Si u kthye qyteti i Krujës në vatrën e re të infeksionit 7 javë pasi kishte nisur karantina? Fasoneritë ku shpërtheu koronavirusi, një hapësirë me rreth 300 punonjës dhe pa kushte higjenike. Pronari: I kërkuam qeverisë që të mbyllte biznesin tonë, por nuk na ktheu përgjigje.
Në qytetin e vogël që shtrihet poshtë hijes së rëndë të Kalasë së Skënderbeut, ka rënë një qetësi e zymtë. Njerëzit janë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre. Koronavirusi ia ka dalë ta çajë fortesën e qytetit prej disa ditës duke lëshuar velin e hirtë rrugëve dhe duke i kyçur të gjitha dyert. Qyteti i Kalasë prej kohësh është kthyer në qytetin e guroreve që lëshojnë shtëllunga tymi rreth tij dhe të fabrikave të fasonerisë, ku qindra gra e vajza qepin këpucë apo rroba për një rrogë minimale në kufinjtë e 30 mijë lekëshit në muaj. Pikërisht në një fasoneri pranë fshatit Borizanë në Krujë nisi historia e re e epidemisë së koronavirusit në Shqipëri, pas 7 javësh që vendi ishte në izolim dhe situata po përmirësohej.
Që nga data 25 Mars kur u deklarua zyrtarisht i infektuari i parë në këtë qytet, për pak ditë numri i disafishua dhe më datë 23 Prill numërohen plot 72 raste të konfirmuara zyrtarisht me koronavirus, dhe pse shifra besohet se është shumë më e madhe, pasi një pjesë e mirë e familjarëve të punonjësve të fasonerisë nuk kanë bërë akoma testin edhe pse kanë shfaqur simptoma.
Vetëm gjatë ditës së djeshme edhe 7 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, ndërsa situata që raportojnë mediat në familjet e punonjësve të fasonerisë është e trishtë. Gratë që punonin nëpër fasoneri janë të sëmura në shtëpi dhe jetojnë me frikën se kanë infektuar pjesëtarët e tjerë të familjes, fëmijët apo gjyshërit, të cilët po ashtu kanë nisur të shfaqin simptomat e para të sëmundjes.
Dëshmitë që vijnë nga zona e prekur tregojnë për një mungesë të plotë të masave për parandalimin e sëmundjes dhe punonjësit rrezikuan shëndetin e tyre dhe të familjes për një pagë të vogël.
Një punonjëse e fasonerisë ku u përhap virusi pa dashur të identifikohet tha për emisionin “Open” se ishte e detyruar të kthehej në punë sepse rrezikonte të humbte vendin e punës.
“Ne ndaluam ca ditë, por më njoftuan se ose do vish në punë ose do të largohesh nga puna. Para një jave kanë qenë gratë sëmurë. Ne si fabrikë jemi mbi 300 veta. Sot i bëra analizat e kam vjehrrën me temperatutë 40, gocën po ashtu me temperaturë. Vetë jam me kollë”- tha ajo.
Ndërsa duke përshkruar kushtet e punës në fabrikë shtoi; “të mos kesh një sapun tek banjo. Kohët e fundit kanë sjellë. Është gabimi jonë që s’bëjmë denoncimin se jemi hallexhinj. Ne jemi të vegjël të vegjlit i shtypin kollaj”, u shpreh ajo duke u ndjerë e pafuqishme të kërkonte diku përgjegjësinë për atë që i ka ndodhur.
Pse nuk u mbyllën fasoneritë?!
Në fillim të Mars kryeministri Edi Rama urdhëroi mbylljen e shumë bizneseve duke nisur nga baret e restorantet, dyqane, qendra tregëtare, etj., por nuk mbylli aktivitetin e disa industrive, si ajo ndërtimit, fabrikat dhe minierat, me argumentin se kostoja ekonomike do të bëhej tepër e lartë. Por, gjatë kësaj kohe fasoneritë e lëna hapur nuk kanë arritur të krijojnë kushtet higjenike të kërkuara për të mos rrezikuar jetën e punonjësve, si largësia 2 metra mes punonjësve, maskat, dezifektatet, etj., duke sjellë në situatën e paralajmëruar që në fillim të epidemisë.
Në Krujë janë 12 fasoneri që kryejnë aktivitetin e tyre dhe administratori i njërës prej tyre, Hajdar Keçi, në një intervistë për News24 tha se i kanë kërkuar kryeministrit dhe Ministrisë së Financave të mbyllë me ligj fasoneritë, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Punonjësit i kam larguar dje nga puna përfundimisht. Pavarësisht kushteve të sigurisë dhe higjienës është diçka që nuk mund të ruhemi dhe i kam çuar në shtëpi. Kemi 208 punonjës të siguruar. 105 punonjës kam pasur aktualisht, një pjesë ka kaluar në asistencë, për një pjesë kemi kërkuar pagën e luftës në tatime, një pjesë kanë ndenjur se kanë fëmijët dhe një pjesë se kanë pasur frikë. Unë i kam të gjithë nga Kruja dhe fshatrat përreth. Duke parë situatën e vështirë të pandemisë që kishte hyrë në rrethina, vendosëm t’i kërkojmë kryeministrit dhe ministrit të financave të pezullohen për një kohë fasonët pasi ishin risk për t’u infektuar. Fasoneritë e Krujës marrin punonjës dhe nga poshtë dhe vijnë në punë me mjete të mbyllura që ishin të rrezikuara. Menduam t’i bëjmë kërkesë Kryeministrit për të na përfshirë në paketën e dytë ekonomike për të përfituar pagën e luftës. Deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Disa u mbyllën 10 ditë, disa 1 javë. I dhamë lejet e zakonshme paradhënie. I rihapëm sepse ishim të detyruar për punonjësit. Një pjesë i dërguam në asistencë. Nuk ka vendim që ne të mbyllemi. I kemi mbyllur vetë dhe nuk përfitojmë asgjë, as ne, as punonjësit tanë. Nuk mund ta përballojmë. Presim përgjigje për të mirën e të gjithëve. Situata në Krujë ka agravuar shumë”, deklaroi ai.
Ndërkohë Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka mbyllur dje 3 fasoneri në Krujë për shkak se disa prej personave të infektuar me Covid-19, punonin në këto fabrika.
Drejtoresha e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho, thotë se “në Krujë funksionojnë 33 fasoneri dhe ne i kemi bërë 66 inspektime.
“I kemi kontrolluar fasoneritë e Krujës dy herë. 6 fasoneri i kemi mbyllur. Edhe sot grupet e inspektimit janë në Krujë, dhe janë mbyllur 3 fasoneri të tjera”, thotë ajo.
Sipas saj, “në Shqipëri funksionojnë 762 fasoneri dhe ne kemi kontrolluar 626. Duhet që të kishin marrë masa dhe vetëm për fasoneritë ne kemi vendosur 33 gjoba dhe ndër to vetëm 14 janë për pezullim aktiviteti”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor po punojnë për një protokoll të ri kontrolli për fasoneritë dhe call center për shkak të numrit të madh të punonjësve që janë në këto subjekte.