Urdhër kalabrez për eliminim e shqiptarit. Prokurori i çështjes heton ngjashmëritë e atentatit me atë të vëllait të Kastriot Reçit që u vra pak ditë më parë në Rrëshen. Detajet e një krimi që tronditi antimafien
Nga Nikoleta Kovaçi
Italianët e hetimit, pas ekzekutimit të së shtunës mbrëma në Romë, kanë nisur të bëjnë kalkulimet për krimin mafioz që ka kapluar kryeqendrën. Gazetarët e vjetër kanë nisur të hamendësojnë se vrasja e shqiptarit që kishte dalë me leje është një ngjarje në rrjedhën e shumë ngjarjeve të tjera të bujshme që nuk janë zbardhur dhe nuk do të zbardhen ndonjëherë.
Kështu, vrasja e Gentian Kasës, 43-vjeçarit që jetonte mes burgut dhe familjes së tij, konsiderohet një vrasje e tipit mafioz. Të dhënat e atentatit janë të ngjashme me një mori atentatesh të ndodhura në Romën e dekadës së fundit, me Romën që gjendet nën pushtetin e grupeve të fuqishme të trafikut të drogës. Sipas të dhënave hetimore, bëhet me dije se mbi shqiptarin u lëshuan 5 plumba, katër në trup, dhe i fundit, në kokë. Hetuesit kanë përcaktuar faktin se vrasësi duhet të ketë qenë një i paguar për faktin që plumbi i pestë i është dhënë viktimës për sigurinë që të mos mbesë i gjallë. Policia dhe prokuroria janë tronditur nga ekzekutimi, për vetë mekanizmin që mafia ka përdorur për të eliminuar një prej personave, që sipas tyre ka qenë ndër më të njohurit e trafikut të drogës në Romë. Ata u referohen dy arrestimeve të rij, konkretisht në Romë dhe në Ankona, por, në fakt, mediat flasin edhe për një sërë aktesh të tjera që lidhen me aktivitetin kriminal të Kasës.
Referuar “Il Giornale”-s, mësohet se emri i Gentian Kasës ishte i lidhur ngushtë me telashet e kryeqytetit. Ai duhet të vuante dënim të gjatë për trafik droge, për vjedhje dhe marrje të pasurive të vjedhura dhe jo të lihej në një regjim gjysmë lirie.
Mediat romane flasin për një ekzekutim me përpikmëri të frikshme për shqiptarin. Gentian Kasa, i përfshirë në arrestimet e viteve 2011 dhe 2014 në dy operacione të mëdha të DDA-së, u vra nga një atentator, dyshohet i paguar dhe i urdhëruar nga mafia e përbashkët shqiptaro-kalabreze. Arma ishte 7.65, një gjysmëautomatik i kalibrit të vogël. Sipas ekspertëve, përdoret për të vrarë tradhtarë, spiunë ose thjesht që i përkasin një bande rivale. Arma e kalibrit 7.65, sipas ekspertëve italianë, është një armë e saktë që mund të godasë në shënjestër edhe mes qindra njerëzve pa plagosur të pafajshëm.
Duke iu referuar mënyrës se si është kryer ekzekutimi, ata mendojnë se Gentian Kasa ishte një prej personave më të rëndësishëm të botës së krimit në Romë. Ata e krahasojnë vrasjen e tij me ekzekutimin e Gaspër Reçit, në Kazalino, në vitin 2017. Sipas të dhënave, bëhet me dije se grupi i shqiptarëve bashkëpunojnë ngushtë me kalabrezët e Ndraghetës, duke sjellë edhe një alarm të frikshëm në dyert e Antimafies italiane. I kontaktuar nga “Il Giornale”, prokurori Nikola Grateri ka fiksuar një fakt të rëndë: “Mafia në zhvillim është ajo shqiptare; e ashpër dhe aleate e Ndraghetës”.
Sipas të dhënave, në shtatorin e kaluar një dëshmitar donte të fliste për rastin e ekzekutimit të Fabricio Pishiteli, ekzekutim i ndodhur në gushtin e vitit të kaluar. Ai donte të fliste konkretisht për mafien me Graterin. Prokurori pretendon se nofka e këtij personi është “Lame” dhe donte të shpjegonte konkretisht momentin e rrëmbimit të një fëmije afrikan në këmbim të arit që do të merrnin grupi mafioz në të cilin bënte pjesë ultrasi lacial i quajturi “Diaboliku”, Fabricio Pishiteli. Tashmë hetuesit kanë nisur të listojnë vrasjet e pazbardhura të ndodhura në Romë ku në harkun e më pak se tri viteve, në regjistrin e akteve mafioze të pazbardhura renditen edhe dy ekzekutime të shtetasve shqiptar: Gaspër Reçi e Gentian Kasa.
Ekzekutimi i Gaspër Reçit
Më 29 prill të tri viteve më parë Roma do të tronditej nga një vrasje e pastër e tipit mafioz. Fillimisht u raportua për vrasjen e një shtetasi shqiptar, ndërsa pas identifikimit të viktimës ata treguan se bëhet fjalë për Gaspër Reçin, një person të njohur për ta. Policia italiane shpejt hodhi dritë mbi ngjarjen po asnjëherë mbi motivet dhe atentatorët të cilët thanë që kishin qenë me një “Smart”. Pas vrasjes policia italiane tha se Reçit iu gjetën edhe 100 mijë euro cash me vete, ndërsa vrasja ndodhi në afërsi të shtëpisë së tij. Në fakt, mediat shqiptare aluduan për një vrasje për shkak hakmarrjeje, por hetuesit italianë vazhdojnë ta lidhin krimin e asaj date me një sërë vrasjesh të tipit mafioz të ndodhura në dekadën e fundit një Romë. Sipas tyre në zonën ku ka banuar Reçi dhe shqiptari tjetër i ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës është një zonë në duart e një klani të fuqishëm kriminal në përbërje të të cilëve ka shqiptarë dhe anëtarë të Ndraghetës. Vrasja e Gaspër Reçit, për palën shqiptare u bë me dije pas atentatit të bujshëm që ndodhi në Rrëshen në fillim e këtij viti, ku iu mor jetë me një të shtënë Kastriot Reçit, biznesmenit të njohur. Policia dhe prokuroria nuk mundën dot të gjenin autorët, madje nuk guxuan dot të deklaronin as motivet në të cilat nisen hetimet. E vetmja gjë që doli zyrtarisht pas atij atentati, ishte vetëm një urdhër i ministrit për heqjen e aparateve celularë pasi dyshohej se kishin dekonspiruar operacionin për arrestimin e “snajperistit”.
Botuar sot në gazetën/ Fjala/