nga Leonard Veizi
Ca vite më parë, vendosa të “vras” një gazetar. “Lufta brenda llojit”, do të arsyetojë ndokush.
Mundet…
Por vendimi im për të hequr qafe një njeri të medias nuk kishte të bënte me një akt të pastër terrorist dhe as për të provuar syrin e pushkës duke e marrë nishan drejt e në zemër. Nuk kisha marrë porosi nga askush, madje nuk isha unë dora e zezë e atentatorit me veshje meshini, maskë në fytyrë e silenciator në grykën e pisqollës. Por, i përfshirë isha në “krim” sa nuk thuhet. Në fund të fundit isha urdhëruesi i një vrasjeje “makabër”.
Gjithsesi, në një “vrasje” të paralajmëruar, edhe kur ajo ndodh brenda një vepre letrare, autori mbetet gjithmonë ekzekutor.
Kjo ka ndodhur në faqet e fundit të romanit “Rrënimi”.
Por, përse e nisa kështu këtë shkrim…?!
U motivova të hedh ca fjalë e ca mendime, sepse për së fundi lexova axhanset e, “Reporterëve pa kufij”, ku jepeshin të dhëna mbi numrin e gazetarëve të vrarë e të dhunuar anembanë botës. Gjeta aty gjithfarë emra shtetesh ku gazetarët kishin shkuar “mish për top”, ishin vrarë e masakruar, ishin prangosur e dhunuar, apo u ishte mohuar e drejta bazë: liria e fjalës. Dhe të mendosh se për vitin 2019, ishin vrarë 49 gazetarë, 57 ishin kapur peng dhe 389 ishin arrestuar. Por “Reporterët pa Kufij” thonë se tek e fundit viti 2019 kishte më pak gazetarë të vrarë në krahasim me vitet e tjera.
Kjo është ngushëlluese.
Po a janë për t’u marrë shembull këto axhanse?
Sepse në këtë 10-vjeçar, numri i gazetarëve të vrarë nëpër botë kapi majat në vitin 2012 me 147 të tillë, ndërsa një vit më pas, pra në 2013-tën shifra kishte një tendencë uljeje me 143.
Hajde luftë, hajde. Domethënë, në vit vriten më shumë gazetarë se ushtarë në frontin e vendeve të nxehta ku kërcet kallashi dhe hidhen raketa me rreze të mesme veprimi. Thuajse dy kompani me gazetarë.
Gjithashtu “Reporterët pa kufij” theksojnë se vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të vrarë është Meksika, Siria, Afganistani, Pakistani dhe Somalia…
Shqipërinë nuk e gjenda kund.
Ja një fakt që duhet marrë me optimizëm.
Nuk kemi asnjë viktimë në radhën e kolegëve. Tani, me thënë të drejtën në Shqipëri janë nja 2000 a 3000 gazetarë, shumica e të cilëve punojnë si anonimë pas ekranit të një kompjuteri. Por kjo nuk ka pikë rëndësie. E rëndësishme është që ne kemi gazetarë edhe pse nuk ballafaqohen me frontin e ashpër të “luftës” dhe merren me thashetheme apo hedhin shashka tymuese.
Liria e fjalës, liria e medias, liria e shtypit, janë shprehje të fort diskutueshme në Shqipërinë e pas vitit 1990. E megjithatë, gazetarët shqiptarë kanë qenë në ballin e luftës. Kanë përballuar edhe ‘96-tën e rrahjeve pas zgjedhjeve, edhe ’97-tën terrorin që solli shkatërrimi i firmave piramidale, edhe ’98-tën e grushtit të shtetit pas vrasjes së një deputeti edhe ’99-tën e Luftës së Kosovës. Por përballuan dhe 15 marsin e Gërdecit në 2008 apo 21 Janarin e vrasjeve në bulevard në vitin 2011. Por gazetarët shqiptarë kanë pjesën e tyre në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe nuk janë të pakta faktet e denoncuara prej tyre publikisht.
Por asnjë gazetari shqiptar nuk i është shënuar emrin me germa të arta në panteonin e martirëve të fjalës së lirë. Apo qoftë dhe në panteonin e dëshmorëve të rënë në luftë. Sepse Shqipëria ka dërguar në vendet e nxehta detashmentet e Brigadës Komando, por ne nuk njihemi për fabrikimin e gazetarëve të luftës.
Fundja vend i vogël jemi.
Gjithsesi, nga njëra anë duhet të gëzohemi që nuk kemi viktima mes gazetarësh. Por sa duhet të gëzohemi, thellësisht? Sepse po ta shohësh nga ana tjetër e medaljes, është njëlloj si të gëzohemi fjala vjen që gjatë Luftës së Dytë Botërore të mos kishim asnjë luftëtar të vrarë, por luftën ta fitonin gjithsesi.
Ja, kësaj i thonë luftë: Të vrasësh e të mos vritesh.
Dhe ta fitosh një gjë pa luftë nuk është fitore, por dhuratë. Por, të jeni të bindur se, dhuratat e shtrenjta, zakonisht nuk t’i bën kush.
Çdo luftë ka heronjtë e vet. Dhe kauzat e mëdha ngrihen mbi trupat e martirëve. Kështu ndodhi në Revolucionin Francez ku nën moton “Liri, Barazi, Vëllazëri” u sakrifikua në gijotinë dhe koka e Luigjit XVI.
Shqipëria ka plot heronj, nga ata të pushkës dhe nga ata të penës, që u përpoqën për të ndriçuar mendjen e varfëruar nga otomanizmi. Por viteve të fundit nuk është se kemi nxjerrë ndonjë hero.
Kjo ka dy mundësi, ose ne jemi të paaftë, ose ne dimë mirë t’ia hedhim bythës e të dalim pa lagur. Vija e kuqe është aty, por asnjëri prej nesh nuk ka guxuar ta kalojë atë.
Në Shqipëri nuk vritet njeri për punë idealësh, vetëm kur banditët heqin qafe njëri-tjetrin. Ka pasur gazetar të kërcënuar, të rrahur, të gjobitur nga Gjykata, por jo të vrarë.
Ndaj i vetmi gazetar martir, i vrarë në krye të detyrës, mbetet Nik Morina, gazetari që gjallonte tek unë në një nga skutat më të errëta, por që gjithsesi nuk e lija të merrte jetë.
Dhe sot, sipas naivitetit tim artistik, ai gjendet i vrarë për fjalën e lirë, sepse zbuloi një korrupsion dhe nuk pranoi ta mbyllte gojën. Por kjo është vetëm një e vërtetë artistike. Një iluzion letrash. Realiteti flet ndryshe. “Reporterët pa kufij nuk e rreshtojnë Shqipërinë në listën e vendeve ku shtypi i lirë në tërësi, apo gazetarët në veçanti, kanë probleme të rënda.
Por as kjo nuk është shenjë e mirë!
Leonard Veizi/Fjala.al/