Kombëtarja shqiptare e futbollit kushton sot 75,100,000 euro, që është një nga shifrat më të larta të arrira nga lojtarët e përfaqësueses sonë deri më tani.
Në statistikat e publikuara nga “Transfermarkt” minimumi i vlerës së kartonëve të lojtarëve të përfaqësueses sonë është 300 mijë euro që është shifra me të cilën vlerësohet mbrojtësi i majtë Hysen Memolla. Ndërsa, maksimumi është arritur nga portieri Thomas Strakosha që kap vlerën e plot 25 milionë eurove dhe duhet theksuar që është shifra më e lartë gjatë gjithë karrierës së tij futbollistike.
Përveç portierit Alban Hoxha dhe mbrojtësit Lorenc Trashi, që aktivizohen me kampionët e Shqipërisë, Partizanin, të gjithë lojtarët e tjerë janë pjesë e disa prej klubeve elitare të futbollit evropian, ku dominojnë kryesisht në kampionatet italiane.
Portieri Etrit Berisha që tashmë aktivizohet me skuadrën e SPAL si një huazim nga klubi i Atalantës vlerësohet me 3 milionë euro, duke pësuar një rënie të theksuar nga kulmi i karrierës së tij kur luante me Atalantën dhe vlente 7 milionë euro.
Berisha, prej vitesh luan për kampionatet italiane të futbollit përfshirë këtu edhe Serinë A. Në periudhën e “Artë” të Kombëtares, ai ka luajtur rol thelbësor duke qenë edhe portieri kryesor i skuadrës.
Vlera më e ulët e kartonit të rojtarit të portës së Shqipërisë ka qenë 75 mijë euro, kjo ka qenë në fillimet e futbollistit më saktësisht në moshën 19-vjeçare.
Thomas Strakosha është futbollisti më me vlerë në Kombëtare, duke kapur plot 25 milionë euro. Futbollisti i Lacios është pjesë e top treshes më të vlerësuar të portierëve që luajnë në Serinë A. Minimumin e vlerës së tij Strakosha e ka pasur 75 mijë euro në vitin 2018, kohë në të cilën ishte vetëm 17 vjeç dhe luante për Lacio Primavera.
Portieri i tretë i skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë, Alban Hoxha vlerësohet tashmë me 300 mijë euro duke pësuar përgjysmim të vlerës së kartonit të tij. Hoxha prej vitesh aktivizohet me Partizanin, ku ka arritur dhe maksimumin e tij. Ndërsa, periudha në të cilën rojtari i portës është vlerësuar më pak ka qenë në fillimet e tij me skuadrën e Dinamos, periudhë në të cilën Alban Hoxha vlente vetëm 50 mijë euro.
Mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj mban vendin e dytë si lojtari me vlerën më të lartë të kombëtares shqiptare. Hysaj mund të blihet tashme me 18 milionë euro, por duhet theksuar se ka një rënie nga kulmi i karrierës së tij, kur ai vlente po aq sa Strakosha plot 25 milionë euro.
Hysaj duket se është duke kaluar në një periudhë jo shumë të mirë dhe prej shumë kohësh u diskutua se ai mund të shitej nga Napoli, pasi nuk po i jepej kohë e mjaftueshme aktivizimi. Ashtu si shumë lojtarë të tjerë edhe Hysaj vlerën më të ulët e ka pasur në fillimet e tij në moshën 17 vjeçare kur luante me skuadrën e Empoli Primavera. Në vitin 2011 mbrojtësi i përfaqësuese sonë vlente vetëm 50 mijë euro.
Berat Djimsiti është i treti lojtar që i rrit vlerën monetare skuadrës kombëtare të Shqipërisë. Djimsiti vlen 10 milionë euro, ku duhet theksuar se është shifra më e lartë e arritur ndonjëherë nga ai. Djimsiti aktivizohet me skuadrone Atalantës dhe duket se është duke shkëlqyer e pasur rezultate goxha pozitive.
Vlera më e ulët e kartonit të lojtarit ka qenë në vitin 2011 e cila arrinte shifrën e 50 mijë eurove, kohë në të cilën ai ishte 18 vjeç dhe luante me FC Zyrih.
Mbrojtësi i Hajduk Split, Ardian Ismajli vlen sot plot 1 milion euro që është edhe shifra më e lartë e arrirë ndonjëherë nga lojtari. Ismajli është shumë i rëndësishëm në skuadrën kroate dhe kjo duket dhe nga rritja e shifrës së kartonit të tij te kjo skuadër.
Minimumin Ismajli e ka pasur gjatë viteve 2017 e 2018 me po këtë skuadër, ku vlera e tij arrinte te vetëm 500 mijë euro.
Lojtari i Partizanit, Lorenc Trashi ndodhet tashmë në kulmin karrierës së tij sportive dhe kap një shifër prej 500 mijë eurosh. Mbrojtësi që i është bashkuar Kombëtares vitin e kaluar minimumin e ka pasur në vitin 2013, kohë kur luante me skuadrën e Lushnjës dhe vlente vetëm 75 mijë euro.
Hysen Memolla ka një rënie të theksuar të maksimumit të vlerës së tij. Mbrojtësi i Kokkolan Pallo-Veikot vlen tashmë 250 mijë euro nga 850 mijë euro që kapte në kohën e Hajduk Split. Siç duket performanca e shqiptarit nuk ka qenë mjaft e mirë kohët e fundit dhe kjo ka ndikuar dhe në shifrën e tij të merkatos. Ndërkohë, minimumi i Memollës ka qenë në vitin 2014, kohë kur ai luante me klubin e AS Martina Franca dhe vlente vetëm 50 mijë euro.
Mbrojtësi i qendrës së Kombëtares sonë, Frederic Veseli mund të blihet sot me anë të 900 mijë eurove nga Empoli në krahasim me 1 milion që ishte në vitin 2018. Ndonëse Veseli ka bërë një lojë të mirë duket se çmimi i lojtarit shqiptar ka rënë.
Ndërsa, minimumin lojtari e ka pasur në kohën kur aktivizohej në Bury FC dhe vlente vetëm 25 mijë euro.
Enea Mihaj është duke shijuar sukses në skuadrën greke të PAOK me një performancë të lartë e me vlerën më të madhe monetare që ka arritur deri më tani. Mihaj vlerësohet me plot 1 milion euro, ndërkohë që minimumin ka pasur me skuadrën e Panetolikos në vitin 2016 ku kushtonte vetëm 50 mijë euro.
Kastriot Dermaku ashtu si Mihaj ndodhet në kulmin e karrierës së tij. Mbrojtësi i qendrës aktivizohet me skuadrën e Parma Calcio dhe kartoni i tij vlen 1 milion euro. Në fillimet e tij Dermaku vlente vetëm 50 mijë euro dhe në 10 vite ai e ka rritur shumë vlerën e vetes.
Një nga mesfushorët të afruar së fundmi në Kombëtare, Lindon Selahi mund të blihet tashmë për vetëm 600 mijë euro, që është edhe shifra më e lartë e arrirë ndonjëherë nga lojtari i FC Tuentes.
Kjo shifër është një rritje e theksuar e Selahit, i cili para disa muajsh luante me Standard Liege dhe vlente vetëm 150 mijë euro. Duket se rezultatet e lojtarit kanë ndikuar mjaftueshëm në vlerën e kartonit të tij.
Keidi Bare është duke shijuar arritjet e marra me skuadrën e Malagas, gjë e cila e ka çuar vlerën e mesfushorit në 800 mijë euro që është edhe shuma më e madhe që ka arritur ndonjëherë ai. Minimumi në të cilin ka rënë shifra e Bares ka qenë 300 mijë euro me po këtë klub, por në vitin 2018-të.
Mesfushori i SC Freiburg, Amir Abrashi ka pësuar rënie prej plot 500 mijë eurosh në vlerën e tij. Abrashi vlen tani 2 milionë euro nga 2.5 milionë që i kapte në qershor të vitit 2019. Megjithatë po ta krahasojmë me shifrën më të ulët që është dhënë për lojtarin në kohën kur luante për klubin e FC Winterthur, që shkonte në vetëm 100 mijë euro, mund të thuhet me plot gojë që rritja e tij është goxha e lartë.
Çmimi i mesfushorit Ledian Memushaj ka pësuar një rënie drastike nga 2.5 milionë euro në vitin 2016 në 800 mijë euro aktualisht. Çmimi më i ulët i kartonit të Memushajt ishte në vitin 2011, kohë në të cilën ai luante për Portogruare Calcio dhe vlente vetëm175 mijë euro.
Mesfushori Klaus Gjasula është duke shijuar rezultatet e mira me skuadrën e SC Paderborn 07, në të cilën ka kapur shifrën e 900 mijë eurove. Futbollisti është bashkuar së fundmi me Kombëtaren, ndërsa në vitin 2011 Gjasula aktivizohej me SV Waldhof Mannheim dhe kushtonte vetëm 50 mijë euro.
Kristi Qose luan për skuadrën e MFK Ruzomberok, me të cilën sipas raportit të “Transfermarkt” rezulton se ka arritur maksimumin e vlerës së tij me 600 mijë euro. Çmimi më i ulët i vendosur për Qosen ka qenë në vitin 2014 kur ai luante për Apollon 1926 dhe kushtonte vetëm 50 mijë euro.
Rezultatet e larta të mesfushorit shqiptar kanë ndikuar në aktivizimet e tij në lojë dhe në vlerën e arritur deri më tani.
Ylber Ramadani nuk mund të thuhet se është një lojtar që kushton shumë, mirëpo vlera e tij tashmë shkon në 300 mijë euro. Maksimumin e tij mesfushori e ka pasur në vitet 2018 dhe 2019 me klubin e Vejle Boldklub, kohë në të cilën ai kushtonte 400 mijë euro. Ndërsa, kur aktivizohej me klubin e Partizanit, Ramadani kushtonte po aq sa sot.
Një nga lojtarët më të vjetër të Kombëtares, Ermir Lenjani është duke pësuar një rënie të theksuar në karrierën e tij. Mesfushori tashmë kushton vetëm 750 mijë euro nga 1.5 milionë që ka qenë maksimumi i tij.
Megjithatë, duhet theksuar se në krahasim me fillimet në vitin 2009,kur lojtari mund të blihej me vetëm 50 mijë euro, shifra e sotme mund të cilësohet e lartë.
Ashtu si Lenjani edhe mesfushori i Baselit Taulant Xhaka s’është në periudhën e tij më të mirë. Nëse në vitin 2017 për të blerë mesfushorin duhej të paguhej 4 milionë euro tashmë ai mund të merret me 1.5 milionë euro.
Xhaka ka vite që aktivizohet me klubin e Baselit dhe duket se rritjet dhe rëniet i ka kaluar në po këtë klub. Në vitin 2010, ku duhet theksuar se është periudha e fillimeve të lojtarit, Xhaka vlente vetëm 50 mijë euro.
Sulmuesi Bekim Balaj i bashkohet grupit të lojtarëve që nuk po gëzojnë sukses dhe që kanë rënie të vlerës e të aktivizimeve në skuadrat ku luajnë. Balaj luan me skuadrën e SK Sturm Graz dhe vlera që ai kap është 1.3 milionë euro, por duhet theksuar se në vitin 2017, periudhë në të cilën sulmuesi aktivizohej te skuadra e Terek Gronzy, kushtonte 3 milionë euro. Ndërsa, çmimin më të ulët Bekim Balaj e kishte kur luante për skuadrone Vllaznisë në vitin 2010 dhe kushtonte vetëm 25 mijë euro.
Lojtari i Akhmat Gronzy, Odise Roshi vlen tashmë 1.2 milionë euro nga 1.4 milionë që ishte shuma e arrirë në vitin 2018. Ndonëse ka pësuar rënie në vlerën monetare, mesfushori i Kombëtares ka ende performancë të mirë. Në vitin 2010 Roshi luante për skuadrën e Flamurtarit dhe çmimi i tij ishte vetëm 25 mijë euro.
22-vjeçari Rey Manaj aktivizohet momentalisht me skuadrën e Barcelonës B në Spanjë. Vlera e sulmuesit shqiptar ka rënë në 900 mijë euro nga 1.5 milionë që ishte disa muaj më parë.
Manaj është duke dhënë maksimumin me këtë skuadër dhe rezultatet ndonëse nuk janë më të mirat nuk mund të thuhet se janë të dobëta. Megjithatë ka një ndryshim të çmimit të lojtarit nga vera e 2019-ës me tani. Ndërsa, duhet theksuar se në kohën kur Manaj luante për US Cremonese kushtonte vetëm 150 mijë euro.
Sulmuesi Taulant Seferi bën pjesë në grupin e lojtarëve me çmimin më të ulët të Kombëtares, Seferi luan me klubin e Neuchatel Xamax dhe çmimi i tij shkon në 450 mijë euro,ku duhet theksuar që është shifra më e lartë e arrirë deri më tani nga sulmuesi.
Në fillimet e tij në vitin 2014 sulmuesi kushtonte vetëm 75 mijë euro dhe luante për skuadrën e Rabotnicki Skopje.
Sulmuesi i Lokomotiva Zagreb, Myrto Uzuni duket se është duke shijuar rezultatet e larta në kampionatin futbollit kroat. Uzuni ka arrirë çmimin më të lartë të kartonit të tij që tashmë shkon në 1 milion euro.
Në vitin 2015 Uzuni ka qenë pjesë e klubit shqiptar Apolonia Fier dhe në atë kohë ka pasur dhe vlerën më të ulët që shkonte në 150 mijë euro. Duket se lojtari i Kombëtares është duke ecur mjaft mirë dhe po shijon suksesin.
Duhet ritheksuar se ndërsa shumë lojtarë të rinj janë duke u rritur e kapur shifra të larta, emrat dikur më të mëdhenj të Kombëtares sonë kanë pësuar rënie të theksuar. Megjithatë në total mund të themi se shifra e kapur nga 25-ja e lojtarëve është e konsiderueshme.
/Përgatiti: Katerina Tafa /Fjala.al/