Franklin Domi, futbollisti që synon të bëhet një “Endi Robertson” shqiptar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Kateriana Tafa

Këto 18 muajt e fundit kanë qenë të stuhishme për mbrojtësin e krahut të Kuins Park Rejnxhërs, ose shkurt, QPR, Franklin Domi, dhe ai është i vendosur ta zgjasë edhe më tepër këtë përvojë të këndshme.

Domi, i cili iu bashkua klubit londinez në mars të 2019-ës, e nisi futbollin që në moshën 5-vjeçare dhe, në moshën 11-vjeçare, kaloi tek skuadra e Ajslingtonit dhe Kamdenit, të cilën e ndihmoi në 2016-ën të siguronte, për herë të parë që nga 1964-ra, titullin e kampiones së këtij distrikti të Londrës.

Gjatë kohës që ndiqte edhe shkollën, ai njohu trajnerin e Enfilld Taun, Endi Lisë, i cili i dha një mundësi dhe, brenda vetëm 3 muajve, Domi i siguroi vetes një provë tek QPR-ja.

Tanimë një anëtar i konsoliduar i Nën-23-vjeçarëve, ai synon të bëjë përpara. “Kam bërë shumë përpara, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë, si një profesionist dhe se si unë sillem, – ka deklaruar ai për faqen zyrtare të klubit londinez në Internet. “Në fushën e blertë, gjëra shumë, shumë të mira më kanë ndodhur, siç ishte thirrja në përfaqësuesen e Nën-20-vjeçarëve të Shqipërisë, – ka vijuar 19-vjeçari. – Unë besoj që jam përmirësuar ndjeshëm, sepse kur shikoj video të paraqitjeve të mia, shoh që kam shtuar disa aspekte pozitive dhe kam korrigjuar edhe të metat e mia dhe prandaj jam i lumtur.”

Ajo thirrje e parë në përfaqësuesen e Nën-20-vjeçarëve të Shqipërisë, që erdhi në janar të 2019-ës, ishte një moment mjaft krenar për të dhe për familjen e tij. Për më tepër, kjo thirrje erdhi kur atij iu ofrua kontrata e parë nga QPR-ja. “Isha pa fjalë, po fluturoja, – rrëfen Domi, prindërit e të cilit janë të dy shqiptarë. – Kur erdha në shtëpi isha kaq i lumtur dhe i ngazëllyer. Familja ime ishte kaq e lumtur për mua dhe ishte një çast që gjithmonë do ta mbaj mend. Madje patëm edhe një festë të vogël, një “barbekju”, edhe pse ishte janar, por ishte mjaftueshëm ngrohtë. Unë gjithmonë mundohem të shkoj e të takoj gjyshërit e mi dhe anëtarët e tjerë të familjes sonë të madhe sa herë shkoj në Shqipëri.”

“Domi e nisi karrierën e tij si një mesfushor krahu, por, pasi pati fituar titullin e distriktit të Londrës, ai u shndërrua në një mbrojtës i krahut të majtë. Idhujt e tij variojnë nga Lionel Mesi, tek Roberto Karlosi, Marselo, Zhordi Alba, David Alaba and Endi Robertsoni. Në fakt, shqiptari e gjen veten më tepër tek ky i fundit në shumë aspekte. Për të paguar për udhëtimet e tij kur luante për Enfilld Taun, Franklini punonte çdo të enjte dhe të shtunë në një supermarket, ashtu sikundër kishte bërë në vitet e adoleshencës edhe futbollisti i Liverpulit.

Përveçse luan në të njëjtin pozicion në fushën e blertë, i riu i QPR-së frymëzohet edhe nga karriera e futbollistit të Liverpulit dhe tanimë kapiten i përfaqësueses së Skocisë. “Kam lexuar se ai u la i lirë nga Sëlltiku, sepse u gjykua se ishte shumë shtatshkurtër, por shikon ku është ai tani, – thotë Domi. – Ka fituar madje edhe Ligën e Kampioneve. Prandaj, historitë e disa prej lojtarëve të futbollit janë të bukura vërtet. Kjo më jep gjithashtu edhe siguri në vetvete, tekse e di tanimë që edhe njerëz që kanë qenë në rrethanat që jam edhe unë, ia kanë dalë mbanë.”

Lexo edhe :  Në Itali kërkojnë Lara Colturin, skiatorja mbetet shqiptare

Duke folur për idhullin e tij, 19-vjeçari reflekton edhe mbi atë që ka mësuar deri më tani nga jeta. “Endi Robertsoni ka punuar, ashtu sikundër kam punuar edhe unë dhe ai prapëseprapë ia doli, – thotë ai. – Kjo të jep zemër dhe të dëshmon se, pavarësisht gjithçkaje, njeriu gjithmonë e ka një shans. Unë kam studiuar shumë lojtarë në rolin tim, mundohem t’u marr më të mirën dhe ta zbatoj atë në praktikë në lojën time.” Domi ishte duke shijuar një periudhë të mbarë huazimi tek ekipi i  Istbërn Boro’ kur sezoni u ndërpre për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi “COVID-19”.

Ai shënoi në debutimin e tij me skuadrën e re dhe, kur futbolli të rifillojë sërish, ai i ka vënë vetes dy synime. “Në planet e mia afatgjata, dy janë objektivat e mi: Të debutoj me skuadrën e të rriturve të QPR-së dhe të nis të stërvitem edhe me Kombëtaren e të rriturve të Shqipërisë”, – thotë Franklin Domi. Ai u grumbullua nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi, për ndeshjen e 15 nëntor 2019 ndaj përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Anglisë. Megjithëse Domi nuk u aktivizua në atë humbje 0-3 të pësuar në Shkodër, ai premton të jetë një nga elementët e së ardhmes së futbollit kuqezi.

FLW: Domi, një nga 4 talentet premtuese të QPR-së

Ardhja e Mark Uorbërtonit në verë si trajneri i QPR-së nënkuptoi edhe një ndryshim mendësie në këtë klub, një mendësi që tanimë i jep përparësi zhvillimit dhe nxitjes së futbollistëve të rinj. Duke qenë se ka vuajtur nga problemet financiare në të shkuarën, klubi londinez ka kuptuar se një nga burimet më të mira të përforcimit të skuadrës është kthimi i kokës prapa drejt ekipeve zinxhir.

Dhe një nga faqet e profilizuara në Ligën e Futbollit Anglez, “Football League World” (FLW), sjellë një profil të shkurtër të 4 të rinjve të QPR-së që duhen mbajtur parasysh. Midis tyre spikat futbollisti shqiptar, Franklin Domi, aktualisht lojtar i Nën-23-vjeçarëve të klubit londinez, por edhe i Kombëtares që Nën-20-vjeçarëve dhe Shpresave të Shqipërisë.

“19-vjeçari Domi, i cili iu bashkua në fund të janarit skuadrës së Istbërn Boros për një periudhë të shkurtër huazimi, është njëri prej tyre, – shkruan FLW-ja. – Lojtari i Kombëtares së Nën-20-vjeçarëve të Shqipërisë është bërë pjesë e QPR-së që në fillim të vitit të shkuar, duke lënë mbresa e duke bindur në provën e tij të parë dhe duke siguruar një kontratë afatshkurtër, që u zgjat në verë.

“Ai është një mbrojtës i mirëfilltë në krahun e majtë dhe mund të jetë në radarin e Uorbërtonit për sezonin e ardhshëm, nëse vazhdon të bindës me skuadrën e Ligës Kombëtare të Jugut në Angli, Istbërn Boro’. Megjithatë, një tjetër huazim është versioni më i mundshëm. Padyshim një lojtar të cilit nuk i duhen ndarë sytë”, – përfundon faqja në fjalë.

Të fundit

“Manita” në finalen e Superkupës së Spanjës, Barcelona shkatërron Real Madridin

Superkupa e Spanjës i takon Barcelonës. Një fitore e madhe 2-5 ndaj Real Madrid në finale, në një sfidë...

Tensione dhe vështirësi, shenjat që do e përjetojnë më intensivisht këtë janar

Hëna e ujkut është emri i Hënës së parë të Plotë të vitit të ri që ndodh në janar. Por pse quhet Hëna e...

“Përgatitjet për takimin”, ekipi i Trump: Do të ketë telefonatë me Putin ditët e ardhshme

Bisedimet telefonike midis Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin pritet të ndodhin brenda “ditëve dhe javëve të ardhshme”,...

VIDEO/ Në krye të detyrës! Elektricisti në Lezhë “sfidon” dëborën dhe erën e fortë

Personi që shihni në foto është A. Gjini, elektricist në Lezhë gjatë punës së tij për të rikthyer energjinë elektrike në zonën e Zejmenit. Në...

G Bani rrëfen si humbi shikimin nga njëri sy në moshën 11 vjeçare: Me kapsoll dinamiti…

Reperi G Bani ka rrëfyer se si në moshën 11 vjeçar ka humbur shikimin në njërin sy. Gjatë një bashkëbisedimi me Rozana Radin në ‘BBVA’,...

Lajme të tjera

Web TV