SHBA-të akuzojnë Kinën për vjedhje të punës kërkimore për vaksinën kundër Covid-19

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Prej muajsh, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për një rritje të sulmeve kibernetike gjatë pandemisë së koronavirusit, por nuk kishin akuzuar një vend të caktuar.

Tashmë që po përshpejtohet gara globale për një vaksinë për koronavirusin dhe hakerët po përqendrohen tek puna kërkimore shkencore për këtë qëllim, zyrtarët amerikanë po përgatiten të veçojnë një vend të hershëm kundërshtar në kibernetikë – Kinën.

Në një deklaratë të përbashkët që pritet të qarkullohet në ditët në vazhdim, FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare pritet të akuzojnë publikisht Kinën se po përpiqet të vjedhë punën kërkimore amerikane për vaksinën, kurat dhe testet për koronavirusin.

Tad Bradshaw, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Redpoint Cybersecurity”, njëkohësisht anëtar i grupit të punës të Departamentit të Sigurisë Kombëtare për shkëmbimin e hershëm të informacionit, e konfirmoi gjatë një interviste të hënën paralajmërimin e planifikuar.

“Mendoj se është gjëja e duhur”, i tha Zërit të Amerikës zoti Bradshaw. “Është një lëvizje politike për të drejtuar publikisht gishtin ndaj qeverisë komuniste kineze dhe për ti deklaruar botës se ata po përpiqen në mënyrë aktive të vjedhin teknologjinë amerikane”.

FBI-ja nuk dha komente. Departamenti i Sigurisë Kombëtare gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar.

Krahas Rusisë, prej kohësh Shtetet e Bashkuara kanë përmendur Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin si vende-origjinë kryesore të sulmeve kibernetike, dhe kanë akuzuar Pekinin për vjedhjen e pronësisë intelektuale amerikane në përpjekje për të siguruar avantazhin në konkurimin me Shtetet e Bashkuara.

“Çfarë gjëje tjetër bën Kina? Më thoni”, u shpreh Presidenti Donald Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet për njoftimet ku aludohej se Kina vodhi punën kërkimore për vaksinën.

Akuzimi publikisht i Kinës se përpiqet të vjedhë punën kërkimore për vaksinat për COVID-19 pritet të rrisë tensionet mes Pekinin dhe Uashingtonit ndërsa administrata Trump vazhdon të fajësojë për pandeminë Kinën, vendin nga ku filloi, për shkak se nuk veproi me shpejtësinë e duhur për të paralajmëruar vendet e tjera dhe për të bllokuar përhapjen e koronavirusit.

Deklarata e FBI-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare pason një paralajmërim të përbashkët të bërë javën e kaluar nga zyrtarë amerikanë dhe britanikë të kibernetikës. Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kibernetike dhe Sigurinë e Infrastrukturës (CISA) dhe Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike të Britanisë thanë se po hetonin një numër incidentesh me kompani farmaceutike, organizata kërkimore mjekësore dhe universitete.

“Organizatat e përfshira në kërkime për COVID-19 janë objektiva tërheqëse për… (hakerët) që kërkojnë të marrin informacion për përpjekjet e tyre kërkimore medicinale për COVID-19”, thuhej në deklaratën e agjensive.

Kërkimi i ethshëm për një vaksinë COVID-19 po zhvillohet në disa vende të globit. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) aktualisht po ndjek tetë vaksina në fazën e vlerësimit klinik, duke përfshirë dy në Shtetet e Bashkuara dhe katër në Kinë. Këto janë në krye të një liste me të paktën 100 kandidatura për vaksina në fazën e vlerësimit paraklinik në të gjithë botën.

Lexo edhe :  Nëndetëset që po dërgon Trump afër Rusisë, mund të mbajnë afërsisht 160 koka bërthamore

Për Kinën, aftësia për të prodhuar me shpejtësi një vaksinë të suksesshme ka të bëjë me fitimin e një avantazhi gjeopolitik mbi Shtetet e Bashkuara si promovuese e shëndetit publik, thonë zyrtarët.

“Është me rëndësi të madhe, jo vetëm për nga vlera tregtare, por cilido shtet, kompani apo laborator hulumtues që zhvillon vaksinën i pari dhe është në gjendje ta prodhojë, do të ketë një histori të rëndësishme suksesi gjeopolitik”, tha muajin e kaluar John Demers, zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare i Departamentit të Drejtësisë.

Duke pasur parasysh historikun prej dekadash të Kinës për vjedhjen e pronës intelektuale, nocioni se Pekini mund të përpiqet të vjedhë kërkime që lidhen me vaksinat dhe trajtimet e koronavirusit nuk është shumë larg mundësisë e të qenit real, tha zoti Demers.

“Do të ishte përtej absurdes të mendosh se, kinezëve u interesojnë të gjitha këto gjërat e tjera, por se këtë do ta anashkalojnë”, tha Demers.

Sulmet kibernetike me autorësi kineze dhe nga vende të tjera e shtuan ritmin pas shpërthimit të koronavirusit, në veçanti operacionet e quajtura ransomware.

Një grup i spiunazhit kinez i njohur si APT-41 ka patur prej kohësh në objektiv universitete kërkimore dhe “po merr shumë vëmendje tani për shkak të COVID-19”, tha zoti Bradshaw.

Në janar, hakerat të lidhur me qeverinë kineze sulmuan kompanitë e kujdesit shëndetësor dhe kompanitë në sektorë të tjerë, sipas firmës së sigurimit kibernetik FireEye. Kompania FireEye e quajti “një nga fushatat më të përhapura që kemi parë nga aktorët e spiunazhit të Kinës në vitet e fundit”.

Kina nuk është vendi i vetëm i përfshirë në sulmet në internet gjatë pandemisë. Grupi i Vlerësimit të Kërcënimeve të kompanisë Google ka identifikuar mbi dymëbëdhjetë grupe hakerësh të mbështetur nga qeveria që përdorin temat e COVID-19 për të fituar qasje në rrjetet kompjuterike.

Google nuk i ka përmendur emrat e vendeve, por firmat e sigurisë në internet të sektorit privat kanë identifikuar disa aktorë shtetërorë.

Nga janari deri në prill, hakera vietnamezë nisën sulme kibernetike ndaj objektivave kineze me qëllim mbledhjen e të dhënave të zbulimit për krizën e koronavirusit, raportoi FireEye muajin e kaluar.

Në prill, hakerët iranianë njoftuan se filluan një sulm ndaj kompanisë Gilead Sciences, prodhuesit të remdesivirit, ilaçi i miratuar kohët e fundit nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për t’u përdorur si trajtim për COVID-19.

Ndërsa sulmet kanë përfshirë një gamë të gjerë veprimtarish – që nga kriminelë që synojnë institucionet financiare italiane e deri te hakerat e Koresë së Veriut që synojnë organizatat në Korenë e Jugut – hulumtimi për vaksinat dhe trajtimet mbetet një objektiv i preferuar i aktorëve të sponsorizuara nga shteti.

“Nuk ka asgjë më të vlefshme sot sesa hulumtimi biomjekësor në lidhje me vaksinat për trajtime për koronavirusin”, tha zoti Demers./VOA

Të fundit

“49 mijë dosje te Përmbarimi”/ Kreu i institucionit: Një pjesë do të fshihen

Sikurse në gjykata që janë mbushur me stok dosjesh, edhe Shërbimi Përmbarimor Shtetëror është prekur nga i njëjti fenomen.Gati...

Graciani 8 vjeç u shpall bashkë-perandor nga babai i tij perandori romak Valentinian I

 viti 367 e.s. Në vitin 367, Graciani, djali i perandorit romak Valentinian I, u shpall bashkë-perandor nga vetë babai i tij, në një moshë jashtëzakonisht...

Horoskopi ditor, 4 Gusht 2025

Dashi Dashuria: Fillimi i një dite pozitive. Sipas horoskopit rreth dashurisë edhe nëse do të ketë tensione ato nuk do të ndikojnë në qetësi. Nëse...

Skandal në Ukrainë, arrestohen 4 qeveritarë, abuzuan me dronët

Autoritetet ukrainase kanë kryer katër arrestime pas zbulimit të një skandali të ri korrupsioni që përfshin kontrata të fryra për prodhimin e dronëve, të...

Sherri me thika në Vlorë, publikohen pamjet e përleshjes mes të rinjve

A2 CNN ka siguruar pamjet e përleshjes së dhunshme që ndodhi mes disa të rinjve mbrëmjen e së shtunës në qytetin bregdetar të Vlorës,...

Lajme të tjera

Web TV