Krimet në familje/ Atentati në derën e shtëpisë, si u masakruan vëlla e motër..! Dy vrasje me 3 viktima brenda 15 orësh. Burrat vrasin barbarisht gratë e tyre!
Nga Nikoleta Kovaçi/
Mosmarrëveshje, dhunë, abuzim dhe tregim force mbi qenien e dobët! 24 orë nën tmerrin e dy ngjarjeve të njëpasnjëshme që tronditen gjithë vendin ndërkohe që njëri nga vrasësit gjendet ende në liri, i armatosur dhe i frikshëm. Tjetri i priti i qetë me cigaren e ndezur në shkallët e dyqanit brenda të cilit kishte mbyllur viktimën e vet. Të dy iu morën jetën grave të tyre, njëri si hakmarrje e frikshme për ndarjen e tjetri se gruaja nuk po e lejonte të shiste dyqanin të lante borxhet!
E ndërsa policia i ka humbur gjurmët e killerit lezhjan që iu zuri pritë në derën e shtëpisë ish-gruas bashkë me të vëllanë, duke iu marrë jetën të dyve me breshëri kallashnikovi, tjetri ka përdorur levë e gërshërë për tu hakmarrë për atë çfarë sipas tij i kishte bërë prej një jete bashkëshortja, e cila punonte në atë vend po prej shumë vitesh të mbante familjen. Në të dyja rastet, si ai i së martës në Rrëshen edhe i djeshmi në Durrës, treguan se të dy gratë-viktima kanë investuar të mbanin dhe të kishin familje.
Nëna të tri vajzave, të dyja, edhe Alda edhe Hajdija janë vrarë barbarisht pa asnjë lloj mëshirë as droje. Ndërsa Alda në Rrëshen u vra sapo la punën, Hajdija u vra te vendi i punës! E para ishte dhunuar sistematikisht, e dyta kërkonte të mos bëhej objekt dhune! Por as njëra e as tjetra s`ia dolën; burrat vrasës ua morën jetën!
Rrëshen
Fatmir Kolecaj, i sapo kthyer nga jashtë, ka marrë një kallashnikov me vete dhe, nga Zejmeni, vendlindja dhe vendbanimi i tij, është nisur drejt Rrëshenit. Aty është ndaluar në një lokal në të cilin ka qëndruar për shumë e shumë orë. Lokali gjendet në qendër të qytetit. Shërben edhe si bilardo. Ka ndenjur deri sa ka rënë nata. Si duket ka qenë i mirinformuar në lidhje me lëvizjet e ish-gruas së tij, Aldës!
Ish-gruaja e tij, që kishte ikur prej tij nga dhuna barbare që ushtronte, punonte në një market të Rrëshenit. Ai është çuar nga lokali bar-bilardo, ka marrë armën dhe ka ardhur në afërsi të shtëpisë së ish-vjehrrit të tij, atij që prej rreth 9 vitesh e kishte mbajtur edhe me bukë. Është fshehur në anën e një muri që shërben edhe si avulli e banesës së familjes Filopati dhe aty ka pritur derisa makina e Vladisonit të vinte në hyrje të oborrit.
Në makinë gjendej edhe ish-gruaja e tij, Alda, nëna e tri vajzave të tij! Sapo ajo ka zbritur nga makina ai ka lëshuar mbi të një mori me plumba kallashnikovi. Vëllai, Vladisoni, ka tentuar të largohet nga pas shtëpie për të shpëtuar nga plumbat por atentatori-ish-kunat, babai i tri mbesave të veta e ka qëlluar për vdekje.
Po ndërsa Alda është qëlluar përpara, plumbat e kanë kapur thuajse të gjithë në pjesën e gjoksit dhe të fytyrës, i vëllai është vrarë nga pas. Fatmir Kolecaj, i ka lënë të pajetë shënjestrat e tij në derën e shtëpisë së tyre dhe vetë është larguar. Ora shënonte 20.40 minuta të së martës! Ai iku duke iu vra tri vajzave të veta nënën dhe dajën, ndërsa ky i fundit kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Italia, atje ku kishte nisur të investonte për të marrë me vete edhe motrën e tij dhe tri vajzat e mitura për të ikur.
Policia
Policia e Shtetit reagoi menjëherë pas ngjarjes duke dhënë të dhënat e para që lidheshin me informacionin se në Kodër-Rrëshen është qëlluar me armë zjarri dhe janë vrarë Vladison dhe Esmeralda Filopati. Autori i dyshuar ishte Fatmir Kolecaj, 47 vjeç, nga Lezha. Policia bëri me dije edhe se ka ngritur pika kontrolli, edhe postblloqe në të gjithë zonën, edhe ka mbyllur pikat kufitare në lidhje me të, po edhe kishte nisur krehjen e zonës, por prej më shumë se 24 orësh nuk patën asnjë rezultat. Po ashtu u nxorën fotot e autorit, e dikurshmja dhe e kohëve të fundit, u lëshua edhe një njoftim për një shumë parash për informacion por sërish nuk kishte asnjë të dhënë që i ndihmonte policinë për të shkuar tek vrasësi i dyfishtë.
Burimet policore treguan se kishte dyshime që Kolecaj mund të mos ishte larguar nga Rrësheni por ai sipas të dhënave është shumë i rrezikshëm pasi është i armatosur me një armë automatike e për pasojë ekziston frika se ai mund të vrasë këdo që mund t`i afrohet.
Por policia në fakt nuk është e sigurt nëse ai nuk ka mundur të largohet jashtë vendi nga Kosova, nëse ai ka përdorur mjet për tu larguar. Por janë të dhëna konfidenciale që vijnë nga Rrësheni që tregojnë se autori i vrasjes së 2-fishtë në momentin që ka lëvizur nga lokali në të cilin ka qëndruar për disa orë ka qenë në këmbë, por nuk dihet asgjë se më çfarë mund të jetë larguar prej aty. Policia bën me dije se nuk ka kaluar në asnjë pikë kufitare, ndonëse në fakt në vendin tonë hyhet e dilet jo vetëm nëpër pika kufitare por edhe nëpër zona ku nuk mbërrin syri i policisë!
Po kush është Fatmir Kolecaj, vrasësi i motër e vëlla?
“Rrjedh nga një familje e dhunshme! I ka njohur dhe i njeh gjithë Zejmeni! Janë nga këtu dhe historia e familjes së tij është e mbushur me raste dhune, vrasjesh, vetëvrasjesh, arrestimesh, lirimesh dhe vjedhjesh. Askush që i njeh nuk është i habitur nga kjo ngjarje makabre. Ai mund të kishte vrarë edhe më shumë se sa aq. Sepse ata nuk dinë të bëjnë gjë tjetër; vetëm të vjedhin, dhunojnë dhe të vrasin. Kanë një jetë ashtu…”!
Kjo është një pjesë rrëfimi që vjen nga Lezha, nga njohës të vrasësit të Rrëshenit dhe të familjes së tij. Madje që njohin një histori që kalon tej kohës së sotme. Që nga ku nis edhe karakteri i dhunshëm dhe primitiv i vrasësit të Esmeralda dhe Vladison Filopatit, motër e vëlla që u masakruan me plumba në derën e shtëpisë nga një i liruar i drejtësisë, i cili ishte i kallëzuar për dhunë në familje, për kërcënim me jetë dhe për armëmbajtje pa leje. Por i është dhënë dënim vetëm për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Madje është lënë i lirë edhe me kusht.
Por ai jetonte i vetëm në Zejmen derisa ka mundur të largohet jashtë vendi, në kohën që ka mbaruar punë me drejtësinë. Ka shkuar në Belgjikë dhe sipas informacioneve ai është kthyer kohëve të fundit, por askush nuk e di se kur ka ardhur. Me nënën të vdekur nga një sëmundje e rëndë shumë vite me parë, me një vëlla në Angli, tri motra të martuara, njëra në një fshat afër, një tjetër në Zhejë e një në Laç, dhe me një baba që ka ikur në Greqi prej vitesh, Fatmir Lekë Kolecaj, si duket është kthyer enkas për të vrarë gruan e tij e cila e kishte divorcuar në kohën kur ai kishte rënë në burg. Madje e kishte denoncuar i ati i Aldës, sepse ai e kërcënonte me armë në tavolinë, pasi e kishte dhunuar me qindra herë.
Dëshmitë që vijnë nga Zejmeni i Lezhës tregojnë se Fatmiri dhe Alda kanë jetuar bashkë rreth 9 vite. Përgjatë gjithë kohës ata kanë patur probleme në familje për shkak të varfërisë pasi ai gjithnjë e dhunonte të shoqen që t`i gjente para. Familja jetonte me ndihmë ekonomike dhe ka qenë familja e saj që e kanë mbajtur për gjatë gjithë kohës familjen e re, derisa Alda një ditë ka telefonuar të atin duke i thënë se e kishte rrahur dhe po e kërcënonte se do ta vrasë nëse i thotë policisë.
Atëherë i ati nga Rrësheni ka lajmëruar policinë. Këta të fundit ia gjetën armën në tavolinë vrasësit të Rrëshenit. Madje edhe në procesverbalin e mbajtur në shtëpinë e Fatmirit nga oficeri i policisë ishte fiksuar fakti: “Ai mbante armën në tavolinë dhe i kërcënohej të shoqes; nëse i thua policisë do të vrasë”! Ai u arrestua në vitin 2017 dhe akuzat iu reduktuan, ndërkohë që Alda kërkoi divorcin dhe u kthye në familjen e saj. Burri i dhunshëm dhe kërcënues tentoi të priste damarët në burg. Ai iu tha autoriteteve të burgut se po vuante faktin se bashkëshortja e tij ka ndryshuar faktet se ai nuk i kishte bërë asgjë të keqe!
Të dhënat që vijnë nga Policia e Lezhës bëjnë të ditur se familja e tyre është denoncuar disa herë për raste dhune. Sipas tyre edhe i ati i tyre, që para viteve ’90-të ishte një nga personat më të njohur nga gjithë policia e asaj kohe si dhunues i bashkëshortes së tij. Madje të dhënat tregojnë se ai ka qenë i akuzuar edhe për një vrasje gjatë atyre viteve dhe më pas jo pak herë është thirrur në hetuesi për dhunën që ushtronte mbi nënën e Fatmirit, gjë të cilën edhe ky i fundit jo vetëm e mësoi por edhe e tejkaloj!
Vendimi i gjykatës-arsyetimi dhe vendimi!
Pas ngjarjes së rëndë të Rrëshenit ku një i liruar nga burgu iu mori jetën ish-gruas dhe vëllait të saj kanë dalë në dritë detaje që lidhen me aktin e dhunës, kërcënimit dhe armës pa leje që mbante autori i krimit të rëndë në shtëpi që 3 vite më parë. Në vendimin e zbardhur nga Gjykata shihet se në arsyetimin e vendimit është marrë parasysh jo vetëm ‘pendimi’ i tij i thellë edhe pse gjykata ka pranuar se gruaja ishte dhunuar prej tij edhe me tub uji, por madje është theksuar fakti se autori nuk përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe se veprat e kryera prej tij nuk janë të rënda, e për pasojë i pandehuri duhet të jetë sa më shpejt pranë familjes së tij dhe tre fëmijëve sepse duhej t`i rriste e t`i edukonte!
Në vendim thuhet: “Në lidhje me llojin e masën e dënimit që i duhet caktuar të pandehurit, Gjykata mban në konsideratë rrezikshmërinë shoqërore jo shumë të lartë të veprave penale të kryera prej tij, faktin se prej tij është kryer me shumë se një vepër penale, rrethane kjo që rëndon dënimin e tij, qenien e të pandehurit i padënuar më parë, pendimin e thellë të treguar prej tij gjatë gjithë rrjedhës së hetimit e gjykimit, gjendjen dhe përgjegjësinë e tij si kryefamiljar, i cili duhet të kujdeset për rritjen e edukimin e 3 fëmijëve të mitur, rrethana këto që duhet të lehtësojnë dënimin e tij!”
Vendimi
-Deklarimin fajtor të pandehurit Fatmir Kolecaj për kryerjen e veprës penale “dhuna në familje” e në bazë të nenit 130/a /4 i Kodit Penal e dënon me 15 muaj burgim.
-Deklarimin fajtor të pandehurit Fatmir Kolecaj për kryerjen e veprës penale “mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe në bazë të nenit 278/3 i Kodit Penal e dënon me 1 vit burgim.
-Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve i pandehuri Fatmir Kolecaj dënohet me një dënim të vetëm prej 15 muaj burgim.
-Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, duke i ulur 1/3 e dënimit të mësipërm i pandehurit Fatmir Kolecaj dënohet me 10 muaj burgim. Vuajta e dënimit fillon me datën 12.7.2017 dhe do të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme.
-Arma e zjarrit provë materiale do t`i kalojë Komisariatit të Policisë Lezhë!
Durrës/ Krimi monstruoz, mbyll kufomën në dyqan dhe shkon të blejë cigare
Ruzhdi Tosuni, 63-vjeç, vrau bashkëshorten e tij Hajdien, 59-vjeçe! Uli qepenat e dyqanit dhe priti policinë të shkallët! Dëshmia: E vrava se me nxiu jetën!
Policia e Durrësit është njoftuar mesditën e djeshme se afër Pallatit të Sportit një person që po pinte cigare pretendon se ka vrarë gruan e tij dhe e ka lënë në dyqan. Madje ai pak më pas e ka telefonuar edhe vetë policinë dhe në momentin kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ai ka qenë i ulur te shkallët e dyqanit, me qepen të mbyllur, duke pirë cigare. I ka thënë policisë se e ka vrarë gruan e tij se ia kishte nxirë jetën, ndërkohë nuk ka bërë asnjë rezistencë. Madje iu ka dhënë edhe çelësat e dyqanit, aty ku ndodhej i pajetë trupi i bashkëshortes së tij, i nënës së tri vajzave të tyre dhe i gruas zonjë që kishte respektin e gjithë njerëzve që e njihnin në qytetin e Durrësit.
Policia, fqinjë në afërsi të dyqanit të viktimës dhe të afërm kanë rrethuar vendin e krimit derisa aty kanë mbërritur e bija bashkë me bashkëshortin e saj. Atëherë polici ka mundur të hedh dritë mbi problemet që kanë shfaqur herë pas here çifti, ndonëse nuk kanë qenë probleme për të çuar në një krim monstruoz. Policia ka tentuar t`i rrëmbejë disa herë dëshmi deri orëve të vona të së mbrëmshmes autorit të krimit të rëndë, por ai gjithnjë ka fajësuar gruan e masakruar se ajo e kundërshtonte dhe nuk e lejonte që të shiste dyqanin pronë të tyre.
Ngjarja
Janë dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm në dëshminë e dhënë nga vetë autori i krimit pasi ka vrarë të shoqen. Ai iu ka thënë të njohurve që ishin afër dyqanit të tyre që të shkonin aty se kishte vrarë gruan se ajo i kishte nxirë jetën sepse vetë i duhej të kërkonte të blinte cigare se nuk kishte. Policia bëri me dije se Ruzhdi Tosuni 63-vjeç e vrau bashkëshorten e tij Hajdien, 59-vjeçe, pas një debati lidhur me shitjen e dyqanit. Sipas tyre ishte kohë që kërkonte ta shiste dyqanin pronë të familjes pasi dyshohej se ai kishte disa borxhe. Pas vrasjes, burri nuk ka bërë rezistencë duke u dorëzuar në polici. Policia thotë se pas krimit të rëndë ka ulur qepenin duke pritur policinë.
Çifti i komunitetit egjiptian ka tre vajza, njiheshin si të qetë dhe pa probleme, ndërsa prej disa vitesh kishin biznesin e tyre pranë Pallatit të Sportit. Paraprakisht dyshohet se mosmarrëveshjet në familje kanë lindur pikërisht për dyqanin e metrazheve, pasi kishin kundërshti për shitjen e tij që agravoi situatën deri në vrasjen e 59-vjeçares. Dyqani i çiftit ‘Ruzhdiu’ pas ngjarjes së rëndë u rrethua me shpejtësi nga forcat e policisë dhe kalimtarët e rastit, të tronditur për krimin në familje. Burime nga policia e Durrësit thanë se Ruzhdiu muajt e fundit kishte shfaqur shenja depresioni. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar në polici njerëz të afërt të tij. ‘Ejani se e vrava! 30 vite ma solli shpirtin aty ku s’mban më’ kanë qenë fjalët e tij menjëherë pasi ka lënë të vdekur gruan në dyqan!
Burime nga policia bëjnë të ditur se autori Ruzhdi Tosuni e ka njoftuar vetë policinë duke u thënë “ejani se kam vrarë gruan”. Pyetjes së policisë së “ku ndodhej”, autori i është përgjigjur duke thënë “para dyqanit po ju pres”.
Kur ka shkuar policia ai i ka dorëzuar çelësat e qepenit dhe të dyqanit. Teksa e shoqëronin në polici dhe e pyetën se përse e vrave gruan, autori është shprehur se “ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava”!
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet. Bëhet me dije se janë marrë dëshmitë e para dhe se familjarët nuk kanë treguar ndonjë konflikt të mbartur të tyre. Gjithçka mësohet se ka nisur për probleme që lidheshin me një borxh të kryefamiljarit por do të jenë vajzat e tyre që do të zbardhin shkaqet e krimit të rëndë që i mori jetën gruas 59 vjeçe. Të dhënat tregojnë se janë sekuestruar në vendin e ngjarjes edhe një levë dhe një gërshërë, të dyja mjete të përdorura për të kryer krimin. Dyshohet se zënka ka nisur në dyqan dhe ka qenë një përplasje e momentit, por prokuroria ende nuk ka të siguruar dëshminë e vajzave të tyre për të mësuar më shumë hollësi për konfliktet në çift!