Historia e Bilbil Hasnait, 43 vjeç, që i mori jetën vetes me çarçaf; priste të dilte në gjyq prej gati një viti. Çfarë ndodh në burgjet tona dhe heshtja e të gjithë autoriteteve
Nga Nikoleta Kovaçi
Bilbil Hasani, vetëm 43 vjeç, u gjet i varur mëngjesin e djeshëm në banjat e burgut 313 në Tiranë! E gjetën rojet e katit! Kishte marrë çarçafin e vet dhe i kishte dhënë fund jetës. Gjendej në sektorin e paraburgimi dhe kishte gati një vit që priste vendimin e dënimit për një akuzë vjedhjeje. Thuhet se bëhet fjalë për 1200 lekë, nuk dihet se ku e si, por ajo që dihet është se është arrestuar dhe është mbajtur në masën e sigurisë burg pa afat.
Ai ishte nga Kukësi dhe jetonte e banonte në zonën e Kamzës bashkë me familjen e tij. Burgjet nuk kanë dalë me asnjë reagim zyrtar në lidhje me tragjedinë, sigurisht as prokuroria që e ka hetuar dhe as gjykata që kishte për ta shqyrtuar dosjen e tij kriminale për aktin penal të vjedhjes. Po ashtu asnjë institucion përgjegjës nuk e trajtoi dje çështjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila pason me dhjetëra raste të burgosurish shqiptarë që humbasin jetën dhe policia apo autoritetet e burgjeve mbyllin gjithçka me një shkak të dokumentuar: Ka varrë veten! Por çfarë ndodh realisht në ambientet e burgjeve tona?
Raste që nuk studiohen
Sipas të dhënave konfidenciale në lidhje me ngjarjen e rëndë në të cilën ka humbur jetën kuksiani Hasani në burgun 313 bëhet me dije se prej kohësh gjendej në nivele të larta stresi e depresioni! Ai i dha fund jetës, duke lënë pas familjen për një akuzë që lidhet me vjedhjen e 1200 lekë, ndërkohë që pret më shumë që një vit që të nis shqyrtimi gjyqësor për aktin e tij. Historia e vetëvarjes së 43-vjeçarit na ktheu edhe njëherë tek dukuria e vetëvrasjeve nëpër burgje ku asnjëherë nuk flitet për shkaqe të tjera përveçse për një depresion që i çon të burgosurit ose të dënuarit në vetëflijim. Referuar një mori rastesh në vendin tonë kryesisht viteve të fundit mësohet se janë të shumta shkaqet që i çojnë këtë kategori në vetëflijim të jetës së tyre. Hasani mësohet se ka vuajtur shumë problemin e mbajtjes në burg për një akuzë që ai sipas të dhënave nuk e ka pranuar se e ka kryer. Policia mësohet se e ka arrestuar në bazë të një denoncimi por kuksiani asnjëherë nuk e ka pranuar këtë fakt e për pasojë që kur ka hyrë në qeli ka shfaqur probleme depresioni!
Shkaqet e vetëflijimeve të të burgosurve në Shqipëri!
Ekspertët, njohës të mirë të problemeve në burgje tregojnë se janë një sërë problemesh që i fusin në një kurth të pazgjidhshmërisë së problemeve të burgosurit. Varet tek sektorët në të cilët janë të vendosur personat që kryejnë akte të tilla. Por nga sa është konstatuar prej tyre, veprat ordinere, siç është rasti konkret, mund të përfshihen në ndonjë aktivitet edhe të brendshëm. Kjo lidhet kryesisht me zotërimin e sektorëve nga ata që konsiderohen të dënuar apo të burgosur VIP. Sipas ekspertëve bëhet me dije se këta i përdorin për tregti brenda qelie, siç p.sh në fushën e drogës apo edhe të celularëve. Është një rrjet i tërë që funksion nëpër burgje për lëvizje brenda por edhe për delegim porosish jashtë.
Referuar të njëjtave të dhëna që vijnë nga njohës të mirë të situatës në burgje theksohet se në fakt nuk është e besueshme që punonjësit e policisë së burgjeve të ushtrojnë presion deri në atë masë sa t`i detyrojnë të shkojnë në vetëflijim. Një burim i tha gazetës “Fjala” se policia e Burgjeve ka probleme me pagat dhe trajtimin e vet dhe as që bëhet fjalë të sillet keq me ta. Po ashtu, në lidhje me kushtet në këtë godinë burgu janë të pranueshme duke u krahasuar me burgjet e tjera. Por realitet brenda atyre mureve dhe jashtë janë shumë të ndryshme e për pasojë personat që nuk janë përgjegjës për veprën për të cilën akuzohen edhe e vuajnë këtë realitet.
Megjithatë njohësit e situatës nëpër burgjeve nuk përjashtojnë edhe faktin që në burg ka luftë klanesh dhe personat që shkojnë të rinj aty nuk dinë ku të orientohen dhe sigurisht që është presion mbi pozicionimin e secilit. Të dhënat tregojnë se që nga viti 2016 e këtej janë shënuar mbi 12 raste të tilla nëpër vendet e vuajtjeve të dënimet në Shqipëria. Asnjëherë, asnjë autoritet përgjegjës nuk ka reaguar mbi këtë dukuri, madje asnjëherë nuk janë kërkuar as shkaktarët dhe që më pak personat që kanë patur përgjegjësi për mbajtjen nën kujdes mjekësor të të burgosurve ose paraburgosurve që shfaqin shenja depresioni apo problemit të shëndetit mendor!