Kur profesorët bëjnë edhe më keq se politikanët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla/

Aty dalin elitat, formohen intelektualët, kultivohet mendja dhe jepet shpresa se të sotmit që futen në ato dyer, do të jenë e ardhmja e vendit. Kështu duhet të ishte, kështu nuk është! Akademikët, profesorët dhe lektorët janë kthyer në disa sherrxhinj të rëndomtë, jo të gjithë për fat, por drejtuesit e këtyre institucioneve.

Kulisa të mëdha, intriga të vogla, letra shkarkimesh, letra kundërreagimesh, vendime që nxirren me duf, shpërthime mes tyre, akuza të ndërsjella, denoncime në prokurori, padi në gjykata. Gjithçka ndodh prej disa vitesh e ka marrë krye edhe më shumë javët e fundit. Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve, por pa afat, duke propozuar deri në fundin e pandemisë.

Anëtarët e KIZ-it (Komisionit Institucional Zgjedhor), duke iu referuar rregullores, hapën procedurat për zgjedhje të reja. Nga ana tjetër, studentët të karantinuar kërkuan shtyrjen e tyre, pasi nuk mund të kishte zgjedhje pa ta.

Rektori shkarkoi anëtarët e Komisionit Institucional Zgjedhor, dekanët s’e njohën vendimin, ministria shihte këtë tragjikomedi dhe pas një hezitimi të gjatë edhe, nën frikën a po e cenon “autonominë universitare”, vendosi ta mbyllë këtë shfaqje, jo vetëm të turpshme, por fort të rëndë. Përkohësisht ka një paqe të brishtë, ku të gjithë ishin dakord me vendimin e ministres së Arsimit, Besa Shahini, që shtyu zgjedhjet, por deri në ardhjen e studentëve nëpër auditore dhe jo në pafundësinë e mbarimit të pandemisë së koronavirusit.

Është një paqe që më shumë se sheshim mosmarrëveshjesh shërben për “marrje forcash” mes kundërshtarësh profesorë, për të forcuar intrigat, grupimet, klanet pedagogjike dhe joshje në sigurimin e votës studentore. Duan postin e lartë, drejtimin e fakulteteve, kontroll mbi menaxhimin e fondeve, luksin që ua japin vetes dhe prestigjin e stisur duke abuzuar jo vetëm me titullin profesor, por edhe atë zyrtar! Kjo që po ndodh në universitete, ndodhi edhe në Akademinë e Shkencave. Një institucion elitë, që duhej të matej me studime të thelluara, materiale shkencore në fushat ku ka nevojë vendi.

E mendja e tyre të kthehej në aksion qeveritar, një program zbatimi. Kështu duhet të ishte, e sërish kështu nuk është. Botime të mirëfillta nuk ka aspak. Ato fonde, qofshin edhe të cunguara, fironin mes një grupimi akademikësh që edhe zgjedhjet i kthyen si një “OJQ”, duke bërë rotacion posti, kryetar me nënkryetar dhe anasjelltas.

Gjithçka në sy të publikut, me copëza votash që për gjoja trasparencë nuk e kuptonin se po filmonin turpin e radhës. Ato zgjedhje nuk u pranuan, edhe me ndërhyrjen e kreut të qeverisë, Edi Rama, që kërcënoi me prerje fondesh. U detyruan të dorëhiqeshin, por edhe zgjedhjet e reja i mbyti tymnaja kur Skënder Gjinushi mori drejtimin e Akademisë së Shkencave, të cilat grupimet dhe lobimet për zgjedhje u kthyen në një “shkencë” të re, as ekzakte, e as shoqërore!

Lexo edhe :  Kasanof takohet me Ramën, shqyrtohet përparimi i Shqipërisë drejt BE-së

Aq i ekzaltuar ishte sa ditën e parë të marrjes së detyrës Gjinushi iu kthye gazetares me ironi: “qenke shumë e eksituar”. Dikush mund të mendojë se janë fare pa rëndësi, që “votat profesorale” edhe nëse tjetërsohen me lobime, klane dhe intriga, janë pa dëm. Këtu nis gabimi i madh, duke lejuar edhe elitën akademike dhe universitare të sillet si kryetarët e fshatrave në zona të thella, që për një vulë në xhep, lobojnë me fise apo komshinj për të siguruar mandatin e radhës si “kryeplak”.

Më tragjike është se profesorët sillen si politikanët dhe nuk kanë moral të thonë se politika na merr më qafë. Jo. Në qafë na marrin edhe profesorët. Të gjitha ndodhin në sy të publikut, në lojën politike dhe të atyre qytetarëve pa zë, të cilët shohin se si e ardhmja e fëmijës së tyre është e destinuar të digjet, ende pa nisur.

Qëllimi i çdo prindi shqiptar është që fëmijën ta shkollojë, investojë për të, për ta parë nesër të kultivuar, të edukuar dhe në një profesion. Heq nga vetja kafshatën, por i blen një libër fëmijës, bishtonon para një dyqani me rroba për të, por hedh një grusht para për kurse të gjuhëve të huaja, për art apo sport, që fëmija të kultivohet.

Synon t’i gjejë një gjimnaz me emër, veshë e sy për rezultatet dhe pret me rrahje të forta zemre rezultatet e provimeve të maturës! I doli e drejta e studimit, festë e madhe, gëzim pa masë, por shpejt do t’i vijë trishtimi.

Ku do ta dërgojë? Në duart e disa profesorëve që sot grinden, në duart e të tjerëve që ngjiten pas karriges së postit dhe harrojnë studimet, botimet shkencore që vlejnë për të sotmen dhe ardhmen, duke u mjaftuar me automjetin luksoz, zyrën e arreduar plot luks, prestigjin e udhëtimeve jashtë vendit, e menaxhimit të fondeve që duhet të shkojnë për studentët, por ikin për tendera luksi?!

Kjo situatë është zhgënjim edhe për profesorët e rinj, që mendojnë të ecin përpara me dijet e duhura, dhe jo të kapin njeriun e duhur për një vend pune si lektor. E kanë të vështirë t’u përshtaten këtyre lobeve, kulisave dhe intrigave të vogla të cilat, sado që bëhen nga profesorë me gradë shkencore janë fort të rëndomta, sa edhe të marrët u “hapin rrugë!/l.m/Fjala

Të fundit

Do të moderojë “Big Brother VIP Fan Club”/ Këshilla e Enxhi Nasufit për Heidi Bacin

Në emisionin e mëngjesit në “Top Albnia Radio” është folur për moderimin e “BIG BROTHER Fan Club” që do...

Belgjika do ndalojë cigaret elektronike nga Janari 2024

Nga janari i vitit 2024, Belgjika do të bëhet vendi i parë në Bashkimin Evropian që do të ndalojë shitjen e cigareve elektronike (vape-s)...

Kokëfortësia e dilemës evropiane

Dremush Shasha Dje liderët e Bashkimit Evropian takuan liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa sot do të vazhdojnë samitin e BE-së me diskutimin rreth mbështetjes së...

Begaj: Sfida e medias, përballja me fake news! Përdorni pushtetin me përgjegjësi

Në pritjen e organizuzar me përfaqësuesit e medias me rastin e festave të fundvitit, Presidenti Bajram Begaj e cilësoi rolin e medias si kontributore dhe thelbësore...

SPAK, ditëlindje mes sfidash/Aktualisht ka 2 çështje të nxehta, po hetohen dhe biznesmenë

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në një emision televiziv analizoi arritjet e SPAK, në 5-vjetorin e krijimit të tij. Ai tha se...

Lajme të tjera

Web TV