Shegushe Bebeti: Si po i argëtojmë fëmijët me përralla në kushtet e karantinës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vazhdimisht në këtë periudhë jam përpjekur të gjej forma të reja në leximin e përrallave. Bashkë me aktoren Jorida Marsi dhe piktorin ilustrues Renato Aliçkolli, kemi hapur një kanal të ri në youtube, “Shtëpia e përrallave”, ku jo vetëm i lexojmë përrallat, por edhe i ilustrojmë me figura

Nga Leonard Veizi

Fëmijët janë e gjithë bota e saj. E njohur më së shumti si “Pinoku”, por dhe me një varg personazhesh simpatike për gjenerata fëmijësh – të cilët nuk janë më të tillë, – Shegushe Bebeti është ngulitur në kujtesën e tyre, po aq fëminore sot, sa dhe 40 vjet më parë, kur nisi rrugëtimin e saj në Teatrin e Kukullave.

Jeta e saj vazhdon me të njëjtin rritëm. Tanimë, kur jeta shoqërore e fëmijëve është ndrydhur brenda hapësirave familjare dhe kontakti me një kukull reale në një skenë teatrore është thuajse e pamundur, Shegushe Bebeti ka gjetur një mundësi për të qenë sërish mes tyre.

Jo më si “Borëbardha” ose “Kokarra”, por si një “gjyshe” që me zërin e saj të ëmbël tregon përralla. Për gazetën “Fjala” ajo tregon risinë që e ka vënë në zbatim qysh nga çasti kur u shpall karantina dhe fëmijët e vegjël, në pamundësi për të tjera zbavitje, iu sulën tableteve e celularëve, për të gjetur pak argëtim, i cili, për të thënë të vërtetën, nuk është aspak social.

Karantina, pavarësisht kufizimit të lirisë, prodhoi natyrshëm ide të reja mes artistëve, për të ndihmuar publikun të humbiste mendjen, por dhe të argëtohej mes gjetjesh përmes teknologjisë. Ju, si Mjeshtre e Madhe, si u pritët nga publiku i vogël përmes ofrimit tuaj duke lexuar përralla të dashura për fëmijët?

Leximi i përrallave ishte një gjetje e bukur, pasi spektatori i vogël i Teatrit të Kukullave tashmë ishte i karantinuar në shtëpi dhe kjo gjetje do ta bënte të qëndronte i lidhur me teatrin. Sigurisht, është pritur shumë mirë dhe është ndjekur shumë nga fëmijët e prindërit. Çdo dy ditë në faqen e facebookut dhe instagramit të Teatrit të Kukullave, unë dhe kolegët e mi, hedhim përralla të reja, të cilat i lexojmë dhe i regjistrojmë nga shtëpia; shikueshmëria është e lartë.

Kontributin aktual e ndani me bashkëpunëtorë të tjerë?

Sigurisht, ne punojmë të gjithë në grup me kolegët, duke kombinuar përrallat, por kemi kënduar edhe këngët e shfaqjeve të repertorit, që të jemi sa më pranë spektatorit të vogël.

Përrallat kanë mesazhe në vetvete, ishte ky një ngacmim për gjetjet e duhura?

Unë vazhdimisht në këtë periudhë jam përpjekur të gjej forma të reja në leximin e përrallave. Bashkë me Jorida Marsin (aktore) dhe Renato Aliçkollin (piktor, ilustrues) kemi hapur një kanal të ri në youtube, “Shtëpia e përrallave”, ku jo vetëm i lexojmë përrallat, por edhe i ilustrojmë me figura. Kjo gjetje ka rezultuar interesante, pasi ka pasur shikueshmëri të madhe, e cila nga dita në ditë rritet dhe kjo gjë na ndihmon e na nxit të sjellim edhe më shumë përralla, jo vetëm klasike, por edhe bashkëkohore, mesazhet e të cilave janë shumë të vlefshme për edukimin e fëmijëve.

Cilët autorë janë më të preferuarit tuaj dhe që mund të lexohen më shumë nga fëmijët?

Ashtu siç e thashë më lart, përrallat klasike janë shumë të preferuara, si ato të Andersenit, vëllezërve Grim, Oscar Wailde, Xhani Rodari apo autorët shqiptarë, si Gaqo Bushaka, Naum Prifti, Bedri Dedja etj. Ne jemi përpjekur t’i njohim fëmijët jo vetëm me ato klasiket, por edhe me përrallat e vjetra shqiptare, si ato të Mitrush Kutelit, Moisi Zaloshnjes, Gjergj Zhejit etj. Fëmijët pëlqejnë çdo gjë që ju serviret, prandaj është detyra jonë të dimë të përzgjedhim dhe t’u ofrojmë atyre me të mirat e më të bukurat.

Lexo edhe :  I sekuestrohen 134 celularë dhe aksesorë, arrestohet 61-vjeçari në Sarandë

Ku mund t’i rindjekin përrallat fëmijët?

Fëmijët mund t’i shohin përrallat në faqet e facebook-ut e instagram-it të Teatrit të Kukullave, por edhe në kanalin ”Shtëpia e përrallave”, në youtube.

Dikur ishin radiodramatizimet në Radio Tirana, një ftesë e bukur për fëmijët për të dëgjuar pjesën teatrale të së dielës. Mendoni se duhet risjellë në vëmendje një iniciativë e tillë, pa marrë parasysh vetëm qëllimin e vetofrimit për të ardhura?

Kjo është një ide interesante për t’i rikthyer në radio këto tregime e përralla, por jam pak e dyzuar, pasi nuk e di sa e dëgjojnë sot fëmijët radion. Sot teknologjia ka avancuar aq shumë, sa fëmijët janë të lidhur shumë me televizorin, celularin, tabletet etj. Pastaj radiot duhet të programojnë një program për fëmijët, siç ka qenë dikur, dhe nuk e di sa janë të interesuar.

Shpresojmë që periudha e karantinës të përfundojë. Me cilën shfaqje do të riktheheni te publiku? Cilin personazh do të mbani këtë radhë?

Me sa po shihet, karantina për artin do të zgjasë shumë, sepse nuk po lejohen grumbullimet publike e Teatri pa spektatorin është i vdekur. Unë shpresoj shumë që ne të rikthehemi sa më shpejt dhe do të fillojmë me premierën më të re “Maçoku me çizme”, të cilën e nxorëm më 7 mars, por nuk arritëm ta japim në vazhdim për spektatorin, pasi u shpallën kufizimet. Unë kam luajtur Maçokun ne çizme dhe jam e lumtur të rifilloj me të.

Fëmijët e duan teatrin. A ka kërkesa për shfaqje që ata duan t’i shohin në skenë?

Kërkesa e fëmijëve është vazhdimisht: – kur do të hapet teatri? Na mungon shumë, pse nuk jepni shfaqje? Etj., etj. Na shkruajnë vazhdimisht për këtë gjë.

Jemi në muajin e shenjtë për botën islame, ndërsa solidariteti, sakrifica dhe mirësia janë fjalë kyçe që duhet të na shoqërojnë. Keni një mesazh tuajin, duke marrë parasysh empatinë tuaj në periudha të ndryshme të vitit me fëmijë me nevoja të veçanta?

Uroj shumë që kjo situatë të mbarojë sa me shpejt dhe ne t’i kthehemi jetës normale, e cila na ka munguar shumë. Unë do të jem jo vetëm prezent në Teatrin e Kukullave për spektatorin e vogël, por ashtu siç kam bërë prej tashmë 16 vjetësh, do të jem edhe pranë fëmijëve me aftësi ndryshe e atyre të qendrave sociale me një projekt të ri timin, “Bilbili dhe Trëndafili”, teatër me kukulla për fëmijët që e kam gati, pasi ishte planifikuar që ta jepja në prill, por ndodhi kjo situatë dhe u shty.

Dua që dalja nga karantina të na ketë bërë njerëz më të mirë, ta duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin më shumë, ta duam natyrën dhe vendin tonë, të mos abuzojmë me të dhe ta mbajmë sa më pastër ambientin. T’u kushtojmë sa më shumë kohë fëmijëve e t’i trajtojmë edhe ata me aftësi ndryshe, si të barabartë me të tjerët, sepse vetëm ashtu ata do të ndihen pjesë e shoqërisë. Sa më shumë dashuri të japim, aq më të bukur do ta kemi jetën./l.m/Fjala

Të fundit

Berisha do t’i japë fitoren e zgjedhjeve në tavolinë Ramës!

Nga Spartak Ngjela Kryeministri Edi Rama e gjen forcën te zvarritja e Sali Berishës si kryetar i partisë Demokratike. Në çdo...

Ngjarja në Astir, zbulohet kush është vajza që alarmoi RENEA-n/ Policia: Gjetëm armë…

Ka dyshime se në banesë ka pasur persona të tjerë, por se mund të jenë larguar, kur ka ardhur policia për ndihmë... Zbulohet kush është...

4 adoleshentë humbin jetën në juglindje nga problemet kardiake, flet mjekja

Në dy javët e fundit, në juglindje të Shqipërisë kanë humbur jetën katër adoleshentë për shkak të problemeve kardiake. Viktimat janë një vajzë 15-vjeçare nga...

A do largohet nga politika nëse nuk fiton zgjedhjet e 11 majit? Ja si u përgjigj Berisha

Nga Fieri, ku zhvilloi një vizitë në burgun ku po vuan dënimin demokrati Ervin Salianji, kreu i PD, Sali Berisha foli për mediat. Teksa tregoi...

Zara: Investim surprizë në… kafe, ja çfarë po ndodh në Greqi

Vetë CEO i Inditex, Óscar García Maceiras, konfirmoi se investimi i Zara në kafene pasuron përvojën e blerjeve. Zinxhiri spanjoll i modës Zara ka aplikuar...

Lajme të tjera

Web TV