Gazeta Fjala sjell një panoramikë të një prej vendeve më të prekura nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit, që nisi në orën 03:54 minuta dhe vijoi me mbi 1 mijë lëkundje. 51 viktima në total, 900 të plagosur dhe mijëra banesa të shkatërruara. Në Thumanë, pasojat që sollën kapriçot e tokës dhe jetesa nën stresin e lëkundjeve imagjinare, vijojnë, qartësisht të dukshme. Një atmosferë e një udhëtimi 1 ditor, që duket se nuk ka ndryshuar aspak fytyrë, ndonëse kanë kaluar pothuajse dy muaj.
Alessia Selimi
E plasaritur dhe e rrjepur e gjitha, por besimtarët nuk e braktisin. Ata besojnë se buzë qiellit, prekur nga maja e minares së xhamisë, ekziston ende një Zot. Jo më larg se dy muaj më parë, nëntoka iu shugurua errësirës dhe kjo e fundit, mori forcë me vdekjen e 51 personave. Të mbledhur përpara fytyrës së saj hijerëndë, ashtu me shumë llazure, shtatlartë e shtatshkurtër, të regjur dhe me sy të fikur, besimtarët s’kërkojnë veçse një vend ku të kujdesen për namazet e tyre. Kësisoj, kanë vendosur një tendë të madhe , shumë pranë xhamisë, me përplot tapete të ngjeshura njëra pas tjetrës.
“Duam ta ndjejmë afër, si kurrë më parë. Nuk ka ardhur ende askush për të na thënë se ç’do të bëhet me shtëpinë e tij. Tërmeti ka urtësinë, dobinë por edhe dëmet e veta”- thotë Edi Farruku, si për t’i drejtuar një mesazh kujtdo që do të bjerë në kontakt me këtë shkrim. Bashkëshort dhe babai i dy fëmijëve të vegjël, rrëfen për gazetën “Fjala” se edhe banesa e tij është shpallur e pabanueshme. “Të mos besosh gjënë që duhet besuar, është kufër”-vijon Farruku, qartazi, në një luftë të ashpër me veten. Presjexhi për nga natyra, dëshiron të na shoqërojë më në brendësi të fshatit. Dhe ne, s’bëjmë gjë tjetër veçse i bindemi. Në fushën e sportit, çadrat, ku ishin akomoduar rreth 500 persona të prekur nga tërmeti shkatërrimtar, nuk ndodhen më të grumbulluara në zonë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, mbajtur më 29 nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama e paralajmëroi diçka të tillë, duke shtuar se banorët do të vendoseshin në disa prej hoteleve në Shëngjin. Mirëpo, Farruku thotë se një pjesë e mirë e çadrave janë zhvendosur përballë banesave të rrënuara. Dhe, si në një lojë nga rastësia, hasemi me një të tillë, brenda oborrit të një shtëpie dy katëshe.
“Nuk më mban mend mua?”-na drejtohet papritmas një e moshuar, emri i së cilës është Ide Bami. E vetme në këtë jetë prej shumë kohësh, pa të shoqin dhe fëmijë, Ide ndan me ne vizitën e pak ditëve më parë të dy burrave të bëshëm, plot andralla. “U bë kohë që shtrihem për të fjetur në kuzhinë, një pjesë e mirë e tavanit është plotësisht i hapur. Të së njëjtës moshë, ata erdhën dhe më thanë se shtëpia ime, e vetmja gjë që më ka mbetur në këtë jetë, është e pabanueshme. Por, veçse kaq! Ata ikën, për mos t’u kthyer më kurrë”-shprehet e përlotur dhe duarmbledhur 78-vjeçarja. Është nisur për tek doktori i zonës, për të kryer një ekzaminim mjekësor rutinë. E pafuqishme, me këmbë që i tërheqin shpirtin dhe rrezen e shikimit, largohet.
Në kërkim të gjurmëve të jetës,përplasemi në vrundull mendimesh. Një çift diç kërkon nën gërmadha. Copëza nga e kaluara? Nuk dihet. Ajo çka dihet me siguri është se fëmijëria e të vegjëlve është shënjuar njëherë e mirë. Libra të përlyer me baltë, kukulla të braktisura… “E kam të pamundur të flas me ju…”-na thotë një grua në të 40-tat, ndërkohë që s’ngurron të ndërmarrë në drejtim të kundërt hapa të mëdha.
Më 30 nëntor, në godinën e Njësisë Administrative, një burrë rreth të 40-tave ushtonte me kërkesën e tij për një çadër. “Përse nuk më jepni një të tillë? Ju e pohoni që ma keni shënuar emrin, por jam shumë i sigurt që mund ta marr pas dy muajsh. Ju i mbani aty brenda, mos e mohoni…”-dëgjohej i revoltuar ai. Tashmë, tabloja ka ndryshuar, mbart të tjera ngjyra. Në godinë nuk shihet kurrkush, përpos tre të rinjve që janë zhytur në biseda të moshës. Kapriçot e pamëshirshme të tokës, janë dokumentuar jo vetëm në viktima e dëme të mëdha materiale, por edhe në tabela të vogla, drejtkëndëshe, të cilat përmbajnë gërma kapitale, të dredhura sa më s’ka. Kërkohet forcë për të pranuar vdekjen për së gjalli, për më tepër, larg gjithçkaje, që të etiketon ekzistencën.
Nafije Keqi, 75 vjeç, ndan të njëjtin mendim. Ashtu mraztë, ndalet në një episod të trishtë, 6 muaj përpara se tërmeti me magnitudë 6.3 ballë të shkundte një vend të tërë. “Në një aksident rrugor, nipi im, djali i djalit, vdiq pa mbushur ende 18 vjeç. Kur lexoj tabelat ngjeshur mureve “Godinë e Pabanueshme”, më përzihet e qeshura me lotë. Siç duket, ishte e thënë që krahas derës së kyçur të shpirtit, të na kyçeshin edhe portat e banesave”-shprehet e moshuara. Pak metra më tutje, një lopatë vërvitet nga njëri cep në tjetrin. I përhumbur, një i ri i lëshohet gapërr tokës së tij. Nuk i beson aspak premtimeve të qeverisë. “Ua dhamë letrat e shtëpisë për t’i fotokopjuar, por askush nuk mori mundimin të kthente kokën pas”-shprehet 27-vjeçari, duke preferuar të ruajë anonimatin. Ai i referohet situatës së shkaktuar nga tërmeti i 21 shtatorit, ankthit që shtëpia mund t’u binte në kokë nga momenti në moment. Sipas 27-vjeçarit, autoritetet vendore i kishin trokitur në shtëpi në muajin tetor, por pa i ofruar një rrugëzgjidhje, qoftë edhe një paralajmërim. “Nuk na thanë të rrimë apo të dalim”-thotë ai.
Kjo zonë, vijon t’i qëndrojë besnike trishtimit. Përballë dyqaneve të vogla, të thjeshta dhe tejet modeste, ku produktet numërohen fare thjesht me gishtat e dorës, grumbuj meshkujsh shihen të hapërdarë, me sy drejt rrugës, duke shpresuar se ndokush po i kujton. Nuk i tremben të ftohtit të acartë, por së ardhmes. Jetët e marra të njerëzve, shtëpitë dhe pallatet e shkatërruara, u rëndojnë ende mbi shpinë. Nuk ka se si të jetë ndryshe
Një 10-vjeçare, flokë praruar, u afrohet tufës së margaritave, vendosur nën dhe e gura. Si për të na lënë të kuptohet se grimca shprese, ende ka, ende do të ketë.
*Ky shkrim u botua sot në numrin e 1 të gazetës “Fjala”