Dy vite më parë piktori Maks Velo, që u nda sot nga jeta, vendosi të bëjë publike gjithë dosjen e tij hetimore të dënimit nga komunizmi.
Në dosje dolën emrat e familjarëve dhe miqve të tij piktorë, që e kishin denoncuar. Në intervistën dhënë për gazetaren Alda Bardhyli mbi këtë dosje ai shprehet se i vjen keq se asnjëri prej tyre nuk i kërkoi falje dhe pse ai kishte kaluar një pjesë të jetës sime përkrah tyre.
DOKUMENTI NR. 3.
Në dokumentin nr. 3, Milto Jorgji flet për bisedat që ju bënit me Edison
Gjergon, këshillat për pikturat abstraksioniste që i jepnit … Ai flet dhe
për një franceze, së cilës i keni dhuruar dy portrete. Nëse hidhemi pas
në kohë, cili ka qenë raporti juaj me Jorgjin? I kujtoni këto pasazhe që
ai i tregon?
Shoqëria e artistëve, në të gjitha kohët e në të gjitha vendet ka qenë e
hapur, se nuk kanë çfarë të fshehin. Letërsia, muzika, piktura, skulptura nuk
janë subversive. Dhe unë, megjithëse rrija i vetmuar, më pëlqente të diskutoja
për veprat apo autorët. Personazhi Milto Jorgji, me sa më kujtohet, ishte
zbatues i skenave në Teatrin Popullor, vinte dhe ulej kur ne bisedonim, njeri
pa vlera, por mesa duket me vlera negative si informator. Po më kujtohen, i
kam biseduar te Klubi i Lidhjes, aty ku sot është Teatri Eksperimental.
DOKUMENTI NR. 4.
Gertruda, si e kujtoni raportin me të?
Në fundin e viteve ‘20 filluan të vijnë në Shqipëri gratë e para të huaja,
martuar me studentët që ktheheshin në atdhe, kishte italiane, austriake,
gjermane, franceze, kroate, më vonë ruse. Nuk analizova periudhën e
pushtimit osman, kur shqiptarët martoheshin me ballkanase.
Këto gra krijuan bërthama të vogla qytetërimi perëndimor dhe ashtu
në heshtje ndihmuan shumë në ecjen përpara të Shqipërisë drejt Europës.
Shumë nga ato u sakrifikuan për këtë, Zyraka Mano u pushkatua në gjyqin
e Maliqit.
Më kujtohet mamaja e Pjetër Rodiqit, austriake, si na priste ne shokët
e Pjetrit, Robert Shvarcin, Gim Tartarin, mua. Por ajo që nuk e harroj
kurrë ishte sjellja e saj me jevgjit. Në oborrin e madh, poshtë shtëpisë,
ishin një familje jevgjish.
Në çdo festë ajo iu çonte ëmbëlsira, shoqëruar me buzëqeshjen e saj. Por sigurisht jo të gjitha ishin kështu. Pata fatin e keq të kisha vjehërr Gertrudën, e cila ishte anormale. Kjo kuptohet nga dokumentet që i ka ofruar Sigurimit. Si ajo, si vajza e saj, u bënë agjente.
Kishin miqësi me Nevzat Haznedarin. Për librin që flet ajo nuk di gjë. Libri
nuk m’u paraqit as në hetuesi, as në gjykatë.
DOKUMENTI NR. 6
Genc Hajdari duket se ka pasur raporte të rregullta kundër jush që në
vitin 1973. Ai flet për miqësinë tuaj me Hektor Dulen dhe një prishje të
kësaj miqësie …
Po nuk di çfarë të komentoj këtu, dokumenti flet vetë. Më duket sikur
këta kanë qenë në një shkollë spiunazhi dhe jo për artistë. Kjo gjë ka për
bazë edukimin familjar.
DOKUMENTI NR. 8
Pse është gjithë ky shqetësim i Gertrudë Buheckes?
E kam vështirë të komentoj. Dokumenti flet vetë se çfarë ishte Gertruda
dhe e bija. As nuk e kam qëlluar ndonjëherë. Ajo shkruan: “Madje edhe ime
bijë më thotë se po ‘qe se do t’i ndodhë ndonjë gjë Maksit, dije se kam për
të të zhdukur ty’. Ime bijë madje më ka goditur mua …” etj., etj. Si mund
të jetoja me to? Të dyja ishin agjente. Sigurisht që është gabimi im që u
nxitova, pa e njohur mirë u martova me Luçianën.
DOKUMENTI NR. 9
Edison Gjergo flet në hetuesi kundër jush? Në një tjetër dokument
më poshtë tregohet qartë se Gjergo ju ka denoncuar.
Ai ka thënë hapur se “Maks Velo më ka thënë se piktura nuk ka asgjë të përbashkët me
letërsinë, piktura nuk duhet të shpjegohet me fjalë, ajo duhet të jetë e
pavarur, sepse kuptohet vetëm nga një numër i caktuar njerëzish.
Ai më ka cituar mua citate të ndryshme të filozofëve të huaj si Kamy etj., dhe më
ka frymëzuar në rrugën time armiqësore që kisha filluar në krijimtari”.
E gjykon sot Edison Gjergon?
Gjergo ishte piktor me të dhëna, por ishte njeri i dobët. Kur u arrestua,
u rekrutua. Këto vërtet ia kam thënë atij, por nuk kishin asnjë frymëzim
armiqësor. Arti nuk duhet të ketë armiq. Arti i realizmit socialist, ashtu si
diktatura, i krijonte armiqtë vetë, në mënyrë imagjinare. Arti duhet të ketë
vetëm miq. Çfarë kisha ia thashë kur ishim në kamp, më pas i preva të gjitha
marrëdhëniet me të.
DOKUMENTI NR. 14.
E njihni burimin? Në këtë dokument raportohet për miqësinë që ju
keni pasur me grupin e liberalëve, të cilët u dënuan nga Enver Hoxha,
mes të cilëve dhe Fadil Paçrami. Çfarë ndodhi realisht me këtë grup dhe
pse u godit nga shteti?
Sipas asaj që është shkruar duhet të jetë Dhimo Gogollari. Është Plenumi
i 4-t që goditi Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën.
DOKUMENTI NR. 17.
Jeni në Ndroq dhe flisni për Pikason … Si i merrnit informacionet,
pasi biseda juaj me operatorin nënkupton piktorin shqiptar Gjon Mili, i
cili ka pasur miqësi me Pikason …
Kjo bisedë është bërë me Llambi Bidon. Po unë lexoja çdo libër, çdo
revistë që vinte në Shqipëri. Isha i informuar.
DOKUMENTI NR. 22
Në këtë dokument ju deklaroni se “revolucioni kultural mori fund në
vitin 1976”. A ka pasur vërtet përpjekje për një revolucion kulturor gjatë
komunizmit?
Bëhet fjalë për Kinën, ku vërtet u zhvillua një revolucion kulturor.
DOKUMENTI NR. 29
Kujtim Buza … Çfarë të ka lënduar më shumë kur hape këtë dosje?
Që kam kaluar një pjesë të jetës sime përkrah këtyre njerëzve. Asnjëri
nuk ka kërkuar falje.
A duhet të ketë një ndarje mes artistit dhe njeriut, pasi në dosjen tuaj
shohim shumë emra të njohur të artit që kanë qenë bashkëpunëtorë … A
duhet të ketë ndikim kjo në mënyrën sesi ne e shohim artin që ata kanë
bërë?
Duhet të mos ketë ndarje mes artistit dhe njeriut. Kjo teorikisht.
Realisht ka ndarje. Jo vetëm mes artistëve dhe njeriut, por midis të gjithë
profesionistëve dhe njeriut. Kjo vjen sepse ne i idealizojmë artistët. Artisti
është tjetër gjatë procesit të krijimit dhe tjetër kur është jashtë tij. Për
më tepër se artistët janë me probleme psikike apo të karakterit. Artistët
zakonisht jetojnë në një botë irreale, absurde, fiktive, shpesh të krijuar
nga vetë ata. Artist dhe njeri me karakter të fortë janë pak. Unë pak kam
njohur.
Aktekspertimi i kryesuar nga Buza, analizon rreth 246 piktura të
ndryshme dhe 73 punime në dru. Bëjnë përshtypje nudot apo siluetat
femërore … Erosi bëhet më i fortë në totalitarizëm?
Po sigurisht erosi në totalitarizëm bëhet më i fortë, më i lakmuar, më i
ëndërruar, si çdo gjë që është pakicë karshi kërkesës. Femrat nuk ishin ato
që janë sot. Paraqitja e bukurisë dhe ofrimi i dashurisë mësohet, atëherë
nuk lejoheshin. Ndiheshin keq, edhe femrat edhe meshkujt. Akti seksual i
afrohej praktikës së kafshëve. Diktatura donte vetëm pjellje pa demonstruar
hiret e trupit femëror.
DOKUMENTI NR. 45
Luçiana. Çfarë menduat ku dëgjuat në gjyq dëshminë e saj?
Dëshminë e saj e kisha dëgjuar në mbledhjet e lagjes, në hetuesi. Është
çudi se si transformohet femra, çfarë urrejtje ka përbrenda. Ajo nuk diti të
ruajë dinjitetin e saj. E përdorën e bënë vegël të Sigurimit.
MAKS VELO, JETË PARALELE 243
DOKUMENTI NR. 48
Safo Marko. Emri i saj del shpesh në raporte të Sigurimit mbi
shkrimtarët dhe artistët. Do të doja t’ju pyesja mbi historinë tuaj me
të, por nga ana tjetër do të doja të nënvizoja faktin që Marko ka një
kontribut në historinë e kopertinave të para të librit shqip. Si duhet të
qëndrojë në histori ky kontribut?
Nuk ka ndonjë histori timen me piktoren Safo Marko. I kam admiruar
artistët dhe shkrimtarët tërë jetën. Safo ishte një grua e bukur, e zgjuar,
e lexuar, shumë e aftë profesionalisht. Është një çudi se si ajo grua ra
aq poshtë. Mendoj se do të ketë pasur ndonjë goditje psikike mbi një
traumë të vjetër. Edhe sot e vlerësoj artin e saj. Ka kontribut jo vetëm
në kopertinat e para, por në të gjithë ecurinë e grafikës, pllakatit dhe
ilustrimit në ato vite. Kishte një vizatim perfekt. Mahnitesha nga kapja që
ajo i bënte motivit të pllakatit. Pa dyshim është një nga pllakatistet më të
mira të të gjithë lindjes komuniste. Sot duhet ta shohim si një kontribut
të jashtëzakonshëm. Sot nuk ka një grafiste femër si Safo Marko, nuk e di
a do të ketë!
Në raporte del shpesh emri i Odile Daniel, francezes me të cilën duket
se keni pasur një histori dashurie. Ne e kemi lexuar historinë të rrëfyer
sipas Sigurimit të Shtetit, por historia juaj për të cila është?
Odile Daniel është një studiuese e gjuhës shqipe dhe përkthyese. Ato vite
ishte një person që luajti një rol në jetën time. Më vonë kjo mori fund. E
falënderoj që më ktheu 32 punimet në vitin 1992. Më hollësisht kam shkruar
për të në librin “Kohë antishenjë”.
E kujtoni kohën kur ju arrestuan? Si mund ta përshkruani kaq vite
më pas?
Po e kujtoj ekzaktësisht. Besoj se të gjithë që janë arrestuar njëherë e
kujtojnë. Them NJËHERË, sepse të burgosurit e vjetër (që ishin arrestuar
dy ose tri herë) më thoshin se nuk të bën më atë përshtypje si herën e
parë. Më duket normale. Si puna e martesës. Kush është martuar për
herë të dytë nuk e ka pasur atë gëzim si herën e parë. Kurse arrestimi
i parë është shumë tronditës. Është një ndarje e jetës me botën. Me
244 ALDA BARDHYLI
atë botë dhe jetë që ke jetuar përpara. Marrin fund shumë gjëra, çelen
probleme të reja, një jetë krejt e panjohur dhe jo e lumtur. Nuk di ç’të
pret. Komunizmi në përgjithësi ishte sistemi i pasigurisë, i të papriturave.
Por burgosja ishte ekstremi i pasigurisë. Pastaj ajo që ishe e veçantë në
burgosjet komuniste, ishte se Ti nuk përgjigjeshe vetëm për veten, por
për të tjerët. Do të përgjigjeshe për të afërmit e tu. Kjo ishte më e rënda.
Arrestimi ishte një ndarje totale me të kaluarën dhe një bashkim me një
periudhë që do të vinte. Periudhë që do të vazhdonte deri në vdekje. Një
vdekje për së gjalli. Është si një vijë e drejtë me tush që mbyllet me një
rreth. Pastaj do të jesh brenda rrethit. Përgjithmonë. Po tani që u bënë
kaq kohë, e që ai arrestim është një film i largët, nganjëherë mendoj se
pati edhe anë të mira. Më saktë mund të quhen të dobishme. Pati nga ata
që lindën dhe vdiqën brenda komunizmit, si në një kuti kartoni. Nuk
e kuptoja atëherë atë nënqeshje dinake që vijëzohej në fytyrat e tyre që
kishin jetuar përpara në Europë. Ata sikur na thoshin: “Ju të mjerë nuk
e dini ç’është lumturia … qoftë edhe për një çast”. E kuptova mbas vitit
1992 kur shkova për herë të parë në Paris në qytetin ku kisha lindur.
Brezi ynë e kishte një detyrë të madhe, por po të mos hyje në burg, këtë
detyrë nuk mund ta realizoje plotësisht. Kjo detyrë ishte të përshkruaje
kuçedrën. Dhe në përralla kuçedrën e njohin vetëm ata që futen te shpella
e saj. Shpella e kuçedrës ishte burgu. Mendoj se po të mos kisha bërë
burgun nuk do të kisha shkruar ata libra që kam botuar. As cikli i madh
me VIZATIME MBI DIKTATURËN nuk mund të ishte bërë. Jam i gëzuar
që së fundi po vlerësohen në botë lart nga personalitete të shquara. Nuk
mund të shpikësh dhembjen as torturën, as vuajtjen. Janë këto që krijojnë
laboratorin e shenjave.
“Megjithëse ishte mesditë biruca ishte e errësuar … Jashtë binte shi
dhe qielli ishte nxirë …” Është kjo një fjali e marrë nga romani juaj
“Hetimi”, një roman mbi periudhën e burgut. Ku ju çon në kujtesë?
Biruca e parë është e tmerrshme. Është e përgatitur për të bërë përshtypje,
për të të thyer, është një nga mjetet e torturës psikologjike. Aty janë të
regjistruara të gjitha vuajtjet e tërë atyre që kanë kaluar aty, përpara teje, për
një periudhë të gjatë apo të shkurtër. Më vonë edhe mësohesh, por ditët dhe
javët e para në birucën e parë janë të paharrueshme. Komunizmi për mua
ka simbol atë, birucën. Është si një top i zi në kujtesën time. Kam bërë një
MAKS VELO, JETË PARALELE 245
vizatim të mrekullueshëm “Biruca”, që është një nga më të mirat në “Ciklin
e Burgut”.
“Gjithë jetën kisha një lloj ndjesie, atë të poshtërimit që më bënte
shteti, por asnjëherë si këtu … Këtu nuk kishte kthim prapa. Shteti
komunist nuk dinte të falte apo të kërkonte ndjesë …”, shkruani ju…
Gjithë jeta ishte një përballje me komunizmin. Ishte një sistem i
çuditshëm, vazhdonte të degradohej, të rrënohej dhe nuk kishte kthim
mbrapa. Aq e vërtetë sa ne ishim të fundit, pasi kishin rënë tërë shtetet
komuniste, u dorëzua dhe yni.
Poshtërimin e kishte në sistem. Aty ai i provonte karakteret. Kush
pranonte poshtërimin edhe mund të vazhdonte të jetonte. Më shumë
romani është një përballje me veten time.
E kujtoni shkrimin e parë në birucë? Si lindi nevoja për të shkruar?
Në birucë nuk kishe mundësi të shkruaje. Dy ditë para daljes në gjyq,
hetuesi Dhimitër Shkodrani më dorëzoi aktakuzën dhe më dha një fletë letër
dhe një laps të vogël 5 cm, me të cilën supozohej se do të bëja mbrojtjen.
Në birucë nuk kam shkruar. Kam ndier, kam përjetuar, kam menduar. Ç’do
gjë e shkrova pas 1989-s. Por në realitet shkrimet ishin bërë gati që atëherë.
“Spaçi” është një tjetër roman juaji mbi periudhën e kaluar në një
nga kampet më të njohura të torturës komuniste. Si e keni shkruar këtë
libër?
Tregimin e parë e kam botuar në gazetën “Republika” më 1991-shin. Isha
akoma punëtor në Abraziv. Pastaj vazhdova të botoj te RD-ja tregime të
shkurtra, të gjitha nga Spaçi. Së fundi i përmblodha në një libër të vogël
“Palltoja e burgut”, që u botua më 1995-n nga shtëpia botuese “Letrat”. Janë
50 tregime. Kristjane Monteko i përktheu në frëngjisht dhe shtëpia botuese
“Lampsaque” i botoi në vitin 1998 në Paris. Pastaj kam botuar edhe tregime
“Thesi i burgut”, “Phoenix”, 1996; “Kostumi i martesës”, “Onufri” 2002;
dhe së fundi “Historia e një cope guri”, “Sejko”, 2006. Të gjitha këto janë
përmbledhur në dy librat “Hetimi” dhe “Spaçi”, botime të “55”-s.
246 ALDA BARDHYLI
Jeni një ndër autorët që ka shkruar më shumë mbi periudhën e burgut,
duke vendosur si në një telajo të vërtetën përtej hekurave … Ishte letërsia
një domosdoshmëri për ta thënë këtë të vërtetë?
Po, letërsia ishte një domosdoshmëri. Më parë nuk më kishte shkuar
në mendje se mund të shkruaja. Më mjaftonin arkitektura, piktura dhe
studimet. Por pas burgut ndjeva një nevojë të papërmbajtshme për t’i
shkruar ngjarjet, po ashtu bëra edhe me ciklin e madh “Burgu” me 100
vizatime. Edhe tani kam mbledhur disa ngjarje, më ndihmon shoku i Spaçit,
Cesk Drangu, ai ka kujtesë të jashtëzakonshme.
Ka shumë përcaktime sot mbi letërsinë e shkruar në burg … Ju si e
shihni rolin e kësaj letërsie?
Ka rol shumë të rëndësishëm. Është një letërsi specifike që lind nga
një kohë e caktuar. Duhet të kemi parasysh se ka dy lloj letërsie burgu.
Është letërsia e krijuar nga Viktor Hygo me Zhan Valzhanin dhe Kozetën,
që përshkruan burgjet ordinere. Është edhe letërsia që lindi si rezultat i
diktaturave të shekullit XX pas rënies së komunizmit dhe nazizmit. Kjo
merret me burgjet politike dhe kampet e internimeve.
Dostojevski tregonte se i duhej një lloj distance nga koha e kaluar
në burg për të shkruar librat mbi atë periudhë. Sa e rëndësishme është
distanca në këtë lloj shkrimi?
Po, është e domosdoshme që të seleksionosh detajet, të zbutësh urrejtjen
dhe ta vendosësh ngjarjen në një kontekst global.
Kështu e ka arti dhe letërsia. Çuditërisht koha u jep një patinaturë tjetër.
Besoj se koha duhet të jetë midis pesë deri 10 vjet mbas ngjarjeve, se pastaj
emocionet zbehen.
A ka një lloj disidence në letërsinë e shkruar gjatë asaj periudhe?
Kjo pyetje është shtruar shumë herë. Ishte e pamundur, vetëm Kadareja
me “Pallatin e ëndrrave” mund të quhet një disidencë. I çuditshëm është dhe
një rast i veçantë, ai i Engjëll Çobës që shkruan “Kujtimet e burgut” në atë
periudhë, pasi del nga burgu më 1975-n, dhe që u botuan vetëm tani vonë.
MAKS VELO, JETË PARALELE 247
E keni rrëfyer burgun përmes vargjeve dhe prozës … A ka përfunduar
ky rrëfim te ju?
Po, sigurisht, tani janë bërë mbi 30 botime, sigurisht jo të gjitha mund t’i
quash vepra letrare, por dobia e tyre është e jashtëzakonshme, sepse krahas
dokumenteve që po botohen është krijuar edhe kjo që ju e quani fraksion.
Nga ndryshon letërsia e shkruar në burg nga ajo që bëhej jashtë tij …
Letërsi të shkruar në burg ka pak. Të sqarohemi, vetëm në burgjet
ordinere lejohet të shkruash dhe kanë lindur disa shkrimtarë në Francë
dhe në SHBA. Letërsia jonë e burgut është shkruar pas ’90-s. Po marrim
në analizë këtë. Ndryshon në atë që shumica e autorëve me të mbaruar ato
kujtime nuk shkruajnë më, nuk dinë të bëjnë letërsinë e zakonshme, sepse
kjo lloj letërsie ka lindur nga vuajtja dhe nga një jetë e caktuar. E gjitha
është e vlefshme si dokumentacion edhe e atyre që dinë të bëjnë letërsi edhe
e atyre që nuk dinë të bëjnë. Besoj se e gjitha kjo do të mbetet si letërsi e
burgut nën diktaturë. Besoj se kjo tani e ka zënë vendin e vet në letërsinë që
është bërë në këto vitet e tranzicionit.
Historia e artit dhe kulturës gjatë regjimit komunist mbart ende
shumë mistere dhe pikëpyetje mbi protagonistë të kohës. Vitet e fundit
janë botuar libra me kujtime, autobiografi apo studime mbi atë periudhë.
Sa objektive do t’i vlerësonit këto përpjekje?
Nuk ka se si mund të ishte ndryshe. Historia e diktaturës në Shqipëri u
ushqye dhe u mbajt gjallë edhe nga një masë e madhe shkrimtarësh dhe
artistësh. Nuk ishte i kotë dhe pa arsye zhgënjimi që bota perëndimore
pati nga vonesa dhe zgjatja e jetës së regjimit në prag të nëntëdhjetës. Të
mësuar me zgjedhën e gjatë osmane ishim çmësuar me lirinë. Varfëria dhe
injoranca janë sindromat e zgjedhave. Enver Hoxha e pati disi të lehtë të
krijonte mitin e tij. Ndihmuan shumë shkrimtarët dhe artistët. Lidhja ishte
organi i ngarkuar për këtë. Sidomos pas 1973-shit, Dritëro Agolli si kryetar
dhe Kujtim Buza si sekretar bënë një punë të madhe për këtë. Tani të gjithë
duan të lajnë duart. Prandaj botojnë kujtime. Këto kujtime kanë shumë pak
objektivitet dhe vërtetësi. Më shumë janë si fiksione. Edhe një herë tregojnë
veten. Por harrojnë se një ditë (sado që të shtyhet kjo ditë) dosjet do të
248 ALDA BARDHYLI
hapen. Arti pa moral është anije e mbytur në liman. Detyra e parë dhe më e
lartë e artit është edukimi moral. Popujt perëndimorë i ka edukuar feja dhe
arti.
Duke qenë se ju jeni një ndër të atakuarit nga sistemi komunist, si e
keni parë raportin mes artit dhe politikës në atë periudhë dhe si mund të
lexohen sot veprat e krijuara në atë kohë?
Është një detyrë e vështirë. Gjithë problemi qëndron te gjenialiteti.
Gjithmonë ka pasur gjeni që kanë koinçiduar me periudha diktatoriale.
Gjenitë e zgjidhin në mënyrën e tyre. Po marr Shostakovicin dhe Kadarenë.
Secili e ka zgjidhur ndryshe. Kam marrë dhuratë të 15 Simfonitë e tij
dhe po i dëgjoj shpesh. Shostakovici ka në muzikën e tij, një tragjizëm të
panjohur dhe të paarritur asnjëherë më parë në muzikën simfonike. Aty
është tragjedia e komunizmit botëror. Kadareja ishte shumë më i sofistikuar.
“Pallati i ëndrrave” është pallati i kongreseve të partisë, i pesëvjeçarëve, i
dëlirit socialist dhe i varfërisë ekstreme. Pallati është tërë kampi socialist.
Guximi i tij është për t’u vlerësuar lart. Raporti që Dritëro Agolli mbajti
në dënimin e librit është fytyra e vërtetë e Dritëroit dhe jo shprehjet e
tij babaxhane “e mo” … Përse nuk tha edhe aty “… e mo se nuk ka bëre
gjë Kadareja, një libër ka shkruar…?”. Kam një përçmim dhe përbuzje
për artistët dhe shkrimtarët që shartohen në politikë. Kur vetë artisti ose
shkrimtari bëhet politikan, “territori i vogël i lirisë” kthehet në “territor
të vogël diktatorial”. Këta shkrimtarë dhe artistë sëmuren nga sindroma
e madhështisë dhe bëhen më të këqij se zyrtarët. Ata dinë të godasin më
mirë shokët e tyre. Dritëroi nuk mund të jetë edhe shkrimtar edhe patriark
i Partisë Socialiste. O njëra o tjetra. Këta shkrimtarë apo artistë politikanë
bëjnë një lojë të dyfishtë. Publikut, kur nuk i u mjafton vlera artistike i
imponohen me titujt politikë. Dhe politikanëve u imponohen me vlerat e
dyshimta artistike. Mjafton të thuash në Kuvend “Tanket mbi Vlorë” … dhe
jeton 15 vjet (bashkë me djemtë).
Pse nuk kemi ende sot një histori në versionin zyrtar të asaj çfarë ka
ndodhur me artin dhe kulturën gjatë komunizmit?
Nuk mund ta kemi, nuk do ta kemi edhe për 50 vjet akoma. Nuk e shihni se
si duan të manipulojnë historinë tonë të dhembshme nën sundimin osman?
Tani tërë protagonistët janë gjallë. Dosjet nuk janë hapur. Dokumentet
kryesore të Lidhjes nuk gjenden. Tërë këto kujtime duan të falsifikojnë.
Është domethënëse një fakt. Në vitin 1994, piktorët Hasan Nallbani dhe
Sotir Capo, shkojnë në Galerinë e Arteve në Berat, marrin portretet e Enver
Hoxhës, bërë prej tyre, por të blera nga shteti dhe i djegin. Në vitin 2000 i
propozova drejtorit të Galerisë, Abaz Hados, dhe së bashku me studiuesen
Suzana Varvarica ngritëm një muze në natyrë (në kopshtin e Galerisë) me
vepra të vogla (buste, torse, monumente). U bë edhe ndriçimi. Reaksioni i
autorëve ishte i papritur për mua. Të gjithë nuk e donin dhe bënë çmos deri
sa e prishën.
Nuk duan asnjë alibi. Por asnjëri deri më sot nuk ka dorëzuar titujt dhe dekoratat që ka marrë me ato vepra. Asnjë shkrimtar, kineast,
piktor apo skulptor.
Pastaj që të shkruhet historia e artit ose e letërsisë duhet të detektohen plagjiaturat. Ka shumë në muzikën e lehtë, atë simfonike, në skulpturë, pikturë, poezi etj. Këtë nuk ka historian dhe studiues që ta bëjë. Arti duhet patjetër të jetë origjinal. Si vetë njeriu. Nuk ka njeri kopje. Kopja, plagjiatura nuk ka vlerë.
Po si mund të mbrohet e drejta e autorit, kur shteti stimulon ndërtimet pa leje duke i legalizuar. Kemi 400 000 ndërtime pa leje. Ky është treguesi. Kjo është historia më e rëndë, po këtë kush do e shkruajë? Përderisa ne sillemi me natyrën dhe territorin në këtë mënyrë,
çfarë t’i thuash një artisti se vjedh një melodi dhe shkon në Eurovizion …?
Letërsia e burgut, ku ju jeni një ndër autorët që e ka lëvruar, është një
tjetër temë shumë pak e prekur në letrat shqipe. Si e shihni këtë letërsi,
dhe a është prekur ajo nga plagjiatura?
Kujtime për burgjet, kampet dhe qendrat e internimit të viteve 1945 –
1990, kanë shkruar rreth 30 autorë ish të burgosur apo të internuar. Letërsi
kanë bërë pak. Janë katër ose pesë. Megjithatë nuk do ta quaja një prurje
të paktë. Po të shohim letërsinë e burgut në Rusi, emra të njohur botërisht
janë po kaq. Dhe Rusia pati miliona të burgosur dhe të internuar. Dhembja
nguroset në pak duar. Më pëlqejnë Lek Tasi, Zef Pllumi, Fatos Lubonja. Për
mua nuk ka ditur të shkruajë Pjetër Arbnori, meqenëse përmendet shpesh.
Më ka çuditur gjithmonë fakti që Kasëm Trebeshina dhe Arshi Pipa nuk
kanë shkruar për burgjet e tyre. Nuk di si ta shpjegoj. Kjo për më tepër se
ka pak, shumë pak për kampet e para, e kam fjalën për Maliqin. Mitrush
Kutelin nuk e fajësoj dot se ish shumë i trembur. E mbaj mend kur vinte
në klubin e Lidhjes. Ulej me kujdes me një buzëqeshje plot mirësjellje që
nuk i ndahej kurrë.
Sikur i falej dhe falënderonte JETËN që e la të jetonte.
Në qetësinë dhe heshtjen e tij shprehej tmerri që kishte kaluar. Po Arshi
Pipa iku, ish në Amerikë, ish i lirë … përse nuk shkroi. Mos ishte një nga
pikat e paktit që pati me Sigurimin që e nxori jashtë …? Nuk bisedoi për
librin me POEZI … poezia nuk jep të vërtetën, është një aludim, një perde
filtrimi, jo një dokument. Vetëm proza është dokument. Mbi poezinë nuk
betohesh, mbi prozën duhet të betohesh. Jam nga të parët që fillova të
shkruaj letërsi burgu që më 1991-shin, nuk kisha as një shembull. Botova
tregime të shkurtra. Tani gjithsej janë afro 80 tregime, skica dhe ese. Jam
munduar të jem i drejtë, i vërtetë dhe i paanshëm, si me të burgosurit e
ndershëm, si me spiunët dhe me operatorët e diktaturës. Se ka dhe diktaturë
të falsitetit, të gënjeshtrës dhe të mburrjes pa meritë. Shembull unikal është
Engjëll Çoba, është i vetmi që, si ka dalë nga një burg i gjatë shkroi kujtimet,
por gjatë kohës më të egër të diktaturës. Është shembull i rrallë guximi dhe
ndershmërie. Ata që përbuz janë falsifikatorët, se ka edhe të tillë, madje
edhe të mirënjohur. I shkruajnë sot dhe thonë i kemi shkruar në burg me
mend . Çdo letërsi është e prekur nga plagjiatura. Sidomos kjo lloj letërsie.
Se është i vështirë, kontrolli mbi të … E di si m’u përgjigj një ish i burgosur
shkrimtar kur i thashë se ke marrë nja 20 ngjarje nga libri im: “Po dhe unë
isha aty”, më tha. Mjafton të qenët aty në kohën që ishe edhe ti, që atë ata
ta justifikojnë për ç’do gjë që marrin, megjithëse i kisha të botuara. Letërsia
është gjetje, si gjetja e kryqit ditën e ujit të bekuar në lumë. Të tjerët mund
vetëm ta puthin kryqin.
*Biseda me Alda Bardhylin në fund të librit “Jetë Paralele” të Maks Velos, botim i UET-Press 2018