Pagesat që kryen Ministria e Financave për ish-të përndjekurit politik të regjimit komunist do të kalojnë në “sitën” e një komisioni të posatshëm. Nisma është ndërmarrë nga 9 deputet të parlamentit shqiptar dhe ka për qëllim “skanimin” e mënyrës së pagesës nga Ministria e Financave, duke marrë shkas edhe nga fati se kjo kategori pret prej rreth 3 dekadash të marrë dëmshhpërlimin i njihet si e drejtë me ligj.
“Mbështetur në nenin 24,pika 2 të Rregullores se Kuvendit, nëntë deputetet propozojmë ngritjen e Komisionit të Posatshëm të Mbikëqyrjes së Shpërndarjes së çdo Dëmshpërblimi të Ish të Dënuarve Politike të Regjimit Komunist. Ngritja e Komisionit të Posatshëm është parashikuar brenda tremujorit të çdo viti, i cili verifikon mënyrën e shpërndarjes së dëmshpërblimit për kategorinë shoqërore të lsh të Përndjekurve Politikë nga Ministria e Financave për vitin pararendës”-thuhet në prokejtvendimin e depozituar në Parlament, i cili pritet të kalojë së shpejti për diskutim në komisionet parlamentare.
Pagesat
Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist, do të ndahet, në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të përcaktuara në paragrafin e dytë të këtij neni, dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish të dënuarve, që nuk bëjnë pjesë në këtë kategori, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i vogël se 100 000 lekë dhe jo më i madh se 1 000 000 lekë.
Shpërndarja e dëmshpërblimit për kategorinë e subjekteve përfituese parësore, për të njëjtin këst, do të kryhet sipas kësaj radhe:
a) ish të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës;
b) ish të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
c) ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;
ç) ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët, pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
d) ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
dh) ish të dënuarit politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës, dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Me kryerjen e pagesës, për të gjitha subjektet parësore, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës e kështu me radhë.