Siguria ushqimore duhet të jetë pjesë e sigurisë kombëtare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

-Bllokada ruse e grurit/ Në Shqipëri rrezikohet rritja e çmimit të bukës!

Ish-ministri i Financave, ekspert i ekonomisë, Arben Malaj, në një analizë për gazetën “Fjala”, thekson se rasti i pandemisë së koronavirusit na dha disa leksione e një ndër to është edhe ai për sigurinë ushqimore të vendit që, sipas tij, duhet të jetë pjesë e strategjisë së sigurisë kombëtare.

Nga Arben Malaj

Kriza është një mundësi shumë e mirë për të mësuar dhe për të rritur aftësinë për të parandaluar krizat e ardhshme, për t’i menaxhuar më mirë, më shpejt dhe me kosto më të lehtë.

Kriza  financiare e 2008-s na mësoi si të përdorim më shumë instrumente të politikave monetare e fiskale për t’u rikthyer në gjendjen e parakrizës. Kriza e Covid-19, përveç pjesës shëndetësore, ka leksione të rëndësishme se si mund të  ndërtohen më mirë dhe si duhet të mbërrijnë më shpejt paketat sociale dhe paketat pro biznesit tek të papunët, të varfrit, te bizneset, nga ato individuale deri te bizneset e mëdha.

Por nga kriza Covid-19  vjen një mësim  i vyer që duhet të mbahet parasysh nga politikëbërësit e vendit tonë dhe duhet të punohet  me vizion. Gjatë krizës u vu re nga disa shtete bllokimi i eksporteve të pajisjeve mjekësore dhe i maskave, pikërisht në kulmin e pandemisë, duke dëmtuar sigurinë shëndetësore të vendeve të prekura nga pandemia. Vendi që u godit më shumë ishte Italia. Bllokimi i eksporteve të pajisjeve mjekësore  nga vende të BE-së dëmtoi shumë kredibilitetin e saj, sepse u cënua solidariteti në kohë krize. Zgjidhja erdhi kur vendet e prekura i’u kthyen prodhimit vendas për të eliminuar mungesën e pajisjeve mjekësore. Ato angazhuan kompani vendase dhe lehtësuan krizën, sepse  situata  përkeqësohej dhe pa pajisjet e duhura, nuk do të përmirësohej dot. Ky leksion vlen për risqet potenciale të krizave ushqimore.

Gjatë pandemisë u vu re që Rusia, Turqia, Serbia dhe disa vende të tjera filluan të vendosnin bllokimin e njëanshëm të eksporteve. Bllokimi i eksporteve krijon pasoja jo të lehta në ekonomitë e tyre, por ka liderë që në kohë krizash kërkojnë të rrisin profilin e tyre publik me mesazhin që vendi ka përparësi. Kjo është një shkëputje e njëanshme  e zinxhirit të shitjeve të mallrave dhe të shërbimeve, e cila krijon kosto, pasi zgjerohet kriza e mungesës së ushqimeve në shumë vende të botës. Ky vlerësohet një risk në rritje  në të ardhmen e afërt. Kështu, në këtë aspekt është e dosmosdoshme që pjesë e strategjisë së sigurisë kombëtare të jetë edhe siguria me ushqime. Në këtë aspekt duhet të studiojmë me përgjegjësi se cila është sasia e rezervave 3-mujore apo 4-mujore që duhet të sigurojmë për çdo rast të një situate kritike, të krijuar nga krizat e shkëputjes së hallkave në zinxhirin global të shitjes së mallrave dhe shërbimeve. Krizat nuk duhet të na gjejnë të papërgatitur në aspektin ligjor,  institucional dhe operacional. Hartimi i kësaj strategjie të sigurimit me ushqim është e dosmosdoshme dhe mund të ketë mënyra të ndryshme për ta ndërtuar dhe për ta bërë efektive në raste kritike. Ne jemi një vend importues, në drithëra, sheqer, oriz, në vaj e mish etj. Në raste bllokimesh të njëanshme ekonomia jonë mund të preket lehtë dhe mund të përballet me mungesa të ushqimeve. Situatat e krizave shoqërohen në goditjen e parë nga rritja e panikut,  njerëzit u drejtohen blerjeve të mëdha për   krijimin e rezervave ushqimore, duke rritur artificialisht kërkesën për këto mallra. Kur të gjithë kërkojnë të blejnë në kushte paniku në të njëjtën kohë dhe të njëjtat mallra, çmimet e tyre rriten shumë shpejt dhe shkojnë shumë lart. Rruga më e mirë do të jetë bashkëpunimi eksperteve me  studiuesit për të llogaritur disa variante të afateve potenciale të bllokimit të importeve tona dhe sasinë e produkteve që na duhet sipas tri opsioneve alternative. Në bazë të kësaj llogariten  rezervat ushqimore që nuk është e thënë të jenë vetëm në rezervat shtetërore. Ato shumë mirë mund të jenë në gjendje teprice në magazinat e kompanive më të mëdha të importit, duke aplikuar lehtësirat fiskale siç janë magazinat doganore, ku detyrimet doganore dhe tatimore paguhen jo në momentin e importit, por të shitjes, parim ligjor ky për çdo lloj magazine doganore.

Lexo edhe :  Alternativa berishiane e mosbashkimit të opozitës

Lidhur me pyetjen tuaj, a mund të rriten çmimet, kërkohet edhe një lloj solidariteti.  Në Amerikë, në dyqanet e mëdha për mallrat më të kërkuara, u kërkohej blerësve  që për artikujt kundër Covid-19 të blinin vetëm një copë, që të mos mungonin për të tjerët. Manaxhimi i krizave psikologjike në situatë paniku më shumë se nga  rregullat burokratike duhet të vijë nga solidariteti njerëzor. Situatat e veçanta kanë dhe menaxhim të veçantë, për një listë të caktuar dhe për periudha të caktuara bazuar në të dhënat disavjeçare të vetë biznesit, mund të vendosen çmime tavan dhe të racionohen sasitë. Melina Gates, bashkëshortja e Bill Gates, tha se kishte marrë furnizime me ushqime për 3 vjet, duke qenë se kishte frikë nga një pandemi që mund të ndodhte. Në rastin e strategjisë së sigurisë me ushqime bëhet fjalë për rezerva disamujore, bazuar në konsumin e vendit dhe të menaxhuara si pjesë e rregullave të sigurisë kombëtare për furnizimin me ushqime.Nuk është se aktualisht kemi një situatë kritike, por duke parë riskun që pandemitë mund të jenë më të shpeshta, duke parë se paqartësitë për menazhimin e tyre vijojnë disa muaj dhe duke parë se liderë autoritarë aplikojnë bllokime të njëanshme  të eksporteve dhe krijojnë probleme kritike te vendet që importojnë.  Po t’u shtojmë këtyre edhe faktin se për shkak të fatkeqësive natyrore ka rënie të produktivitetit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, që janë bazë të ushqimeve të përditshme, është e detyrueshme, që jo vetëm të studiohet opsioni i rezervës, por  ndoshta mund të ketë nevojë për politika për produkte alternative që zëvendësojnë produktet që mund të mungojnë për shkak bllokimeve të njëanshme. Po kështu, diversifikimi i partnerëve tregtarë është një politikë e mirë për manaxhimin e krizave.

-Si do të ndikojë në Shqipëri bllokimi i eksportit të grurit nga Rusia?! -Adrian Civici

-Bllokada e grurit, Haxhiymeri: Shqipëria siguron 80 % të nevojave të saj nga Rusia

Të fundit

Konferenca e Solidaritetit Islamik/ Veliaj pret Sekretarin e ISSA dhe presidentin e KOKSH

Në mbyllje të konferencës së Shoqatës Islamike të Solidaritetit Sportiv (ISSA) që u zhvillua për herë të parë në...

VIDEO+FOTO/ Ambasada e Shqipërisë në Kiev dëmtohet nga sulmet ajrore të Rusisë

Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e...

E PREMTE “E ZEZË”/Gjithçka kthehet “përmbys” për këto tri shenja të horoskopit

Dashi Pas një periudhe jo shumë të begatë, sot problemet do mbarojnë dhe do e shihni me më shumë optimizëm të ardhmen. Nëse keni një...

12 gjëra që duhet të bëni natën e Vitit të Ri, për një vit më të mbarë

Merrni një puthje mesnate Mund të duket sikur puthja e dikujt në mesnatë është një mënyrë për të treguar gëzimin tuaj për vitin e ri....

Përplasja fizike me Flamur Nokën, reagon Shehaj: Opozita po mban në pushtet mazhorancën

Depueti i PD-së, Agron Shehaj  ka reaguar sërish pas sherrit me sekretarin e PD-së, Flamur Noka me të cilin pati edhe një përplasje fizike...

Lajme të tjera

Web TV