjeruar dhe mbështetur këtë ide. Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por edhe një njohje e rolit që Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka dhënë dhe mund të japë në forcimin e opozitës dhe në zhvillimin demokratik të vendit”, shkruan Haçkaj.
Ai shtoi se një vendim i tillë kërkon përgjegjësi të lartë dhe mund të merret vetëm në rast të një propozimi zyrtar nga opozita.
Duke folur për emrat e tjerë të përmendur, Haçkaj vlerësoi gjithashtu Edlira Çepanin dhe Ermal Hasimjen, të cilët i konsideron personalitete të denja për të përmbushur këtë detyrë.
“Opozita ka nevojë jetike për një figurë përbashkuese”, përfundoi ai.