PD del me propozime: Duhet një qeveri kujdestare para zgjedhjeve

Ish-deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Oerd Bylykbashi në një konferencë për mediat kanë bërë publike propozimet e opozitës së bashkuar, se si mund të ndahet krimi nga politika në proceset zgjedhore.

Sipas përfaqësuesit të opozitës në tryezën e reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi synimi i PD-së është garantimi i fushës së lojës së barabartë për të gjithë aktorët zgjedhorë.

Kemi prezantuar dje tre paketa në lidhje me ndryshimet që opozita e bashkuar propozon për të goditur krimet zgjedhore, duke rritur rolin e organeve ligjzbatuese; Prokurorisë së shtetit, policisë dhe gjithë instrumenteve të tjerë që duhen në këtë aspekt. Gjithashtu propozime për ndarjen e krimit nga politika. Tema këto që janë prioritare në axhendën e miratuar nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore, pak kohë më parë. Sigurisht masat që ne parashikojmë, janë masa që kërkojnë mbi të gjitha respektimin e parimit themelor, që ka OSBE që është garantimi i fushë lojës së barabartë për të gjithë aktorët zgjedhorë, një parim i cili është konsakruar në paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së dhe që ka për qëllim, mbi të gjitha shkëputjen e shtetit nga politika, qenien e shtetit një organizëm neutral i cili funksionon në interes të publikut, të zgjedhësve dhe jo si aktor në favor të një partie që garon për të rrëmbyer pushtetin. Çështjet kryesore janë një rol i ri aktiv Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit në parandalimin e e krimit zgjedhor, në goditjen e tij para ditës së votimit, një rritje e instrumenteve, fuqizimi i instrumenteve që do të kenë në dorë pikërisht organet ligjzbatuese, me një kornizë kontrolli të fortë në mënyrë që jo vetëm të luajnë rolin e tyre por edhe të mos abuzohen nga qeveria. Por gjithashtu duke iu dhënë një rol të rëndësishëm instrumenteve të tjerë në dorën e zgjedhësve për të qenë ata faktor kryesor në denoncim dhe goditjen e krimit zgjedhor. Një nga elementët kryesore që OSBE/ODIHR-i nënvizon në disa raporte; 2015, 2017, 2019 janë shitblerja e votës, është presioni mbi zgjedhësit që janë punonjës të administratës, cenimi i sekretit të votës, cenimi i lirisë së votës. Qëllimi i propozimeve tona është që të godasin pikërisht këto fenomene, qoftë duke i parandaluar, qoftë duke i ndjekur penalisht, në mënyrë që të rritet besimi jo vetëm tek procesi, por edhe tek legjitimiteti i organeve që dalin nga zgjedhjet”, tha Bylykbashi.

Lexo edhe :  "Jam gati të garoj për Bashkinë e Tiranës", Arlind Qori nuk heziton

Propozimet

Partia Demokratike kërkon që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet që zgjedhjet të organizohen nga një qeveri kujdestare tre muaj para datës së votimeve. Opozita e bashkuar depozitoi dje në tryezën e posaçme të Reformës Zgjedhore tri drafte, ku përfshiheshin hapat e shkëputjes së krimit nga zgjedhjet. Kërkesa e parë e PD-së ishte qeveria kujdestare me një ministër të Brendshëm teknik dhe ky i fundit, 100 ditë para zgjedhjeve do të emërojë një drejtor të ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Kryepolici do të ketë kompetenca të plota për të bërë ndryshime në strukturën e Policisë. “Për të siguruar besimin e subjekteve zgjedhore në funksionimin e paanshëm të Policisë së Shtetit, përjashtimisht nga rregullat e parashikuara në nenin 13 të ligjit nr. 108/ 2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, i ndryshuar, 100 ditë (njëqind) ditë përpara datës së zgjedhjeve, ministri i Brendshëm në qeverinë kujdestare të zgjedhjeve, i caktuar sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, emëron drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, thuhet në propozimet e opozitës.