Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka vendosur të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në zonën metropolitane të Tokios dhe zona të tjera, për t’u përballur me përhapjen e koronavirusit të ri. Ai beson se numri në rritje i njerëzve të infektuar me Covid-19, mund të çojë në një kolaps të sistemit shëndetësor.
Qeveria vendore, kishte kërkuar prej kohësh që të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. “Situata po tensionohet shumë”- deklaroi të dielën Ministri i Rimëkëmbjes Ekonomike, Jasutoshi Nishimura, përgjatë një program televiziv në “TV Fuji”.
Nishimura po udhëheq rishikimin e ligjit për masat speciale për të përballuar situatën e re të krijur nga koronavirusi, çka i jep mundësi qeverisë që të deklarojë gjendjen e jashtëzakonshme. “Nëse është e dukshme që ka një shtim (një rritje të madhe të numrit të pacientëve të infektuar), ne do të shpallim pa hezitim gjendjen e jashtëzakonshme”- shtoi ai.
Guvernatori i Tokios, Juriko Koike tha përgjatë një programi televiz se 1.000 shtretër spitalorë janë tashmë në dispozicion. Një tjetër zyrtar i lartë i qeverisë, deklaroi se “ekziston një frikë në rritje, dhe ne nuk mund të rrimë të qetë, për sa kohë numri i njerëzve të infektuar me virus vazhdon të rritet”.
Nëse kryeministri shpall gjendjen e jashtëzakonshme, do të jetë më e lehtë për të siguruar shtretër. Kjo lëvizje bëhet për t’i dhënë mundësi drejtuesve të prefekturave, që t`i shndërrojnë hotelet dhe ndërtesat e tjera në objekte të përkohshme spitalore, duke marrë kështu masat paraprake.
Përpara gjendjes së jashtëzakonshme, këto lloj ndërtesash nuk i nënshtroheshin ndonjë kufizimi siç është Ligji i Shërbimit Mjekësor ose Ligji i Standardeve të Ndërtimit. Dhe në këtë mënyrë bëhet e mundur që ato të presin menjëherë pacientë të sëmurë rëndë, dhe t’u ofrojnë atyre trajtim. Nëse do të jetë e nevojshme, mund të përdoren ndërtesat dhe toka, pa qenë nevoja që të merret pëlqimi nga pronari.
Gjithashtu, qeveria shpreson të sigurojë kohë për organet vendore që të hartojnë plane veprimi, para se kryeministri të dalë në një deklaratë. Shitësve me pakicë, siç janë supermarketet, do t’u gjithashtu jepet kohë për t’u përgatitur.
Idetë e dhëna nga qeverisja lokale dhe aktorët e tjerë në vend, duket se kanë ndikuar në këtë vendim. “Disa njerëz shkonin në festivale dhe aktivitete të tjera. Ndaj duhet vendosur një kufi në lëvizjen e njerëzve jashtë shtëpisë”- tha Koike gjatë një program televiziv.
“Nevojitet një vendim i përbashkët si komb. Unë jam duke e pritur këtë vendim”- theksoi ai.
Guvernatori i Osakës, Hirofumi Joshimura, ka përsëritur:”Qeveria, duhet të shpallë gjendjen emergjencës në Tokio dhe Osaka”. Edhe Shoqata Mjekësore Japoneze, ka theksuar se është koha për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
S.T.