Arrestime të bujshme në kohë pandemie të frikshme! Kush janë të arrestuarit e rastësishëm nga Policia

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga mjeshtri i grabitjeve tek ‘vrasësi’ gjakëftohtë dhe demonstrativ; kush janë të arrestuarit e rastësishëm nga Policia e Shtetit?!

Nga Nikoleta Kovaçi/

Duket si e pabesueshme që vrasës gjakftohtë, grabitës profesionistë, trafikantë, apo edhe emra të fuqishëm të botës së krimit në vend, t`i binden një virusi për tu izoluar në shtëpi. Ata që nuk mundi dot t`i kapte policia prej shumë e shumë vitesh, kërkimesh, operacionesh, i izoloi Covid-19! Mbase siguria e të qënurit të paprekur bëri që ata të rrinin të qetë në familjet e tyre, derisa policia trokiti me informacion dhe rastësisht nëpër foletë e tyre të strehimit. E që prej nisjes së izolimit për shkak të përhapjes së coronavirusit në vend, Policia e Shtetit ka bërë të paktën 5 arrestime që në një situatë tjetër shumë e vështirë të ndodhte.

Që nga Klement Çala, djali i shumëkërkuar prej 7 vitesh nga policitë dhe drejtësitë e dy vendeve, tek Tur Labi, emri me të cilin lidhen të paktën dy dekada histori krimi të organizuar deri tek pasardhësi i krimit gjaksor të bandave të Lushnjës – muaji që lamë pas, me arrestimin e këtyre emrave, jo vetëm bëri të mundur prangosjen e personave të rrezikshëm, por madhe edhe risolli në vëmendjen e opinionit publik histori të rënda kriminale.

Klement Çala

Thuajse i harruar nga policia, prokuroria dhe gjyqësori. Mbase të sigurtë në këtë harrim, pse jo edhe të investuar, Klement Çala, i riu elbasanas ishte strehuar në një banesë në Golem. Bashkë me të vëllanë. Po nëse institucionet ligjzbatuese kishin heshtur prej kaq kohësh, njerëzit që kishin mundur t`i njihnin nuk mundën të pajtohen me këtë harrim. Ata njoftuan policinë se i shumëkërkuari i tyre prej shumë vitesh, i vënë nën akuzat e dy supergrabitjeve të miliona eurove, i kërkuar nga Greqia për një mori grabitjesh, vrasjesh e arratisjesh gjendej aty, bashkëjetues i banorëve të Golemit. Dhe ashtu rezultoi. Çala, një prej të paktëve të identifikuar dhe i paarrestuar në dy supergrabitjet e transfertave jashtë vendi u vu në pranga. Me pamje të ndryshuar, por i qetë dhe pa asnjë rezistencë ai iu dorëzua policisë në momentin kur i trokitën në derë. Me të u arrestua edhe i vëllai. Edhe ai dyshohet si pjesëmarrës në njërën prej grabitjeve të ndodhura njëra në Kashar e tjera në aeroportin e Rinasit, po asnjëherë në fakt nuk u bë me dije roli që ka patur.

Klementi u akuzua për grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill 2019, ku u morën, sipas policisë, 4.6 milionë euro. Me të njëjtin grup, përfshirë edhe Admir Muratajn që mbeti i vrarë nga policia pas grabitjes së parave të bankës së nivelit të dytë teksa futeshin në barkun e avionit, Klement Çala ka bërë edhe grabitjen në vitin 2017 në rrugën Qafë-Kashar. Blindave që transportonin drejt Rinasit paratë e bankës, iu bë pritë nga një grup i armatosur në muajin shkurt ku u grabitën 2.7 milionë dollarë. Emri i tij erdhi në një dosje mijëra faqesh e që lidhej në Greqi me grabitjen e 1 milionë eurove bashkë me Admir Muratajn. Grabitja u tha se ndodhir në Bankën Kombëtare Greke, në qendër të qytetit të Larisës, ndërsa ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2013. Çala është ndër pjesëtarët e grupit të Marian Kolës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi më 22 mars 2013 dhe së bashku me Admir Muratajn u fshehën në Shqipëri. Çala ishte identifikuar si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë në një postbllok pak ditë pas arretisjes.

Tur Labi

Me 15 mars, policia bëri me dije se një 46-vjeçar nga Durrësi është vënë në prangat për llogari të drejtësisë italiane. Burime zyrtare të policisë treguan se bëhej fjalë Artur Vaqon, nga Vlora, me banim e aktivitet në Durrës, i cili rezultonte i dënuar nga gjykata e Torinos me 13 vite burg me akuzën ‘Drejtim i organizatës kriminale, me qëllim trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike”si dhe “Përdorimi i armëve të zjarrit”. Mirëpo, duke iu referuar vendimit që kanë marrë autoritetet italiane mësohet se emri i Artur Vaqos ka dalë në skenë që në vitet 2001 në kohën kur policia dhe prokuroria italiane hetonte një grup të fuqishëm të trafikut të drogës që drejtohej nga një i ri nga Vlora. Në grup, aso kohe, bënin pjesë edhe emra të njohur të Durrësit dhe të Vlorës ndërkohë që u tha se grupi u godit herë pas here. I njohur me nofkën ‘Tur Labi’, nofkë që doli nga përgjimet e italianëve, mësohet se i arrestuari i djeshëm lëvizte aso kohe me identitet të rreme me emrin e Bujar Bitrit. Policia i arrestoi e madje aso kohe u konsideruan si një grup i fuqishëm që vepronin kundër Lulzim Berishës. Më vonë, Tur Labi, u tha se madje dëshmoi edhe në gjyqin kundër Bandës së Lushnjës për vrasjen e Marsel Sotirit. Emri i tij doli në skenë edhe në vitin 2013, kur në një atentat ra një nga emrat e njohur të biznesit durrsak, Plarent Cani, po asnjëherë nuk u bë me dije se si doli i lirë vlonjati i dënuar nga Italia që në vitin 2006.

Lexo edhe :  Përfshihet në aksident makina e Forcave të Armatosura, dy viktima në Gjirokastër

Referuar mediave italiane të cilat kanë shkruar për arrestimin e të kërkuarit të tyre bëhet me dije se ndaj tij ka ekzistuar gjithnjë urdhër-arrest ndërkombëtar, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur vetëm në kohën e karantinës që ka izoluar thuajse gjithë Europën.

Artur Zhgjuni

Policia e përcolli me bujë të madhe arrestimin e tij. Tha se kërkohej nga Italia. Madje ishte edhe shumë i rrezikshëm, ndonëse kishte jetuar në shtëpinë e vet i pacënuar prej shumë e shumë vitesh. Operacioni u krye në të zbardhur të 1 prillit ndërsa familja e djalit nga Mamurrasi refuzuan publikisht akuzat e policisë dhe të prokurorisë. Artur Zhgjuni u tha se kishte edhe dy akuza të ngritura nga Prokuroria e Laçit pasi kishte kundërshtuar punonjësit e policisë, ndërsa bëhej fjalë për një ngjarje të rëndë, ku policia pretendohet se shtiu me armë mbi makinën në të cilën udhëtonte dhe brenda së cilës kishte katër fëmijë, dy të vetët e dy të një të afërmit të tij. Zhgjuni është lënë në burg pa afat, ndërkohë që do të jetë Apeli që do të vendosë për masën e tij, pasi pretendohet që Italia të mos ketë asnjë vendim për kërkimin e tij.

Orgest Bilbili

30-vjeçari nga Lushnja, i akuzuar për një mori vrasjesh, po pa asgjë të vërtetuar deri më tani, kishte vendosur të dilte për një shëtitje bashkë me një shokun e tij. Me armë me vete, i veshur sportiv, ai kishte gabuar duke mbajtur mbi kokë kapuçin e bluzës e, për pasojë, kishte rënë në sy të dy punonjësve të policisë që në atë moment po patrullonin me motor rrugën. Aty është kërkuar edhe ndalimi i dy djemeve dhe nxjerrja e lejes së qarkullimit. Policët kanë lënë motorin dhe kanë folur me dy personat duke iu kërkuar edhe kartat e identitetit. Mirëpo në momentin kur njëri nga të rinjtë ka moahuar të japë kartë identiteti, tjetri ka ikur me vrap e për pasojë kanë ndarë edhe dy efektivët e policisë. Njëri iu ka vënë pas personit të larguar ndërsa polici tjetër i ka kërkuar djalit me kapuç të dorëzohet. Më pas janë nxjerrë armët. Plagosja në këmbë zbuloi se bëhej fjalë për Orgest Bilbilin, lushnjarin e kërkuar për masakrën e Lushnjës me 2 të vrarë e dy të plagosur, të cilët rezultonin të sihin miqtë e nipit të Aldo Bares. Pas pranosjes së Bilbilit, prokuroria ka mundur të zbulojë një mori të dhënash të tjera. Bilbili kishte dokumente policie në shtëpi, jetonte në banesë me një kontratë qiraje të një femra, kishte lidhje me njerëz të fisit Rraja, ndërkohë që emri i tij u përfol për një sërë atentatesh edhe në Durrës e Vlorë. Ai mundi të thyente telefonin e për pasojë policia humbi një mjet të rëndësishëm nxjerrjesh të fakteve, por nuk Bilbili do të mbahet në qeli për shkak të një dënimi që ka marrë për trafik droge. Të tjerat pritet të vërtetohen, në mos të fitojë sërish lirinë, siç edhe disa vite më parë!

Ilir Selmani

Ishte i kërkuar prej më shumë se 8 muajsh. Jetonte i qetë në mes të Tiranës por para pak ditësh ra në prangat e policisë fal një informacioni që kishte shkuar tek uniformat blu. Policia bëri me dije se kishte arrestuar nga një protagonistët e vrasjës së Santiago Malkos, të riut që u ekzekutua nga një ushtri me vrasës mbrëmjen e 27 gushtit të 2019-s. Arrestimi dhe mbajtja në pranga e një personi, i cili pretendohet që ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe, më pas, listimi i plotë 8 urdhër-arresteve të tjera, bëri që vrasja e të riut, baba i dy fëmijëve, që banonte në zonën e Babrroit, të konsiderohej një ngjarje e rëndë. Policia dhe prokuroria arritën në konkluzionin se në vrasjen e tij kanë marrë pjesë 9 persona, të cilët kanë lëvizur me një mekanizëm të njohur në fakt, për ta gjetur dhe më pas ekzekutuar. Ilir Selmani, sipas të dhënave hetimore, ka qenë në timonin e njërës prej dy makinave që morën pjesë në ekzekutim. Por ende sot e asaj dite nuk bëhet me dije se kush e ekzekutoi dhe përse u ekzekutua në një mënyrë thuajse të frikshme ku ndjekja ka zgjatur për disa kohë dhe më pas vrasja ka ndodhur në sytë e dhjetëra personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Natën e krimit, u tha se Ilir Selmani ishte duke drejtuar një ‘Skoda’ dhe se me të mendohet se ka qenë i arrestuari i parë i asaj ngjarjeje, Blendi Teta, që pretendohet që ka qenë në sediljen e parë, ndërkohë pas ka qenë Lonard Duka dhe një miku i tyre që më vonë u identifikua si Ervis Metani. Pasi kanë bërë disa rrugë nga Fresku në “Xhamllëk” e “Varr Bami” ata janë pozicionuar pasi si duket dikush ka telefonuar Loenardin duke i treguar se ishte zbuluar vendndodhja e shënjestrës./Fjala.al

Të fundit

Barcelona merr një fitore komode në fushën e Las Palmas dhe ruan kryesimin e La Ligës

Barcelona bëri detyrën në transfertë ndaj Las Palmas, duke triumfuar 0-2 në duelin e vlefshëm për javë e 25-të...

Elon Musk mbështet sërish Alternativën për Gjermaninë përpara zgjedhjeve

Miliarderi amerikan Elon Musk, i cili është edhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump, ka publikuar sot në platformën X një postim...

Interi vuan por fiton ndaj Genoas, zikaltërit marrin përkohësisht kreun e Serie A

Interi mposhti minimalisht 1-0 Genoan në duelin e vlefshëm për javën e 26-të të Serisë A. Falë këtij triumfi, zikaltrit e Inzaghit kanë marrë...

E ardhmja e tregut të punës: Ku janë punët më të paguara

Ekspertët e inteligjencës artificiale, si dhe profesionistë nga fusha të tjera të teknologjisë së informacionit, tashmë janë shumë të kërkuar në tregun e punës...

3 Ushqimet që duhet t’i konsumoni në shkurt

Shkurti është muaji që shënon kalimin nga dimri në pranverë në shumë pjesë të botës, dhe kjo ndryshim sezoni vjen me një ndryshim në...

Lajme të tjera

Web TV