Policia e Tiranës gjobit dhe i heq patentën Lulzim Bashës dhe 39 të tjerëve, pas protestës së mbrëmjes së djeshme, kundër vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Gjobitja e tyre vjen për thyerje të masave të vendosura në kushtet e emergjencës së koronavirusit.
Policia thotë se në vijim të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese të përcaktuara në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”, pas orës 17:30 të datës 14 maj, ka konstatuar me shqetësim, grumbullimin e një grupi qytetarësh pranë Teatrit Kombëtar, shumë përtej fashës orare të qarkullimit dhe në shkelje të çdo rregulli të parashikuar nga Akti Normativ.
Në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit, Lulzim Basha, Neritan Liçaj, Robert Budina, Ervin Goci, S. D., K. B., Gazmend Bardhi, A. T., V. S., Çlirim Gjata, A. K., A. D., R. Z., E. B., A. T., L. S, G. G, A. N., P. Sh, E. K., M. C., R. Ç, Gj. U., F. K., I. S., R. V., B. H., A. F., A. Xh., R. H., D. K., F. S., D. H., A. R., A. Q., G. M., A. S., O. N., M. A. dhe O. H.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në zonat e kuqe që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe distancimin social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.
Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore.