13 punonjës të Urgjencës në Prishtinë vetëizolohen, patën kontakt me një viktimë nga Covid-19

Në Prishtinë, 13 punonjës shëndetësorë të mjekësisë urgjente janë dërguar në vetëizolim pasi patën kontakte me 59-vjeçarin e infektuar me Covid-19 I cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi konfirmoi lajmin për Express. Ndërkohë në Prishtinë janë 19 persona që kanë rezultuar si të infektuar me koronavirus.

“Janë 13 punonjës shëndetësorë të mjekësisë urgjente që janë dërguar në vetizolim. Që të gjithë ata kanë pasur kontakt me personin tashmë të ndjerë në Prishtinë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka treguar dhe masat që ka marrë komuna e Prishtinës për mbrojtjen nga koronavirusi

“Ne ngushëllojmë për vdekjen e pacientit në Prishtinë. Gjendja momentalisht sa i përket qytetarëve të infektuar me Covid-19 në komunën e Prishtinës, rezulton të jetë stabile. Ne jemi duke punuar 24 orë në 7 ditë të javës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Të gjithë pacientët na komuna e Prishtinës që janë 19 persona si të prekur me Covid-19 janë në gjendje stabile.”, ka deklaruar Gashi.