Jeta e tij akademike është për t’u pasur zili. Doktor Shkencash, Profesor dhe Akademik – ai i kishte marrë thuajse të gjithë titujt e mundshëm si shkencëtar. Ishte anëtar i disa akademive të rëndësishme. Ndërkohë në jetën sportive ai kishte qenë peshëngritës e arbitër i këtij sporti, president i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes dhe mbajtës i urdhrave olimpikë.
Nga Leonard Veizi
Të vdesësh ditën e lindjes në rastin më ekstrem mund të quhet si një “çudi e përfillshme” jo fort ngushëlluese, por gjithsesi e pranueshme. Sepse jeta dhe vdekja, edhe pse të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, gjithsesi, janë skaje të papajtueshme. E nëse Krijuesi ka vendosur që të ikësh në të njëjtën datë kur dhe ke lindur, vetëm se me një gjatësi kohore prej 72 rrotullimesh të Tokës rreth Diellit, ose të ka pasur me sy të mirë, ose të ka ndëshkuar. Por kjo e dyta nuk merret shumë për bazë, nëse Ai të ka dhënë të gjitha mundësitë që në këtë jetë të jesh dikushi, madje shumë më tepër se kaq…
…Nuk është se kuptohej mirë se për çfarë shquhej më shumë Gudar Beqiraj, si një peshëngritës me nam që jetën ia kushtoi sportit, apo si një matematikan klasi, jeta e të cilit u nda në mënyrë të barabartë mes sportit dhe shkencës. Me një përvojë 45-vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në universitetet e Shqipërisë, ai njihej edhe si pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet ‘80. Ky po, është dualitet i çuditshëm. Sepse jemi mësuar rëndom të dëgjojmë se njerëzit e sportit nuk para ia thonë për shkencat ekzakte, dhe më keq se kaq, studiuesit e zellshëm të algoritmeve matematikore, mezi vrapojnë të kapin autobusin urban në stacion e jo më të konkurrojnë për peshat e rënda në peshëngritje apo në boks, në rastin më të padëgjuar.
Në datën 11 maj 2020 Gudar Beqiraj do të mbushte 72 vjeç. Sepse kishte lindur 11 majin e vitit 1948. Dhe i mbushi në fakt. Vetëm se disa orë më vonë e njëjta ditë gëzimi do të kthehej në ankth. Ai u largua nga kjo botë, sepse u sulmua nga një atak që në gjuhën më të thjeshtë u cilësua si një “sëmundje e papritur”. Ishte i fortë fizikisht, por si çdo njeri, kishte pjesën e dobët të tij, ndaj nuk i rezistoi dot sulmit që u përqendrua pikërisht në segmentin më pak të mbrojtur të trupit të tij. Dhe pas këtij fakti kokëfortë, të cilin duhet ta pranosh dhe kur nuk do ta pranosh, do apo nuk do, bëhet dhe bilanci i shkurtër për atë çfarë ke dhënë dhe çfarë ke marrë në 72 vitet e jetës.
Jeta akademike e Gudar Beqirajt është për t’u pasur zili. Doktor Shkencash, Profesor dhe Akademik, përmbi të gjitha, ai i kishte marrë thuajse të gjithë titujt e mundshëm si shkencëtar. Dhe ishte anëtar i disa akademive të rëndësishme. Ndërkohë në jetën sportive ai kishte qenë po aq i suksesshëm, si peshëngritës e arbitër i këtij sporti, president i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, por dhe mbajtës i urdhrave olimpikë. Pra, në një farë mënyre ishte i ngopur, nga ajo çfarë i kishte dhënë asaj dhe nga ajo çfarë kishte marrë gjithashtu.
I kishte të gjitha mundësitë që për shkak të arritjeve dhe detyrave të rëndësishme që ka ushtruar gjatë aktivitetit të tij si nëpunës i shtetit, të tregohej fodull e arrogant. Por ai ishte më se i thjeshtë dhe çdo derë të zyrave ku ka punuar e drejtuar do t’i mbante hapur për këdo. Dhe kjo donte të thoshte që para se të ishte një rekordmen në peshat e rënda, dhe po aq rekordmen në fushën e matematikës së aplikuar, së pari ishte NJERI.
Në jetën shkencore
Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Është specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë, si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë. Më 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali. Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë. Në vitin 2003 i akordohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Më 2012 është bërë anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.
Kontributi i tij shkencor përfshin: Pjesëmarrjen në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë (1987). Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë (1988). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera, Pribram, Çekosllovaki (1989). Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK (1990). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekosllovaki (1991). Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. (2002-2007). Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit (2007).
Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme, si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia etj.
Përvoja e tij profesionale është shumë e gjatë dhe e pasur. Në vitet 1971-2003 ka qenë matematikan në INIMA dhe në 1993 Drejtor i INIMA-s. Në vitet 2007-2009 dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në UPT dhe në 2009-2013 Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 2017-2018 Drejtor i Shkollës Doktorale, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe në 2018 e në vazhdim rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Jeta sportive e shoqërore
Ka një përvojë 45-vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në universitetet e Shqipërisë dhe si pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet ’80.
Përveç kontributeve në fushën shkencore, ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore.
Në vitet 1967-1974 ka qenë peshëngritës në ekipin “Studenti”.
Në vitet 1975-1982 u titullua arbitër kombëtar në peshëngritje.
Ndërsa në vitin 1982 mori titullin e arbitrit të kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje.
Në vitet 1992-2000 President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
1996-2000 Zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
1993-vazhdim Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care” Albania.
2004-vazhdim Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”.
2003-vazhdim President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminalë të diagnostikuar me kancer.
2008 Çmimi Personalitet i Vitit, akorduar nga Bashkia e Tiranës.
2016 Medalje e Artë për kontributin 50-vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes.