Koronavirusi/ Kosova shpall gjendjen e jashtëzakonshme, Thaçi firmos dekretin. Kundërshton Albin Kurti

Kosova ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e situatës emergjente të krijuar nga koronavirusi.

Pas mbledhjes me Këshillin e Sigurimit, presidenti Hashim Thaçi i është drejtuar deputetëve, të cilëve iu ka kërkuar që të ratifikojnë dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Thaçi e ka bërë të ditur firmosjen e dekretit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Twitter.

“Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sontëm  me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i # COVID19. Unë i bëj thirrje parlamentit të bashkohet e ta ratifikojnë atë”, ka shkruar presidenti.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi është shprehur se kryeministri Albin Kurti nuk është dakord që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Megjithatë, situata duket e rënduar edhe në Kosovë, kur deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.