Flet poetesha e njohur: “Zëri i dhembjes së qytetit tim/Vdekja nuk sheh askënd në sy”
Nga Leonard Veizi
Edhe pse në zi, Italia, ky vend që i ka dhënë aq shumë botës perëndimore, por dhe Lindjes gjithashtu, nuk mund të heqë dorë nga jeta e saj kulturale. Edhe pse në karantinë, gjithçka funksionon online, për të promovuar artet dhe letërsinë e për të dhënë çmimet e munguara, pse jo. Dhe kjo është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur ballazi luftës për mbijetesë…
…Tanimë nuk dihet qartësish në Irma Kurti njihet më shumë si shkrimtare brenda kufijve të Shqipërisë apo përtej tyre. Sepse nisur nga çmimet e vazhdueshme, padyshim, tregu italian e ka vlerësuar më shumë se sa ai shqiptar, tek i cili veç vëllimeve poetike emri i saj ka qenë prezent dhe në nja dy duzina festivalesh si autore tekstesh të këngëve mjaft të njohura. Prej vitesh ajo është shpërngulur të jetojë në Bergamo, qytet që për fat të keq kohët e fundit ka bërë xhiron e botës për numrin e viktimave në luftën me “Covid-19”. Por kjo nuk e ka ndalur aspak atë, dhe gjithë artistët e tjerë që jetojnë në të njëjtin qytet, e në të njëjtat kushte, të vazhdojnë me përkushtim punën e tyre, për t’i dhënë pak butësi ditëve të egra që marrin jetë njerëzore, përmes një vargu më tepër a një penelate më shumë. Për më tej se kaq, gjatë një interviste ekskluzive për “Fjala” Irma Kuti, autore e të paktën 50 çmimeve të ndryshme, këtej dhe andej Adriatikut, thotë:
-Si po i kaloni ditët në karantinë?
Përpiqem t’i jetoj si ditë të zakonshme ato që nuk janë aspak të tilla. Kam kaluar çaste të vështira, sikur isha brenda një humnere, ku të tjerët s’mund t’ma zgjasnin dorën për të më shpëtuar sepse ishin të përqendruar në fatin e tyre. Për javë të tëra jemi ndjerë të frikësuar, të pambrojtur, pa asnjë pikë orientimi për arsye të fluksit të jashtëzakonshëm të të infektuarëve në terapitë intensive si dhe pamundësisë për t’u dhënë ndihmë të gjithëve.
Ndryshimi drastik që pësoi rutina jonë e përditshme ishte i papërfillshëm përballë humbjes, brenda pak ditëve, të të gjitha sigurive që mbajnë në ekuilibër një qenie njerëzore. Dhe kur e mbyllur në këtë kullë dëgjon dhe mendon për ato mijëra jetë që i kaluan çastet e fundit në vetmi të plotë, pa patur pranë dashuritë e tyre, pa një përkëdhelje apo fjalë të ngrohtë, situata shndërrohet në dramë.
-Çfarë atmosfere ofron Bergamo, a vazhdon të ketë jetë kulturore edhe pse në ditë të trishtuara?
Veprimtaritë kulturore në Bergamo janë pezulluar që nga java e fundit e muajit shkurt. Pra, ç’ka e identifikon qytetin tani është heshtja, qetësia e plotë, dhembja që perceptohet lehtësisht. Nuk sheh askënd rrugës, kalojnë vetëm autobuzat me sedilje bosh që më kot bëjnë xhiro, në pritje të pasagjerëve. Sirena e ambulancave, zëri i dhembjes së qytetit tim vazhdon të përcjellë akoma zymtësinë e situatës.
Nga ana tjetër, plot shoqata kanë shpallur konkurse të ndryshme online, nisma letrare – artistike për promovimin e librave, të artit. Kjo është një mënyrë për të nxitur që të shkruajnë dhe të krijojnë ata që kanë humbur një apo më tepër njerëz të shtrenjtë në këtë betejë, po edhe të tjerët që jetojnë eksperienca personale tronditëse. Këto iniciativa, së pari, kanë qëllim të lehtësojnë sadopak dhembjen, po edhe për të hedhur në letër dëshmi që me siguri do të jenë pjesë e kujtesës së historikut të qytetit.
–A është frymëzuese për ju një situatë e tillë?
Jo në mënyrë të veçantë. Aq më tepër kur shumë ditë janë të ngarkuara me stres dhe me pikëpyetjen e asaj që mund të sjellë e nesërmja. Në fillim, kur u mbyllëm në shtëpi dhe shtypi, televizioni na bombardonin me një seri informacionesh që arrinin si një lumë i fuqishëm që të merr me vete dhe të çon në shtigje të panjohura, duke krijuar mbi ne një trysni të jashtëzakonshme, ishte një mundim i vërtetë që të ulesha dhe t’i përkushtohesha të shkruarit. Por megjithatë e bëja… Sepse në momentin kur hyja në botën e krijimit, çdo gjë bëhej më e lehtë, më e përballueshme.
-A mund të përbëjë ky precedent një motiv që në të ardhmen të shkruhet më shumë rreth ngjarjeve që solli “Covid-19”?
Një shkrimtar nuk pret një epidemi apo një luftë për të shkruar. Ai shkruan edhe në kohë paqeje. Kanë vërshuar që tani krijimet, poezitë, tregimet që kanë për temë pandeminë dhe pasojat e saj. Do të ketë edhe në të ardhmen plot të tilla, por siç ndodh rëndom koha do t’i skartojë produktet mediokre dhe do të mbeten ato që janë cilësore, që kanë lindur si nevojë shpirtërore, produkt i frymëzimit dhe i dëshirës për të shndërruar në prozë apo në vargje shqetësimet e brendshme. Këto rrëfime do të mbeten një dëshmi reale, e drejtpërsëdrejtë për brezat e ardhshëm.
-A mund të kthehet në vlerë qëndrimi si i ngujuar nga frika e një virusi?
Pa dyshim. Megjithë anën negative, presionin, mungesën e perspektivës dhe ndryshimin në mënyrë rrënjësore të zakoneve tona, “ngujimi” në radhë të parë na dha mundësinë që t’u qëndrojmë pranë dhe t’u dedikohemi njerëzve që duam; një gjë e tillë në kushtet e një të përditshmeje frenetike ishte e vështirë apo e pamundur.
Ai na krijoi mundësinë që të dëgjojmë zërin e vetvetes, ta njohim atë më mirë përballë frikës, ankthit si dhe të vlerësojmë gjërat e vogla të së përditshmes, që më parë i kryenim në mënyrë mekanike dhe pa emocion. Shumë syresh që më parë e jetonin jetën duke vrapuar, duke rendur pas parasë, luksit e babëzisë, e ndalën hapin, duke menduar se tek e fundit, jeta është tepër e brishtë dhe atë mund ta humbasësh në çdo çast, pasi, për të perifrazuar një shprehje në gjuhën italiane, vdekja nuk shikon askënd në sy apo në fytyrë, pra nuk bën asnjë dallim midis njerëzve.
-Kush është primare në ditë të tilla për ju, leximi apo krijimtaria?
Krijimtaria, si gjithnjë, është primare. Po punoj me disa “projekte”, siç i quaj unë, që kanë të bëjnë me të shkruarin, redaktimin dhe përkthimin. Gjithsecilit i kushtoj pak kohë, për të mos u mërzitur dhe për ta mbajtur mendjen në aktivitet. Kam në dorë atë që është më i rëndësishëm për mua, një ditar që ma ka lënë babai, të cilin po e redaktoj dhe po e pasuroj me shënime. Sapo kam mbaruar një vëllim me poezi në shqip dhe në italisht si dhe po punoj me një përmbledhje të re poetike.
Në nëntor të vitit 2019, jo larg fillimit të pandemisë, për koinçidencë fillova të shkruaj një ditar në kompjuter. Në këto kohë shënimet janë të përditshme. Tema është e njëllojtë, drama dhe tragjizmi i pandemisë, por mendimet janë të larmishme, ato variojnë në mënyrë të vazhdueshme. Sepse përfytyrimi më çon në vende të bukura që kam vizituar, në ishuj e plazhe të largëta, por më bën edhe të takohem me njerëz të dashur që tani s’jetojnë më si dhe me miq që s’i shoh prej vitesh. Një ditë, e di që do t’u kthehem patjetër, për kuriozitet ose ku i dihet, për t’i shfrytëzuar si lëndë të parë për ndonjë vepër.
Shënime biografike
Irma Kurti jeton në Bergamo të Italisë. Është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Më 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Në publikun e gjerë njihet si krijuese e talentuar dhe e suksesshme e teksteve të këngëve të lehta në festivale kombëtare në RTSH, në koncerte pranvere e anketa muzikore. Ka shkruar mbi 100 tekste këngësh. Ka botuar 19 libra në gjuhën shqipe, 12 në gjuhën italiane dhe 4 në anglisht. Për poezinë e prozën i janë akorduar 50 çmime në konkurse të ndryshme letrare, ndërmjet të cilave shumë çmime të para, të dyta e të treta në Itali, Zvicër, Shqipëri dhe SHBA. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Bashkëpunon me gazeta të ndryshme në gjuhën shqipe.
Intervistoi: Leonard Veizi/Fjala/