Gjoba, pezullim lejesh qarkullimi dhe ndëshkime të tjera. Këto janë masat që janë marrë gjatë operacionit të fundit nga policia e qarkullimit. Burime pranë Policisë Rrugore tregojnë se janë pezulluar 17 patenta në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Tiranë duke ndëshkuar kështu drejtuesit e makinave që udhëtonin me shpejtësi tej normave të lejuara. Po ashtu u tha se shkak ishin edhe shkelje të tjera të kodit rrugor.
Ka edhe nga ata shoferë që duke përfituar nga nata, shkelin gazin duke udhëtuar me 170 km në orë. Policia bën apel për drejtuesit të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur pasi rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Policia ka kohë që ka njoftuar një monitorim të rrugëve me Radar e Drager në orët e vona të mbrëmjeve dhe orëve të para të mëngjesit. Kjo sipas tyre bëhet për rritjen e parametrave të sigurisë, kryesisht në fundjavë. Rrugët e vënë në shënjestër mbrëmjen e së shtunës dhe mëngjesin e së dielës ishin; Sauk-Teg dhe Durrës-Tiranë.
Për 5 orë u monitoruan me Radar dhe u pezulluan 17 Leje Drejtimi për shpejtësi që varionin nga 138 deri në 170 km/h. Sipas policisë kontrollet do të vijojnë edhe përgjatë së dielës. Në fokus sërish do të jetë abuzimi me alkoolin dhe shkelja e rregullave të qarkullimit. Policia bën thirrje atyre që nisin drejtojnë mjetin nën efektin e alkooli apo në gjendje të dehur duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, të mos dalin në rrugë se do të ndëshkohen. /Fjala.al/