Plagosja në Allias, dëshmon Afërdita Laze: Agresorët dukeshin të rinj!

Nga shtrati i Spitalit Ushtarak ku gjendet që prej mbrëmjes së djeshme, e plagosura Afërdita Laze ka treguar pak detaje nga grabitja e dhunshme që ndodhi në shtëpinë e saj. Ajo ka mundur të japë detajet e para për oficerët e policisë gjyqësore të cilët po grumbullojnë të dhëna për të hetuar ngjarjen e rëndë që për pak sa nuk iu mori jetën.

Ajo iu ka thënë hetuesve se grabitësit dukeshin të rinj dhe se nuk flisnin asnjë fjalë tjetër vetëm; lekët, lekët! Gjithashtu gruaja ka dhënë edhe disa fakte mbi llojin e të folurit, theksin dhe karakteristika fizike. Policia në bazë të përshkrimit të saj ka nisur punën për të kryer identikitet paraprake të agresorëve.

Dëshmia

“Ishim në dhomë dhe dëgjuam zhurma. I pari doli Petriti. Ai nxori kokën te shkalla të shihte se kush ishte. Më pas ulëriti vajza: kush është aty? Menjëherë ata u gjendën në korridor dhe u përplasën me Petritin.  I drejtuan pistoletën  dhe i thanë-lekët, lekët…! Dukeshin të rinj dhe vetëm kërkonin lekët. Petriti tentoi t`i nxirrte jashtë nga shtëpia,. Ata e qëlluan me armë Kur u afrova edhe mua më qëlluan dhe më pas ikën me vrap. Unë doja të kapja Petritin që të mos e qëllonin më por ata nuk ngurruan të më qëllonin edhe mua”!

Dyshimet

Duke iu referuar të dhënave të para që lidhen me ngjarjen e rëndë që ndodhi në familjen Laze në Allias, policia ka nisur edhe shoqërimin e të gjithë personave të njohur të çiftit. Po ashtu, mësohet se janë të gjithë punonjësit e tyre që do të pyeten ndërkohë që u janë shoqëruar një pjesë e mirë e familjarëve që kanë karakteristika të ngjashme me ‘maskat’.

Lexo edhe :  Edi Paloka: "Brenda PD-së mezi presin për t'ia futur njëri-tjetrit"

Sipas të dhënave të policisë dëshmitë kanë treguar se bëhet fjalë për dy persona që kanë patur njohje perfekte fotografike të shtëpisë, njohje kjo që ka çuar edhe në dyshimet e para. Burimet konfidenciale tregojnë se janë të shumtë personat e shoqëruar, të cilët kanë njohje me rrethanat në të cilat funksionin biznesi i çiftit.

Burimet sqarojnë se kati i parë i banesës shërbente edhe si punishte, çka do të thotë se shtëpia e tyre ka qenë e ekspozuar edhe para personave të tjerë që nuk kanë patur lidhje pune apo biznesi me familjen Laze. n.k/ Fjala.al/