-Amnistia fiskale, përfitimet dhe rreziqet (Dritëhijet e nismës)
Amnistia në vend që të jetë ndihmë për qytetarë e biznese që kanë para informale, në fakt do të jetë privilegj për kartelin politik dhe ekonomik që sundon vendin, thotë eksperti i ekonomisë, Dritan Shano për gazetën Fjala. Në analizën e tij ai shfaqet mosbesues për realizimin siç duhet të kësaj amnistia nga qeveria aktuale dhe e shikon amnisti si deformim të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme.
Kryeministri Rama paraqiti dje paketën e Aministisë Fiskale të cilën pritet ta miratojë deri në Maj. A po nxitet kjo nga gjendja e pandemisë dhe çfarë përfiton shteti nga kjo?
Në rastin më të mirë një nismë e tillë tenton të krijojë të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit, në kushtet kur qeveria e ka mbyllur ekonominë dhe ndaj nuk arrin të arkëtojë të ardhura nga taksat. Ky është perfitimi i parë nga kjo mase. Përfitimi i dytë eshte formalizimi në një masë më të madhe nga aktualisht i ekonomisë. Përtej kësaj, avancimi i amnistisë fiskale në kushtet kur kemi një histori mungese transparence në zbatimin e buxheteve, manaxhimin e financave publike, në prokurimet publike etj., bën që çdokush ta shohë me dyshim këtë amnisti e cila propozohet pikërisht kur mungon vemendja dhe përqëndrimi shoqëror dhe politik.
Çfarë pasojash sjell për ekonominë futja e parave të padeklaruara në sistem? A mund të ketë një përllogaritje paraprake sa milionë euro mund të legalizohen nga ky plan?
Në parim qeveria do kishte më shumë para në dispozicion për të harxhuar. Se si i harxhon qeveria paratë të gjithë e dimë. Mjaft t’i hedhësh një sy buletinit të prokurimeve publike. Sa i përket shifrës që mund të arkëtohet, nuk jam në gjendje t’i përgjigjem, nuk ka një informacion mbi pritshmëritë e qeverisë.
Shqetësimi kryesor është pastrimi i parave të krimit e korrupsionit. Si mund të ndalohet kjo kategori nga amnistia, a ka mekanizma shteti për ta bërë këtë?
Që të bësh një aministi fiskale duhet një administratë fiskale e sprovuar, teknikisht e zonja, e ndershme dhe e besueshme. Gjithashtu, duhen edhe kritere te qarta, të thjeshta dhe të verifikueshme kollaj. Të dyja këto kushte, në gjykimin tim, mungojnë. Kështuqë, mendoj se qeveria nuk është në gjendje të ndalojë amnistimin e parave të krimit dhe të korrupsionit. Përkundrazi, ka të ngjarë që nga kjo amnisti të përfitojnë i njëjti grup që ka përfituar deri më tash nga prokurimet publike të drejtpërdrejta, nga PPP, nga lejet e ndërtimit që kanë shpërthyer me virulencë edhe më të madhe se Covid-19, nga rentat dhe lejet e shfrytëzimit të pasurive nën dhe mbitokësore të Shqipërisë, nga ligje si ai Investimeve Strategjike apo i Korporatës së Investimeve. Njëherësh, ose së bashku me ta, do mund të përfitojnë grupe njerëzish që kanë kryer aktivitete të paligjshme si narkotrafiku dhe që i gjejmë në themel të pushtetit të kësaj mazhorance, siç kemi parë në Dosjet 184 dhe 339, apo edhe të emëruar politikisht si deputetë, kryetarë bashkish, e drejtora gjithfarësh të cilët i humbën këto privilegje për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Shkurt, ky propozim i qeverisë, më shumë se për të formalizuar paranë e emigrantëve, duket sikur tenton të krijojë të tjera privilegje ligjore për kartelin politik dhe ekonomik që sundon këtë vend, të ngjashme me pastrimin e parave, për ato grupime që në fakt duhet t’i paguajnë shiptarëve principalin dhe jo të amnistohen me përqindje interesash.
Amnistia fiskale a nxit kulturën e mospagimit të taksave dhe a e dëmton kjo biznesin e ndershëm që deri tani ka qenë korrekt me detyrimet?
Patjetër. Aministia fiskale është deformim i ekonomisë së tregut, i konkurrencës. Përfitimet prej saj asnjëherë nuk janë të qëndrueshme siç janë përfitimet që vijnë nga konkurrenca e lirë. Mendoj se qeveria përpara se të merret me aministi fiskale, duhet të merret fort me raportin që ajo ka me biznesin. Kjo qeveri duhet ta trajtojë biznesin me respekt dhe përulje, të garantojë konkurrencën e ndershme në treg, jo t’i tregojë drurin atij duke favorizuar përqëndrimet dhe kartelet politike dhe ekonomike. Këto gjëra duhet të zgjidhë qeveria, dhe ato nuk zgjidhen me amnisti. Përkundrazi, zgjidhen duke bashkëpunuar me biznesin, Gjithashtu, nëse niveli i taksave do ishte konkurrues me Rajonin nuk do kishte arsye biznesi të bëhej informal dhe të kish nevojë për ndonjë amnisti.