Nga Sebi Alla
Në radhë, edhe në barkun e nënës. Mamia nuk pyet shumë për dhimbjen, padurimin e foshnjes për të parë jetën: “prit edhe pak, ishte kjo ‘shoqja-zonja’ para teje”. U lindëm në radhë, u rritëm në radhë, e po mbajmë radhë bashkë me hilenë – “isha unë para teje, jo, ishte ti pas meje, -kam ardhur që në mëngjes, pa lindur dielli, që me gjelin e sabahut”… dyndjet, sherret, shtyrjet dhe grumbuj njerëzish janë në rrugë edhe kur “COVID-19” fluturon mbi krye. Dy mbesin lajmet kryesore tonat; pasojat e coronavirusit që po sillet si murtajë e çerekshekullit të ri dhe sjelljet njerëzore, sidomos mbajtja e radhës, zënkave, grumbullimeve. Po sot nuk është faji i qytetarëve që dynden në furrat e bukës, në market, në farmaci, në një filial banke. Është mëkat të kërkosh rregull në pak ditë, kur me dekada është trashëguar radha e gjatë, frymë më frymë. Paniku na sjell instiktet që për disa kohë ishin të fshehura. Çfarë mund t’i thuhet një 40, 50 apo 60-vjeçari të sotëm, kur gjithë jetën e ka kaluar i ngjeshur në autobusët urbanë trup më trup që për të gjetur pak rehati shtyn tjetrin? Çfarë mund tu kërkosh kur që në fëmijëri prindërit i dërgonin të mbani radhën e qumështit, vajgurit, bukës apo ushqimeve me copa tolloni në duar?
Ato radhë të gjata në dyqanet e shuara të një pushteti në grahmat e fundit e kalitën “njeriun e ri” komunist. E bënë Durimin që të duronte pafund dhe Shpëtimin që të mos shpëtonte kurrë nga kjo gurgule kolektive. Në radhë mësuan se me mik mund t`ia dalësh, me njohje mund të siguroje diçka. Koha ndryshoi, demokracia si fjalë, por jo si sjellje dhe rregull shetetëror dha ca përfitime. Të paktën për ushqime radhë nuk kishte, por radha nuk na u nda as në këtë kohë të re të 30 viteve të fundit nga soji i qeverisjesjes “OMGJ”, një gen në komunizëm dhe një tjetër në demokraci. U pakësua dyndja në ushqimore dhe tregje, por u shtua në Hipoteka, për të marrë një pronë që të takon, e sot ndoshta mban sërish radhë po për atë pronë që kurrë nuk e more. Për një dokument identifikimi, pasaportë apo kartë identiteti, përsëri radhë, aq sa nga dyndja e madhe mezi të marrin shenjat e gishtave nga djersët që bulëzojnë në trup. Po ka radhë e radhë, se të qëndrosh gjatë nuk do të thotë se mbaron punë, pasi personi pas një sporteli a një zyre shteti, të sorollat përsëri, për një dokument tjetër shtesë, apo të përplasë ato letra në sy: “hajde prap”… E ky qytetar, ashtu i sikletosur, do të marrë autobusin në destinacionin shtëpi. Sërish grumbuj njerëzish, me histori të ndryshme, por me halle thuajse të njëjta. Ngjeshje pas urbanit kapic, shty faturino për një 40 lekësh më shumë, e shty vetë qytetarët për të ikur sa më parë. Dhe inatin e atij nëpunësit të shtetit që bredh me makinë, ia nxjerr qytetarit hallexhi, njësoj si ty. “Bëj tutje, mos më prek, ik ti, se u afrove më shumë”-larmi kërcënimesh, por edhe kacafytjesh duke ja nxjerrë mllefin e ditës atij që nuk e meriton.
Dhe sot na bën çudi radha për të marrë ushqime, bukë, apo për të tërhequr ndonjë pagë të mbetur në bankën që ka vënë orar të kufizuar. Edhe atij emigrantit që u ngjesh si milingona në dru pas anijeve të tejmbushura në fillim të viteve ‘90 në kërkim të lirisë dhe mirëqenies, jetën ja sterrosim kur vjen këtu. Ia kujtojmë eksodin me masiv njerëzish pas sporteleve të shtetit tonë për të marrë një copë dokument për veten apo fëmijën e tij, që nuk dëshiron t`ia mohojë shtetësinë shqiptare, këtij shteti që të mbyt me ecejake. Radhë mbajtëm edhe kur u thyen depot e armëve për të siguruar sa më shumë tyta që në të shumtën e rasteve i drejtuam nga qielli, por edhe ndaj tjetrit.
Diçka ka ndryshuar. Radhë shumë për të paguar faturën e energjisë elektrike apo të ujit nuk ka aq shumë. Po ashtu edhe për bizneset që derdhin shuma të konsiderueshme në tatim-taksa priten më mirë, me fjalët ‘faleminderit dhe mirupafshin’. Për të të zbarzuar xhepat, qeveritë kanë menduar që të paktën të të kursejnë stresin dhe pritjen e gjatë. Gjithçka tjetër është dyndje, sorollatje, ngjeshje dhe radhë, qoftë edhe për tu zënë. Masivitet të moshuarish edhe për të tërhequr një copëz pension apo pritje për ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit. Grumbuj njerëzish edhe për një vaksinë me fëmijën në krahë, duke e kalitur foshnjen se do të jetojë në një shtet radhe, shtyrje, fyerje ndaj të singjashmit tënd që të rri anash, ballas dhe pas. Shumë mblidhemi, por kurrë nuk sigurojmë “radhë” të gjata për një protest ndaj institucioneve, me pankarta: “stop radhëve”.
*Kryeredaktor i Gazetës Fjala