Lorenc Vangjeli: Rama e Meta bënë gjënë e duhur në kohën e duhur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Të dy palët në këtë “shkëmbim” as fitojnë dhe as humbasin gjë, thotë analisti Lorenc Vangjeli për gazetën “Fjala”. Sipas tij kjo është një sjellje normale politike, ndërsa thekson se Meta e di se 2 Marsi nuk do të përsëritet më dhe se komisioni hetimor për shkarkimin e Metës është vetëm një teatër gjysëm qesharak sepse Rama nuk e dëshiron këtë gjë.

Pas një përplasje te gjatë institucionale Presidencë-Qeveri, por edhe personale Rama-Meta, kohwt e fundit, që me nisjen e pandemisë ka një afrim të dukshëm mes tyre. Ku kreu i shtetit Meta dekretoi ndryshimet në Kodin Penal. Pse ky ndryshim kursi?

Ky është rasti klasik që shpjegon sesi anormaliteti i përditshmërisë sonë është shndërruar në normalitet dhe anasjelltas. Që çdo akt e veprim normal ngjan si anormal. Çfarë ka ndodhur realisht që po bëhet kaq zhurmë, në mungesë edhe të një fabule tjetër politike për t’u diskutuar, sa kohë që vendi dhe gjithë bota janë nën flamurin e makthit të pandemisë? Maxhoranca voton një seri ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat kërkojnë të përshtaten figura të reja krimi në kushte të pazakonta. Një nga vendet e vetme në Evropë, që nuk i kishte këto ndëshkime.

Duhet t’i kishte bërë më parë sepse politika fundja këtë mision ka: të ketë vizion dhe të parashikojë. Në këtë rast, të shfletonte legjislacionin ekzistues të vendeve të ndryshme evropiane, që të mos gjendej në situatë emergjence. Por ky nuk është mëkat i ri. Të gjitha qeveritë shqiptare veprojnë në kushte emergjence. Kujtohen për shiun vetëm kur përmbyt. Për zjarrin, kur djeg, për tërmetin kur bie, për thatësirën kur i duhet të mbajë sytë nga qielli. Qeverisjet shqiptare, të majta e të djathta, vuajnë nga “Sindroma e Studentit”, që kujtohet për provimin në minutën e fundit. Presidenti i Republikës shfrytëzoi ndjeshmërinë publike, nevojën reale, kundërshtitë e grupeve të interesit dhe afroi një paketë propozimesh, të cilat u pranuan nga maxhoranca.

Dhe mbas kësaj, duke e konsideruar si të nevojshme ndërhyrjen në Kod, edhe e dekretoi. Kjo është mënyra normale e funksionimit të gjërave. Në jurisprudencë, shpesh procedura ka po aq vlerë sa dhe vetë produkti. Në këtë rast, në këtë kohë të jashtëzakonshme, hapësirat që politika ka për të lëvizur instrumentat ligjorë, janë në kufinjtë e normalitetit. Kritikët e të dy palëve u llahtarisën pikërisht nga kjo gjë: po bëhet politikë normale. Shqiptarëve në veçanti, por dhe njeriut në përgjithësi, ju nevojitet një armik i përbashkët për të qenë bashkë.

Pandemia është një armik i tillë. Tmerri qëndron në tmerrin që provojnë dhe promovon shumëkush nga kjo lloj “paqeje”. Të gjithë ata që duan sherr dhe ulërima, ata që varësisht ngjyrës politike që preferojnë, sugjerojnë se i mirë është luftëtari i llogores dhe jo bashkëbiseduesi, instiktivisht kuptojnë një gjë të thjeshtë: pikërisht paqja dhe toni i ulët, dialogu dhe jo armiqësia, janë kritere normale të politikës. Normaliteti i nxjerr jashtë loje dhe ju ul vlerën vetjake siç nuk e ngrenë atë, dinjitetin domethënë, b.ekët e k.rvës.

Nesër Meta do të kthejë sërish ligje dhe do ta konsiderojë Ramën si të keqen e madhe të vendit. Do të veshë kostumin e zakonshëm të luftëtarit dhe kundërshtarët e Ramës do ta kthejnë pështymën në supë që e hanë pasi ta kenë ngrohur sërish. Do ta quajnë atë si “burr’ zotni”, kurse miqtë e Ramës do ta quajnë vetë Metën si një fatkeqësi politike, do t’i kujtojnë komisionin e gjithë CV-në e tij kontaverse politike. Por kjo nuk ndryshon të vërtetën e thjeshtë të këtyre ditëve: të dy ata, Rama e Meta, bënë gjënë e duhur në kohën e duhur! Se çfarë ndodh më pas, është tjetër histori. As njëri dhe as tjetri nuk i kanë vënë veshin frazës fantastike që Sali Berisha i ka thënë ish-presidentit Ramiz Alia në vitin e largët 1989: “Kurrë mos thuaj kurrë”! Të katër këta personazhe, Alia më i hershmi, Berisha, Rama e Meta kanë gabuar pikërisht sepse kanë thënë kurrë!

A do të thotë kjo një tërheqje përfundimtare e mazhorancës për shkarkimin e Metës dhe në “kthim nderi” Meta nuk do organizojë një 2 Mars të dytë?

E shtruar në këtë mënyrë, siç dhe është diskutuar kaq gjatë këto ditë, më ngjan shumë skematike dhe si një “allishverish” periferie: të jap gjysëm litri raki, më jep një kilogram e gjysëm hudhra dhe dy copa djathtë. Nuk funksionon kështu. Të dy palët në këtë “shkëmbim” as fitojnë dhe as humbasin gjë. E thënë me fjalë të tjera, edhe nëse Meta nuk dekretonte ndryshimet në Kod, Ramës nuk i prishej asnjë punë. Thjesht do t’i shtonte një element më shumë diskutimit të tij publik kur do të rishfaqej edhe njëherë si njeriu që i duhet, jo vetëm të shpëtojë Shqipërinë nga hallet, por dhe që duhet shpëtuar nga Meta e të tjerët që nuk e lenë të qetë në rolin e tij të shpëtimtarit.

Lexo edhe :  Primaret e PD-së, Berisha i druhet “grupit Bardhi”

Presidenti nga ana tjetër e di që nuk ka një 2 Mars tjetër për një mijë e një arsye. As nën urat e Lanës nuk rrjedh dy herë i njëjti ujë. Asgjë nuk përsëritet në të njëjtën formë. Presidenti do të kishte bërë më mirë të kuptonte se ka beteja që fitohen duke u shmangur! Dhe se ka shkaqe betejash, të cilat kompromentohen pikërisht nga lloji i armëve që përdoren. Kurse kryeministri do të kishte bërë më mirë të mos digjte urat që i interesojnë për një trill batute. Të dy së bashku e dinë që komisioni hetimor është vetëm një teatër gjysëm qesharak për budallenjtë e ngeshëm. Gënjen e tall ata që ju duket e mençur pasqyra vetëm kur i dalin përballë për t’u krehur edhe në kohë pandemie. Për ta thënë ndryshe: njeriu më i painteresuar për shkarkimin e Metës si president, dje dhe sot, sot dhe nesër, është Edi Rama.

Kjo mund të jetë paqe e përkohëshme apo do kemi rikthim në gjendjen e mëparshme të tyre në betejën e hapur dhe përplasje të forta pas krizës së pandemisë?

Kush mendon se marrëdhëniet e Kryeministrit dhe Presidentit, janë marrëdhënie njerëzore gabon. Ato janë marrëdhënie interesi dhe pushteti. Rama dhe Meta, në çdo rast që interesi i pushtetit do t’iu kërkojë të sillen ndryshe, do ta detyrojnë në çast Edin dhe Ilirin që të ribëhen bashkë. Ata janë kuzhinierë të ngjalave, klientët që i porosisin dhe i hanë ato, janë tërësisht të tjerët.

Me kthimin e normalitetit do shfaqet domosdoshmërisht çështja e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese me anëtarët e tjerë. A pritet një “përplasje parimore” Meta-Rama, apo mund të ketë një marrëveshje që qeveria do mbajë “duart larg” kushtetueses, sidomos pas raportit paraprak të Komisionit të Venecias?

Në kohë të dëshpëruara, thonë se duhet të dëgjohet muzikë e gëzueshme, por në fakt, avazi i hershëm ballkanas: “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë e do të jetë”, do të luhet sërish në Tiranë. Pavarësisht se çfarë erërash fryjnë nga Venecia. Për ironi të fatit, në këtë rast, për ndryshimin vlen të besohet më shumë tek pandemia sesa “fisnikëria” përballë Kushtetutës në vend.

Një e vërtetë e thjeshtë që nuk e thotë askush: ajo që shqiptarët kanë vendosur me referendumin e nëntorit 1998, Kushtetuta që premtonte se “Këtu fillon e ardhmja”, ka vdekur. E kanë vrarë stinë mbas stine të gjitha ndryshimet kushtetuese që i kanë bërë të gjithë bashkë. Secili nga ta, Nano e Berisha, Rama e Meta e bashkë me ta, edhe një turmë larushe deputetësh, një shumicë e të cilëve, me inteligjencën e kalit të një karrocieri ezmer, i kanë vënë gozhdë të rënda arkivolit të Kushtetutës.

Zgjedhjet me gjasë për shkak edhe të pandemisë do të zhvillohen në vitin 2021, nëse ka normalitet dhe rikthim të “marrëdhënieve të mira” Rama-Meta, a mund të flitet edhe për një bashkëqeverisje mes tyre pas zgjedhjeve të 2021-it? Gjithnjë nëse blloku opozitar nuk arrin shumicën?

Parashikimi i vetëm për atë që ka gjasa të ndodhë, është që askush të mos vejë asnjë bast për parashikimin. Pandemia e bëri një gjë të tillë me pothuaj gjithçka që përbënte rutinën e jetës së shoqërisë njerëzore. Askush nuk mund ta zgjidhë këtë rebus të së ardhmes edhe nëse Rama do të ishte në këtë rast Abraham Linkolni, nëse Meta do të ishte Sharl de Goli apo nëse Lulzim Basha do të vazhdonte të ishte Lulzim Basha. Njeriu që fati i dha gjithçka në jetë, por duke i mohuar të vetmen gjë që ëndërron prej vitesh: zyrën e kryeministrit. Sepse fati ndihmon vetëm të fortët dhe rruga drejt tij shkon vetëm nëpërmjet kalvarit të sakrificës.

Të fundit

Edhe 40.7 mln € hekurudhës Tiranë Durrës, Opozita: Bie era korrupsion

Në komisionin e Punëve të Jashtme, u miratua një shtim huaje mes BERZH-it e qeverisë për rehabilitimin e hekurudhës...

“Kjo është e rrezikshme”, Trump urdhëron ngrirje për grantet dhe kreditë federale

Zyra e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë ka urdhëruar një pauzë për të gjitha grantet dhe huatë federale, duke ndikuar potencialisht në triliona në...

Akuzohet se liroi një oficer nga Libia të kërkuar nga Gjykata e Hagës/ Reagon Meloni

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se është vënë nën hetim gjyqësor pas një vendimi të qeverisë për të liruar një oficer policie libian...

Rita Ora shijon pushimet në Gold Coast të Australisë dhe vazhdon të shkëlqejë në karrierë

     Rita Ora po kalon momente të mrekullueshme në Gold Coast të Australisë, duke ndarë pamje nga pushimet e saj në Instagram. Në fotografitë e publikuara...

“Je turp i shoqërisë…”/ Përplasje të forta mes Gertit dhe Livias: Nuk je e denjë…

Tensionet mes Gertit dhe Livias në “Big Brother VIP 4” janë intensifikuar sërish gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar një atmosferë të nxehtë dhe...

Lajme të tjera

Web TV