Elvi Sidheri: Si i solla në shqip kryeveprat e letërsisë botërore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shkrimtar e shqipërues, Elvi Sidheri për gazetën “Fjala” ndan përvojën e tij si përkthyes i një serie veprash të cilat kanë pasur jo pak ndikim në botën letrare

 Nga Leonard Veizi

Padyshim, Servantes e Lorka janë dobësia e tij, por po aq ndikim kanë tek ai dhe Hemingway apo Dreiser. E megjithatë kjo punë nuk ndalet me kaq. Shqipërues nga disa gjuhë, Elvi Sidheri i lindur në Tiranë e diplomuar në Shkup, prej vitesh ka gjetur strehë në Prishtinë, duke u bërë në këtë mënyrë një shqiptar tredimensional, i cili e ka ndarë jetën pikërisht mes tre kryeqytete shqiptarësh. Shkrimtar e shqipërues i palodhur, këtë herë për gazetën “Fjala”, ai ndan përvojën e tij si përkthyes i një serie veprash të cilat kanë pasur jo pak ndikim në letërsinë botërore.

Elvi Sidheri

 Përkthyes apo shqipërues, cili është termi më i saktë dhe ku ndahen njëri nga tjetri?

Përkthyesi është një profesion më i gjerë sesa shqipëruesi. Përkthyesi ngërthen një gamë të larmishme përshtatjesh të këtij termi. Kemi përkthyes të shumëllojshëm, përkthyes simultanë, përkthyes në terren, përkthyes zyrtarë, përkthyes gjyqësorë, përkthyes si guida turistike, dikur pas zbarkimit amerikan në Japoni në Luftën e Dytë Botërore, thonë se përkthyesi personal i Gjeneralit Douglas MacArthur, pati luajtur një rol themelor në zbatimin e kushteve të paqes dhe pushtimit mes dy superfuqive të kohës. Shqipëruesi është më specifik, “homo literatus”, njeriu i mbrujtur në letërsi, gjuhësi e pasion letrar, që arrin ta përçojë sa më besnikërisht nga gjuha e origjinës në gjuhën e tij/saj mëmë, krijimin letrar përkatës në gjuhë të huaj, duke mos ia humbur tiparet e mirëfillta, as përmbajtjen e frymën krijimit origjinal, aq më pak versionit të shqipëruar, në gjuhën shqipe, siç vetëkuptohet.

Cila është vepra që ju ka lodhur më shumë?

Kanë qenë disa syresh, ndonëse nuk mund të pohoj që me ndonjë nga veprat që kam përkthyer/shqipëruar, e kam pasur vërtet të lehtë. Si parim, përkthim/shqipërim të lehtë nuk ka, për shkak të nuancave pafund që nënkupton përkthimi letrar, gjuhësore, kulturore, mendësore, historike e kohore, mes të cilave “noton” vazhdimisht përkthyesi/shqipëruesi, duke u orvatur të sintetizojë më të mirën në përkthimin përfundimtar, ndryshe më mirë mos t’i hyjmë kësaj pune neve që e bëjmë. Ndërkaq, shqipërimi i Profetit të Kahlil Gibran, sidomos, për shkak të gjuhës tejet pjellore të përdorur nga autori në këtë kryevepër madhore të tij e të letërsisë botërore, jo vetëm të shekullit XX, të shkruar qëllimisht me një gjuhë në suaza biblike, një anglishte klasike shumë të pasur e tingëlluese, plot sinonime e gurgullimë gjuhësore, padyshim ky përkthim më ka “lodhur”, më ka shtyrë të synoj skajet e njohurive të mia gjuhësore, duke ma ndezur sakaq ëndjen shqipëruese në përmasa të pahasura gjer atëherë. Gjithashtu edhe përmbledhja me poezi “E Kthyera”, e poetes dhe artistes të njohur pamore braziliane Laura Erber, me origjinë nga Rio De Zhaneiro, ka qenë një sipërmarrje thuajse rraskapitëse në shqipërim, për shkak të karakterit introvers të poetes dhe poezisë së saj të ndryrë mes pamores e shprehjes së ndërthurur midis syrit e ndjenjës poetike, krijim disashqisor.

Lexo edhe :  Kanellë me dioksid squfuri në Shqipëri/ BE jep alarmin: Është e rrezikshme

Cila është ajo vepër që mendoni se keni bërë maksimumin e mundshëm?

Sërish mund ta përmend Profetin e Kahlil Gibran, si shqipërim ku e ndiej, fatmirësisht këtë gjë e kam të konfirmuar edhe nga lexuesit, që kam dhënë maksimumin, duke sendërtuar një urë krejt të natyrshme mes origjinalit dhe shqipërimit, duke iu afruar sa më shumë mendimit parësor të autorit, e shmangur “ndikimet” e shndërrimet e tepërta përmes kalimit në një gjuhë tjetër, shqipes në rastin tonë, po edhe duke e harlisur veprën, falë përparësive, veçorive gjuhësore e fjalorit të pasur të shqipes. Gjithaq, kam pasur kënaqësi të veçantë të shqipëroj nga origjinali në spanjisht “Shtëpia e Bernarda Albës” të García Lorca, si dhe tre novela të rralla të mjeshtrit Miguel de Servantes, shkëputur nga “Novelas Ejemplares”, Novelat e Shkëlqyera të atit të letërsisë spanjolle. Nuk mundem mos të përmend të paharruarin Frédéric Mistral, nobelistin e Letërsisë të vitit të largët 1904, nga i cili kam shqipëruar poezitë e vëllimit Les Olivades, Ullishtet në shqip, duke ndërthurur gjuhën e tij mëmë provansale, dhe frëngjishten, me vetëdijen se provansalishtja në ditët e sotme përballet me rrezikun e zhdukjes, ndërsa poeti i këndon pikërisht ringjalljes së saj, duke na kujtuar fort edhe gjendjen e shqipes në atë kohë, që falë Kongresit të Manastirit, rilindasve, shpalljes së pavarësisë në 1912, shpëtoi nga fati i trishtë i gjuhës provansale.

Nga cila letërsi jeni ndikuar më shumë, spanjolle apo franceze?

Është një pyetje e mençur që mund të ketë shumë përgjigje, po përmbledhtas, si shkrimtar e përkthyes, e ndiej se kam më shumë ndikim nga mjeshtrit amerikanë apo anglezë të letrave, nga Mark Twain te Ernest Hemingway, Theodore Dreiser e Graham Greene, po edhe gjermanë, Lion Feuchtwanger e Erich Maria Remarque, spanjollë, hispnanikë e luzofonë, spanjolli Miguel de Unamuno, kiliani i madh Pablo Neruda dhe brazilianët Carlos Drummond de Andrade, Vincius de Moraes.

Si i shikoni përkthimet letrare sot, a vijnë ato në një shqipe korrekte?

Nevojitet të pranojmë se gjatë monizmit, brenda suazave të censurës letrare të kohës, përkthimet që bëheshin ishin të paarritshme, sidomos unë që jam rritur me përkthimet e mahnitshme të Robert Shvarc (që duket nga disa prej autorëve që kanë lënë gjurmë në ëndjen time letrare, të shqipëruar prej tij), po edhe puna e patëmetë me redaktim e korrektim letrar. E njëjta gjë vlen për vitet 30 të shekullit XX, ku kishte më tepër mund e përkushtim ndaj mirëqenies së gjuhës shqipe në letërsi. Ndërsa sot, përkthimet letrare (ndër)varen nga cilësia e tregut të librit, po fatmirësisht ka plot kolegë përkthyes e botues të përkushtuar, që bëjnë të pamundurën që lexuesve t’u ofrohen përkthime të një niveli të padiskutueshëm. Nuk mungon pasioni, dashuria për gjuhën shqipe dhe profesionalizmi. Ashtu siç ka raste abuzimi gjuhësor, përçudnimi të gjuhës shqipe, dërrmimi gjuhësor, dukuri që theksohet në media, televizione, rrjete sociale e botime online.

 

Intervistoi: Leonard Veizi/ Fjala/

Të fundit

SPAK i ka tmerruar të gjithë, si majtas ashtu dhe djathtas!

Nga Spartak Ngjela Korrupsioni i një qeverie që e kthen të gjithë administratën në strategjinë shtetërore është një aktivitet antikombëtar,...

“Na dal Jezusi shqiptar”/ Deda plas keq ndaj Gjestit: Mungesa e shkollimit bën të veten

Gjatë mbrëmjes së djeshme teksa u surprizua nga një dhuratë, një bluzë e stampuar me figura të njohura të historisë shqiptare, Gjesti bëri një deklaratë...

Papa Françesku në gjendje delikate, Meloni e viziton në spital: Bëmë shaka si gjithmonë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka vizituar Papën Françeskun në poliklinikën Gemelli të Romës. “Jam shumë e lumtur që e gjeta të vetëdijshëm. Bëmë shaka...

Trajneri Kovac ul me “këmbë në tokë” Dortmundin: “Asgjë nuk ka mbaruar ndaj Sportingut”

Borusia Dortmund do të përballet me Sportingun ditën e sotme, duke nisur nga ora 18:45. Trajneri Niko Kovac ofroi një përditësim të skuadrës përpara...

Kokalari: Chris LaCivita nuk është MAGA dhe nuk mund të sjellë MAGA-n në Shqipëri

Evi Kokalari ka reaguar mbi artikullin e ‘NY Times’, ku kanë folur Chris LaCivita dhe Berisha. Personi që do të drejtojë fushatën e PD e...

Lajme të tjera

Web TV