“Bota kundër Covid-19”. Me iniciativën e Komisionit Evropian, krerët e shteteve dhe qeverive të Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Norvegjisë, së bashku me numrin një të Këshillit të Bashkimit Evropian, prezantojnë sot në Bruksel një plan bashkëpunimi global, për zhvillimin e një vaksine që eliminon koronavirusin .
Kjo lëvizje do të përfshijë shkencëtarë, industri dhe qeveri, organizata ndërkombëtare, fondacione dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor. Nisma do të bëjë bashkë në një konferencë donatorë të ndryshëm dhe synon të mbledhë të paktën 7,5 miliardë euro. Gazeta italiane “La Stampa”, publikoi dokumentin e udhëheqësve të BE-së, që fillon me një frazë të mikrobiologut francez Lui Paster, një prej shkencëtarëve më të mirë në histori, dhe “baba’ i vaksinave që kanë shpëtuar miliona jetë njerëzish në 3 shekujt e fundit: “Fati ndihmon mendjet e përgatitura”.
“Sot, ashtu si atëherë – shkruajnë drejtuesit evropianë – bota po lufton kundër një virusi tinëzar që ka përfshirë vendet dhe kontinentet, duke na u imponuar në shtëpitë dhe zemrat tona. Një virus që ka shkaktuar kaos dhe vuajtje në të gjithë botën, duke na privuar nga gjestet e afeksionit ndaj të dashurve tanë, nga kënaqësitë e vogla të përditshme, nga vizitimi i vendeve që duam. Këto sakrifica, së bashku me përpjekjet heroike të personelit mjekësor dhe shëndetësor, na kanë ndihmuar të rregullojmë kurbën e epidemisë në shumë pjesë të botës”.
Udhëheqësit evropianë shprehin shqetësimin e tyre për pasojat që koronavirusi mund të ketë në Afrikë: ”Ndërsa disa prej nesh po dalin me kujdes nga izolimi, të tjerët janë ende të izoluar dhe duhet të përballen me kufizime të rrepta në jetën e tyre sociale dhe të punës. Pasojat mund të jenë veçanërisht dramatike në Afrikë dhe në hemisferën jugore”- thuhet në deklaratë.
“Askush nuk e di me siguri se si do të evuluojë pandemia. Rreziqet janë të medha për të gjithë. Aaskush nuk është imun, askush nuk mund ta mundë virusin, dhe askush nuk do të jetë me të vërtetë i sigurt derisa të jemi të gjithë të sigurt, në çdo lagje, në çdo qytet, në çdo rajon, në çdo vend të botës. Në këtë botë të ndërlidhur, për të mbrojtur secilin prej nesh, duhet të mbrojmë njëri-tjetrin”- vijon më tej deklarata. Liderët europianë, theksojnë se kjo emergjencë shëndetësore “paraqet një sfidë të jashtëzkonshme globale, të papreçedentë”, e cila kërkon “të bëjmë gjithçka kemi mundësi për t’a fituar këtë betejë”. Dhe kjo sipas tyre do të thotë të bësh bashkë mendjet më të ndritura dhe më të përgatitura në botë, për të gjetur vaksina dhe terapi të nevojshme, me qëllim rivendosjen e shëndetit të planetit, duke forcuar në të njëjtën kohë sistemet shëndetësore që duhet të jenë të arritshme për të gjithë, veçanërisht në Afrikë. “Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë me të gjithë ata që ndajnë angazhimin tonë për bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne jemi të gatshëm të drejtojmë dhe mbështesim përgjigjen globale” – thonë udhëheqësit evropianë, të cilët shprehin mbështetjen e tyre për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe organizatat e tjera të ekspertëve si Fondacioni Bill dhe Melinda Gejts dhe “Wellcome Trust”.
Ata përfundojnë duke paralajmëruar se kjo do të jetë një “garë e gjatë”, por janë besimplotë për arritjen e qëllimit final: “Ne po përgatitemi për një maratonë. Nëse do të arrijmë të kemi një vaksinë për botën, do të jetë një e mirë publike unike globale e shekullit XXI. Së bashku me partnerët tanë, ne jemi të përkushtuar ta bëjmë atë të disponueshme dhe të arritshme për të gjithë. Kjo është detyra e gjeneratës sonë, dhe ne e dimë se mund ta bëjmë:duke bërë bashkë sot shkencën dhe solidaritetin, do të hedhim themelet për unitet më të madh nesër”- thonë udhëheqësit evropianë. Letra është nënshkruar nga kryeministri italian Zhuzepe Konte; presidenti francez Emanuel Makron; kancelarja gjermane Angela Merkel; presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel; kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.