Dështon Inter, ndalet nga Lecce

Skuadra e Interit nuk ka mundur të fitojë takimin e javës së 20-të të Serisë A, pavarësisht se ishte përballë vendit të 17-të të Lecce-s.

Takimi midis tyre u mbyll me barazimin 1-1 duke i zbritur zikaltërit në vendin e dytë të kategorisë më të madhe të futbollit në Itali.

Fraksioni i parë i kësaj ndeshjeje u mbyll pa gola,ndonëse skuadra e Interit pati goxha raste të mira, por që Romelu Lukaku e Lautaro Martinez nuk arritën të shënonin.

Ndërsa pjesa e dytë e lojës ndryshoi e tëra duke sjellë më shumë aksion nga të dyja ekipet.

Ishte Alessandro Bastoni, ai i cili arriti të zhbllokonte rezultatet duke shënuar për skuadrën e zikaltërve në minutën e 71’. Bastoni u fut në lojë në minutën e 68-të dhe vetëm pak momente më pas me ndihmën e asistim të Cristian Biraghit arriti që të çonte ekipin e tij në avantazh.

Ky rezultat nuk u pranua lehtë nga kundërshtarët, të cilët 6 minuta më pas arritën që të barazonin rezultatet me anë të golit të Marco Mancosu.

Skuadra e Antonio Contes u mundua disa herë të rikthente avantazhin, por vendasit nuk e lejuan këtë gjë dhe arritën të merrnin një pikë mjaft të vlefshme.

Momentalisht Interi ka 47 pikë, një më pak se vendi i parë i mbajtur nga Juventus, ndonëse këta të fundit kanë një ndeshje më pak./Fjala.al/