Pse PD po luan kukafshehti me emrat e kandidatëve?

YLLI PATA

“Vendimi” i sotëm i kryesisë së PD-së se nuk do të dilet me kandidatë në zgjedhjet e 9 nëntorit, nuk ka qenë një mister i madh. Dukej qartë se nuk kishte plan të ketë garë direkte sidomos në Tiranë, por anët teknike të problemit duket se janë rregulluar rrugës.

Zgjedhjet e pjesshme nuk kanë një garë për listat e këshillit, por një ndeshje direkte me një turn, e emrave që do të përplasen për bashkinë e Tiranës dhe 5 njësitë e tjera.

Praktikisht vendimi për të “mbështetur tek kandidatët e pavarur”, është një lojë e “hollë” për të mos marrë pjesë fare në “festën e 9 nëntorit”.

Një gjest që duket se vjen nga fantazia e shfrenuar e Lewis Carroll, autorit të Lizës në botën e Çudirave, e cila ftonte miqtë e saj në “joditëlindje”.

Ndërkohë deri më sot, kur doktori erdhi pas një turi të gjatë në Strasburg, në opinion u luajt kukashehti nëpër panelët e darkës, në lidhje me emrat e kandidatëve. Ndërkohë që nga ana tjetër u elaboruan po me urdhër nga larg variantet e bojkotit të zgjedhjeve.

Ç’ka në fakt bëhet realitet me teorinë e mbështetjes, pasi nuk kemi të bëjmë me një process politik që do të synojë një kandidaturë që vjen nga shoqëria.

Por me një mbështetje e jashtme pë rata që i quajnë “kandidatë të pavarur”. Në realitet PD, nuk do të hyjë në lojë por do e ndjekë ndeshjen nga shkallët e stadiumit, duke ju bërë tifozllëk lojtarëve që mund të vijnë nga partitë e tjera apo edhe nga nisma të pavarura.

Mbështetja e një kandidati civik, pra që vjen nga shoqëria, është një normë thuajse permanente në zgjedhjet vendore në të gjitha vendet e Europës Perëndimore. Ku partitë përkrahin lista apo nisma qytetare që nxjerrin një kandidat që vjen si profesionist, intelektual apo aktivist i njohur.

Por në këto raste, partitë kryesore apo koalicionet që ata formojnë, e sjellin këtë propozim që vjen nga shoqëria si kandidat politik të tyrin. Dhe në shumicën e rasteve, këta personazhet kthehen në politikanë të rëndësishëm të partive përkatëse. Matteo Renzi, i cili u bë kryeministër i Italisë, erdhi nga një eksperiencë si kandidat ‘prej shoqërisë” si kryetar i bashkisë së Fierences dhe President i rajonit të Toskanas. Renzi, madje u zgjodh edhe kryetar i Partisë Demokratike të qendrës së majtë në Itali.

Duke u kthyer në rastin tonë, duket që PD nuk se ka problem për të gjetur një emër qoftë brenda saj, apo edhe nga radhët e “botës opozitare”.

Lexo edhe :  A duhet të heqë dorë Berisha nga drejtimi i PD? Ja si përgjigjet Salianji

Problemi që ka PD, është një mungesë tashmë të madhe një modeli në një bashki të rëndësishme të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se kryebashkiakë të PD-së nuk kanë krijuar modele në drejtimin e qeverisjeve të tyre.

Sot PD ka disa bashki, duke nisur nga Kavaja, Memaliaj në Jug, apo Puka e Fush-Arrësi në veri etj. Ndërkohë që ka pasur ndër vite edhe kryebashkiakë të ndryshëm që kanë lënë një reputacion, e gjithashtu janë popullorë në komunitete.

Megjithatë, deri tani, PD e Sali Berishës nuk e ka një model qeverisjeje apo vizioni të zhvillimit, siç nga ana tjetër në PS, ka ardhur ndër vite e vite për qeverisjen e qyteteve. Model që me ardhjen e Edi Ramës kryeministër është centralizuar dhe ka humbur atë varietet politik që e kishin kryebashkiakë të ndryshëm të PS-së në qytetet kryesore. Të cilët janë qverisur pa ndërprerje nga e majta.

PD ka qeverisur gjatë Shkodrën, duke mos krijuar një model të sajin, por ngritur një bunker politik që e shfrytëzonte për betejat e saj të radhës. Mungesa e një modeli ka krijuar një precedent, pore dhe kompleks natyrisht për atë që tashmë nuk mund të fitohet lehtë.

Por edhe kjo duket si një fantazi alla Liza në botën e çudirave. Pasi, një forcë politike, në çdo garë elektorale, krijon një proces politik, që zëvendëson apo korrekton atë parardhës.

Një proces politik, i cili është një mekanizëm i pazëvendësueshëm i krijimit të liderëve dhe emrave të rinj. Në Partinë Demokratike Amerikane, pas disfatës së rëndë të vitit të shkuar, liderët e rinj po dalin nga radhët e krerëve lokalë siç janë governatoët e shteteve.

Një kandidat për Tiranën, qoftë edhe i ardhur nga jashtë, ai natyrshëm do të kthehet një personazh i botës demokratet, ku do të ketë fansat pore dhe dyshuesit e vet.

Berisha qartësisht nuk do ta lejojë këtë process, ngaqë e ka mentalitet që çelësat e çdo karuseli t’i lëviz ai. Duke krijuar këtë boshllëk, që kërkon ta mbajë si mbrojtje së paku për 2 vjet me frikën se do të lindë një kozmos i ri politik brenda ish-selisë së SHQUP-it. m.p.