Banka Botërore ka parashikuar dy skenarë me të cilët mund të përballet ekonomia shqiptare për shkak të pandemisë COVID-19. Gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e kësaj pandemie dhe mundësia e rikthimit të një vale të dytë.
Në skenarin e parë, rikthimi i shpejtë në normalitet, rënia ekonomike parashikohet të jetë 1,4%. Në skenarin e dytë kohëzgjatja e pandemisë është më e madhe, prandaj ekonomia shqiptare do të përballet me pasoja më të rënda.
Rritja e borxhit publik, rritja e detyrimeve të qeverisë për rindërtimin, rreziku i largimit të investimeve të huaja janë kërcënuesit kryesorë të ekonomisë shqiptare. Përparësia e vetme për ekonominë tonë është likuiditeti në sistemin e brendshëm bankar, i cili mund t’i lehtësojë rreziqet e menjëhershme të financimit.
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj një ngadalësimi të ekonomisë në Evropë. Një recesion i zgjatur i BE-së, në rast se pandemia vazhdon deri në vitin 2021, do të ndikonte në eksportet shqiptare, remitancat dhe investimet e huaja direkte. Ndërsa kërkesa e brendshme do të mbetej e ulët, nëse pandemia vazhdon. Rënia e ndjeshme dhe e vazhdueshme në sektorin e turizmit, e ndikuar përveç pandemisë edhe nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, do të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike.
Deri tani Banka Botërore ka angazhuar më shumë se 1,4 miliardë dollarë për të ndihmuar vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore të zbusin pasojat e COVID-19. Prej datës 2 prill 2020 janë miratuar nëpërmjet projekteve të reja në kundërpërgjigje të situatës së jashtëzakonshme rreth 490 milionë dollarë. Gjithashtu, po rishpërndahen, po përdoren ose vihen në dispozicion nga projekte dhe huadhënie ekzistuese deri në 925 milionë dollarë, përfshirë edhe financime të tjera shtesë, për t’i ndihmuar vendet në kundërpërgjigjen që po i japin situatës së COVID-19. Ky financim mbulon shpenzime për pajisje mjekësore, përfshirë kompletet e analizave mjekësore, aparatet e frymëmarrjes artificiale dhe ventilatorët, si dhe fuqizimin e kapaciteteve të sistemeve shëndetësore, përfshirë formimin e personelit mjekësor, krahas mbështetjes për mbrojtjen sociale të personave më të cenueshëm që preken nga COVID-19.
Disa vende të rajonit po zhvillojnë aktualisht diskutime me Bankën Botërore për projekte dhe mbështetje në të ardhmen, për t’i ndihmuar në trajtimin e efekteve të pandemisë.