Arkiva-Dossier / 20 shkurt 1991 – Si u rrëzua monumenti i Enverit 8 tonë bronz në mes të kryeqytetit. – Dëshmia e operatorit të mirënjohur të Televizionit Shqiptar, Bujar Kore
Nga Leonard Veizi
Ai qëndronte atje dhe qenia e tij e murosur në një bronz të verdhë vazhdonte të ishte po aq mbizotëruese. Ndërsa kalorësi mesjetar, në të djathtë, edhe pse dukej krejt në miniaturë, vazhdonte të kontrollonte aksin kryesor të qytetit. Diku më poshtë, turma agresive përpiqej t’i afrohej me mundim të sforcuar. Përballë dy ekstremeve, kufiri që i ndante nuk kishte të bënte me asnjërën palë, as me kundërshtarët dhe as me atë vetë. Ky “kufi”, edhe pse në mendjet e gjithsecilit ravijëzohej si të ishte një vijë milimetrike dhe jo fort e rëndësishme për nga këndvështrimi fizik, ishte tepër i largët, absurd dhe i paimagjinueshëm. E, megjithatë, ata vendosën ta preknin “sinorin”, edhe pse shumica absolute e tyre kishin rendur nga periferia për të qenë pjesë e spektaklit në qendër të qytetit.
…Ishin të liruar bulonat që mbanin të lidhur monumentin me bazamentin apo vazhdonin të shtrënguar në maksimum? A ishte një gjë e planifikuar rrëzimi i monumentit apo krejt spontane? Tanimë, pas 29 vjetësh, këto pyetje nuk marrin ndonjë vlerë. E rëndësishme është që ai ra.
Trysnia
Monumenti u rrëzua, qoftë dhe nga trysnia e papërballueshme e njerëzve që vendosën duart mbi bronzin e ftohtë dhe e shtynë sa mundën. Fillimisht, u duk krejt e pabesueshme, por ai u lëkund. Turma e irrituar nuk po u besonte syve, ndërsa dhjetëra qen kufiri dhe zjarrfikësja e blinduar mundoheshin të çanin radhët për t’i bërë njerëzit të tërhiqeshin. Megjithatë, askush nuk u tërhoq. Sapo mblodhën veten nga paniku, të paktën 100 mijë njerëzit që ndodheshin në sheshin “Skënderbej”, morën sërish drejt shkallëve të mermerta. Ishte çasti kur thirrjet e pakontrolluara u solidarizuan dhe po aq solidarë ishin trupat e ndërhyrjes së shpejtë, me uniforma laramane e skafandra në kokë, që mbuloheshin me mburoja plastike. Trysnia që krijonte turma prej 100 mijë veta, kishte arritur kulmin.
Monumenti gjigant që kishte zënë pamjen kryesore të sheshit, u anua në të majtë të tij dhe që nga ai çast, askush s’kishte fuqi të përmbante dufin dhe mllefin e turmës që u çlirua me një britmë therëse gëzimi, kur të tetë tonët e bronzit që himnizonin udhëheqësin komunist, u përplasën me një zhurmë shurdhuese në syprinën dhe shkallët prej mermeri që rrethonin përmendoren. Përplasja ishte fatale. Krejt papritur, vepra solide u nda në dy pjesë, trupi në njërën anë dhe koka që u rrokullis më poshtë, çuditërisht, pa shkaktuar asnjë viktimë këtë herë. Miti kishte rënë përfundimisht… ose vetëm kështu u besua…
Ngjarja
20 shkurti i vitit 1991 ka hyrë në kujtesë si dita kur u rrëzua monumenti i diktatorit në qendër të kryeqytetit. Ndërsa në dhjetor të vitit 1990, në Shqipëri u lejua pluralizmi politik, në qendër të kryeqytetit, me një lartësi prej 7 metrash, e derdhur në bronz, shtatorja e Enver Hoxhës ishte ende në këmbë. Byroja Politike kishte nxjerrë një urdhër për t’i mbrojtur me çdo kusht monumentet. Dekreti numër 7459 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve” u firmos më 22 janar të vitit 1991 nga Ramiz Alia. Lëvizja antikomuniste e dhjetorit të vitit 1990 dukej sikur i përgjumi disi, derisa një nismë e studentëve të Universitetit të Tiranës rindezi atmosferën.
Më 18 shkurt 1991, 723 studentë dhe pedagogë hynë në grevën e urisë, duke kërkuar, në kuadër të depolitizimit, heqjen e emrit të Enver Hoxhës universitetit. Komisioni i grevës, i përbërë nga Arben Lika, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe, Mesila Doda, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, kërkoi, veç të tjerave, anulimin e dekretit që mbronte monumentet e diktatorit dhe lirimin e të burgosurve të fundit të ndërgjegjes që mbaheshin ende në qelitë e Spaçit e Burrelit. Ndërkaq, drejtuesit e opozitës kishin firmosur me Ramiz Alinë paktin e stabilitetit për shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri në zgjedhjet e ardhshme.
Përshkallëzimi
Shqipëria rrezikohej nga një luftë civile. Shoqata me emrin “Vullnetarët e Enverit” kishte filluar të vringëllonte armët, duke deklaruar se “Enveri duhej mbrojtur, qoftë edhe me gjak”. Njerëz të armatosur të ekstremit të majtë e të djathtë shiheshin përditë në rrugët e qyteteve shqiptare. Më 20 shkurt, përpjekjet e pushtetit për të thyer rezistencën e studentëve kishin dështuar. Me gjithë problemet shëndetësore që u shfaqën, grevistët ishin të vendosur të mos tërhiqeshin.
Jo vetëm kaq. Sindikata e Pavarur e Shqipërisë kishte kërcënuar me një grevë të përgjithshme, e cila mund të paralizonte gjithë vendin. Mijëra qytetarë të Tiranës dhe të rretheve të afërta mbërrinin çdo ditë në Qytetin Studenti, duke u dhënë kurajë grevistëve dhe duke organizuar protesta me pjesëmarrje gjithnjë e më masive. Në këto kushte, pakti i stabilitetit mes qeverisë dhe opozitës dukej tepër i brishtë për të përballuar një lëvizje të tillë popullore dhe shumë prej politikanëve të rinj filluan të bënin lëvizje individuale, duke u rreshtuar përkrah të ngujuarve. Turma fryhej çdo minutë, derisa rreth mesditës filloi të drejtohej për në qendër të kryeqytetit. Turma theu barrikadat policore të vendosura në Rrugën e Elbasanit dhe gjatë bulevardit kryesor, duke mbushur sheshin “Skënderbej”.
Një numër i madh policësh ishin vënë në mbrojtje të statujës prej bronzi. Policia reagoi, duke bërë të tërhiqeshin demonstruesit e parë, por, pas tyre, turma rritej gjithnjë e më shumë. Për minuta të tëra, turma u përpoq të rrëzonte masivin e bronztë, derisa në ndihmë erdhi një kamion. Në kujtesën e shqiptarëve do të mbeten çastet kur monumenti i Enver Hoxhës filloi të lëkundej, derisa ra. Demonstruesit i hodhën monumentit një kavo çeliku dhe e tërhoqën për ta çuar në Qytetin Studenti. Ky ishte fundi.
INTERVISTA
Urdhri i drejtorisë, Bujar Kore: Xhironi rrëzimin e Enverit
Bujar Kore, operatori emblemë i Televizionit Shqiptar, ka xhiruar jo vetëm kronika pa fund e dokumentarë, por edhe portretet e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të pas-Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mori karakteresh, ai ka regjistruar që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia e deri te Sali Berisha, Fatos Nano, Leka Zogu e Ilir Meta… Ja çfarë thotë ai për ditën e rrëzimit të monumentit:
Çfarë mbani mend nga regjistrimet për Enver Hoxhën?
Po kujtoj dhe hedhjen e monumentit të tij në shkurt 1991. Mëngjesin e asaj dite na thirrën në drejtori e na thanë se ne, 4 operatorë, unë, Engjëll Strazimiri, Besnik Shima, Gaspër Shllaku, të vendoseshim në 4 pika të ndryshme të sheshit dhe të regjistronim atë që do të ndodhte, sepse atë ditë mendohej se do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës.
Këtë jua thanë në mbledhjen e mëngjesit…?
Natyrisht. Me sa duket, një gjë e tillë ishte e parapërgatitur. Shefat tanë mund të dinin më shumë, por neve na u tha kaq. Dhe ne zumë pikat tona. Vendi im ishte poshtë monumentit të Skënderbeut. Po në të njëjtën kohë grupit tonë iu shtua dhe një tjetër operator, Fatmir Çepani, i cili në katin e tretë të Pallatit të Kulturës kishte shkuar së bashku me gazetaren Amalia Dhamo për të regjistruar një intervistë. Duke qenë se ai ndodhej në pikën më dominuese nga ne të gjithë, ku kamera merrte të gjithë sheshin, regjistroi edhe pamjet, të vetmet që kanë mbetur në arkiv, pasi të katërt ne që ishim caktuar në atë detyrë, nuk arritëm ta merrnim pastër rrëzimin e monumentit. Unë regjistrova lëkundjet e monumentit, por në vendin ku isha, më fluturonin gurë nga të gjitha anët, plus dhe të shtënat me armë nga ana e policisë dhe nuk arrija ta stabilizoja dot kamerën. Përveç këtyre, edhe presioni i njerëzve që më shtynin ngado, nuk më lejonin të kryeja detyrën.
Çfarë ndodhi pas rrëzimit të monumentit?
U ktheva më shpejtësi në TVSH. Në korridor u mblodhën 7-8 veta, Virgjil Kule si drejtori i televizionit, Alfons Gurashi, Amalia Dhamo, Timo Luto, Fiqëri Sejdia e po diskutonim nëse duheshin transmetuar pamjet apo jo. Virgjil Kule na tha: “Po shkoj të bisedoj me Ramiz Alinë”. Pasi nuk u lidh dot me telefon me Ramizin, ai erdhi të merrte edhe një herë mendimin tonë në duheshin transmetuar pamjet në ato kushte. Të gjithë ishim dakord që pamjet të bëheshin të njohura për popullin. Atëherë ai vendosi transmetimin e pamjeve ku shihej monumenti i Enver Hoxhës që rrëzohej dhe urdhëroi Alfons Gurashin që të përgatiste kronikën. Kjo kronikë pati shumë jehonë, sepse për herë të parë edhe TVSH transmetonte një kronikë që cilësohej kundër regjimit, ku binte kulti i drejtuesit komunist.
Ndërkohë, zhvillohej edhe greva e studentëve. Cila ishte situata atje?
Kam regjistruar grevën e shumë intervista që gazetari Fiqëri Sejdia u mori studentëve të ngujuar. Por jo të gjitha u dhanë, sepse censura bënte të vetën dhe studentët u zemëruan me ne. Për më tepër ato ditë Kryeministri Adil Çarçani deklaroi se greva ishte e paligjshme. Por ne si ekip u futëm sërish, sepse dhe unë kisha disa miq brenda në grevë, me të cilët e gjeta shpejt gjuhën e përbashkët dhe sërish arritëm të merrnin intervista të reja, pasi dhe situata ndryshonte me orë. Më kujtohet takimi i Ramiz Alisë me përfaqësuesit e studentëve. Ne shkuam dy grupe xhirimi: gazetarët Engjëll Ndocaj e Gëzim Gjyrezi si dhe Gaspër Shllaku dhe unë si operatorë. Gaspri ishte fokusuar te Ramiz Alia, ndërsa unë merrja përfaqësinë e studentëve. Meqenëse gazetarët tanë mbetën në fund dhe e kishin vështirë të lëviznin, unë i dhashë mikrofonin tonë Azem Hajdarit, i cili filloi të bënte rolin e gazetarit e të lëvizte mikrofonin atje ku e kërkonin studentët. Veç Azem Hajdarit, aty ishin edhe Arben Imami, Arben Demeti, Blendi Gonxhe, Pandeli Majko, Ilir Meta etj.