Hapja e shkollave në Britani mund të shtyhet, revolta në veri të vendit

Britania e Madhe ka parashikuar të hapë më 1 qershor shkollat në të gjithë vendin, por vendimi i Qeverisë po kundërshtohet nga sindikatat e mësuesve. Revoltat janë përhapur kryesisht në veri të vendit, pasi drejtuesit e shkollave dhe mësuesit theksojnë se shumë prej ambienteve nuk janë të sigurta.

Sindikatat thonë se hapja e shkollave do të ishte e pamundur edhe më 8 qershor, ndërsa propozimi më i pranueshëm duket se do të jetë 15 qershori.

Rezistenca e sindikatave po bëhet kryesisht në West Midlands, Leeds, West Yorks, Bury, Hartlepool, Blackburn dhe Darwen.

Në Britaninë e Madhe janë konfirmuar 250,138 raste të infektimit me koronavirus, ndërsa 35,422 persona kanë humbur jetën.