Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci parashikon që të ketë raste të reja të infektuarish me koronavirus edhe kur vendi të rihapet, pas lehtësimit të masave kufizuese.
Por për ekspertin, ajo që do të ketë rëndësi në ato momente, do jetë përgjigja e vendit ndaj atyre rasteve.
“Të mos kemi iluzione. Kur të vendosim në momentin e duhur, kur t’i zbusim disa nga kufizimet, pa dyshim që do të shohim raste”, tha Dr. Fauci në konferencën e përditshme për shtyp të grupit të punës për koronavirusin.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump tha se faktet dhe rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë do të përcaktojnë hapat e mëtejshme për rihapjen e ekonomisë.
“Nuk do të bëjmë asgjë derisa ta dimë që ky vend do të jetë i shëndetshëm. Nuk duam të kthehemi mbrapsht dhe të fillojmë nga e para, megjithëse do të ishte në përmasa më të vogla”, u shpreh ai./fjala.al