Fiorentina ende në “darën” e coronavirus, pozitiv 6 të tjerë

3 futbollistë dhe 3 anëtarë të stafit tekniko-sanitar janë pozitiv me Covid-19

Fiorentina nuk e ka larguar dot ende emrin e saj nga harta e skuadrave të prekura nga pandemia e coronavirus. Klubi “viola” që ishte tronditur fillimisht nga raste pozitive të lojtarëve më të spikatur si Cutrone, Pezzella e Vlahovic, e që tani fatmirësisht janë shëruar, kishin një ditë të ngjeshur me teste dhe tamponë, dhe nga rezultatet dolën 6 persona të tjerë pozitiv.

“Për shkak të kontrolleve në laborator ACF Fiorentina komunikon se identifikoi 3 futbollistë dhe 3 anëtarë të stafit tekniko-sanitar që janë pozitiv me Covid-19. Ekipi ynë ashtu siç e kërkon protokolli, ka ndërmarrë izolimin e 6 personave të infektuar” thuhet në njoftimin e skuadrës nga Firenze.

Në kontrast me klube të tjerë, Fiorentina ka diktuar privacinë e futbollistëve së pari duke mos i zbuluar emrat, ndërsa programi i radhës parashikon të tjera teste. Sipas klubit, futbollistët dhe stafi i prekur, nuk kanë simptoma dhe shpresojnë se do të ndjekin  gjurmët e të shëruarve Vlahovic, Cutrone e Pezzella.