Një vit i vështirë për gazetarinë dhe lirinë e fjalës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Muhamet Jahiri

Demokracitë shemben aty ku kërcënohen mediet, aty ku censurohet fjala e lirë dhe aty ku gazetarët shihen si armiq dhe jo si mbrojtës të interesit publik. Dikë e pengojnë mediet se thonë të vërtetën, dikë e pengojnë sepse janë të lira në punën që bëjnë, e dikë e pengojnë sepse nuk i përmbushin idetë e tij.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, mediet dhe gazetarët i ka gjetur në front me pandeminë globale të COVID-19, ku sipas një organizate ndërkombëtare me seli në Gjenevë, 55 gazetarë kanë vdekur nga infektimi gjatë raportimit nëpër zona të ndryshme të botës. Kjo e dëshmon edhe kësaj radhe fisnikërinë e këtij profesioni dhe sakrificat e mijëra gazetarëve nëpër botë, që krahas mjekëve dhe policëve, po japin një kontribut të jashtëzakonshme në shërbim të informimit të publikut.

Megjithatë, në këto ditë kur synohet ngritja e vetëdijes për rëndësinë e lirisë së shtypit, gjendjen e gazetarisë në Kosovë dhe gazetarët i gjen në një situatë të brishtë e të atakuar në forma të ndryshme. Ditë më parë njëra nga gazetat online në Kosovë u gjend nën sulmet brutale kibernetike dhe shumë të tjera u sulmuan vazhdimisht në këtë formë. Kjo është goditje dhe sinjal i qartë i kërcënimit të gazetarisë online dhe medies së lirë, në një kohë kur e gjithë vëmendja e publikut është pikërisht tek ato, në mungesë të atyre të shtypit.

Gjatë këtyre ditëve janë kërcënuar me jetë e janë fyer shumë gazetarë, janë linçuar medie dhe është përdorur një gjuhë brutale ndaj tyre, kryesisht përmes rrjeteve sociale, duke nxitur gjuhën e urrejtjes, dhe duke mos dhënë askush llogari për një gjë të tillë. Demokracitë shemben aty ku kërcënohen mediet, aty ku censurohet fjala e lirë dhe aty ku gazetarët shihen si armiq dhe jo si mbrojtës të interesit publik.

Avancimi i teknologjisë dhe përdorimi masiv i rrjeteve sociale i ka bërë të gjithë pjesëmarrës në komunikimin dhe diskutimin publik, dhe shumë herë në mënyrë të padrejtë, në qendër i kanë pasur linçimet për medie dhe gazetarë, duke e shfrytëzuar këtë mundësi  që u ka ofruar teknologjia për t’u shprehur.

Këto sulme ndaj medieve dhe ky komunikim i degraduar në rrjete sociale ka ndikuar në polarizimin e një mase të shoqërisë, në gjykimin dhe gjuhën e vrazhdë të përdorur ndaj medieve. Këtë e ka ndihmuar edhe fenomeni i lajmeve të rreme, që duke shfrytëzuar rrjetet sociale në mënyrë të pandërgjegjshme e kanë cenuar seriozisht lirinë e shprehjes, i ka dëmtuar mediet kredibile, si dhe ka ndikuar në deformimin e mendimit publik. Kjo është e vërteta.

Lexo edhe :  Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

Gjithashtu ka pasur tendenca që mediet kredibile të jenë në qendër të kritikave, pikërisht  në emër të kinse luftimit të lajmeve të rreme, dhe në emër të mbrojtjes së kauzës së drejtë. Prandaj sot, përmes grupeve të ndryshme, sidomos në rrjete sociale, përmes faqeve të rrejshme dhe jokredibile, organizohen individë kundër lirë së shprehjes dhe lirisë së medieve, duke e marrë përsipër vlerësimin profesional dhe gjykimin publik.

Liria e medieve është e garantuar me aktet më të larta të shtetit të Republikës së Kosovës. Megjithëse është keqkuptuar në disa raste, ngjashëm me keqkuptimet ndaj teknologjisë që po keqpërdoret për shkak të mundësive që i ka ofruar shoqërisë. Në këtë ditë të shënimit të Lirisë së Shtypit, të gjithë duhet të bëjnë maksimumin për ta mbrojtur fjalën e lirë dhe medien e lirë.

Një media e lirë është pasuri për shoqërinë dhe rojë për demokracinë. Situata e medieve në përgjithësi u keqësua edhe gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Për dallim nga shumë vende perëndimore që gjetën forma dhe module për t’i mbështetur mediet nga fondet emergjente, në Kosovë dhe disa vende të rajonit mediet u injoruan duke e vështirësuar realizimin e punës së tyre profesionale në përmbushjen e misionit të tyre.

Shumë gazetarë kanë mbetur të pa punë sikurse edhe punëtorë nga sektorë të ndryshëm, ndërkaq ka edhe të tilla media, që e kanë larguar nga puna shumicën e stafit të tyre. Institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë për mediet. Ato duhet t’i shohin dhe t’i konsiderojnë si partnere në luftën e përbashkët ndaj së keqes dhe aleate ndaj të mirës së vendit.

Institucionet e Kosovës në këtë ditë të shënuar për lirinë e shtypit duhet të punojnë më tepër për të krijuar siguri për gazetarë, liri për shtypin dhe fjalën e lirë, si dhe ndëshkim për gjithë ata që i pengon fjala e lirë dhe e drejta për t’u informuar.

*Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës

Të fundit

Pesë këshilla që duhet të zbatoni nëse dëshironi të keni gjumë cilësor dhe të qetë

Nëse keni vështirësi për të fjetur ose zgjoheni shumë herët, filloni me këto pesë zakone të thjeshta të shëndetshme...

“Nuk ka karta për të luajtur”/ Trump akuzon Zelensky-n si pengesë për paqe

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për qëndrimin e tij ndaj Krimesë, duke e quajtur atë një pengesë serioze...

U gjobitën nga BE me 700 milionë euro, Apple dhe Meta “bëjnë rezistencë”: E padrejtë

Bashkimi Evropian urdhëroi gjigandët e teknologjisë Apple dhe Meta që të paguajnë së bashkuë një shumë pre 700 milionë euro. BE lëshoi një gjobë prej...

Premtimi i PS për pasaportën evropiane/ Integrimi mund të përmbyllet brenda dy vitesh!

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njëherazi kandidat për deputet në listën e hapur të Partisë Socialiste në Tiranë, deklaroi në një...

Kryeministri francez në telashe/ E bija boton librin ku rrëfen dhunën që pësoi në shkollë

Vajza e kryeministrit francez ka pohuar se është dhunuar në një shkollë dhe që babai i saj akuzohet se e ka injoruar gjatë kohës...

Lajme të tjera

Web TV