Shënohet viktima e 23 në Shqipëri, ndërron jetë një 72-vjeçare

Ka shkuar në 23 numri i viktimave nga koronavirusi, Covid-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar pasditen e kësaj të enjteje se ka ndërruar jetë një 72-vjeçare nga Tirana, e cila ishte e shtruar në Spitalin Infektiv.

72-vjeçarja ishte prej ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore në terapi intensive, ndërsa gjendja e saj është rënduar më shumë ditën e sotme, kur dhe është intubuar, por fatkeqësisht nuk ka arritur të mbijetojë.

Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë bën me dije se 72-vjeçarja vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si insuficenca renale kronike, hipertensioni dhe hipotiroidzëm.

“Një paciente 72 vjeçare nga Tirana, me inicialet V.S., ka ndërruar jetë pasditen e sotme në spitalin infektiv në QSUT, e konfirmuar me COVID19. E moshuara ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në terapi intensive prej disa ditësh, ndërsa gjendja e saj është rënduar së tepërmi gjatë ditës së sotme, kur edhe është intubuar, por pavarësisht trajtimit mjekësor dhe përpjekjeve të mëdha të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve, ndërsa i bën apel qytetarëve t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19.