Kur nuk mund të gëzoni madhështi për shkak të rrethanave, si ju duket një diplomim? Kjo është pyetja e shkollave të mesme të panumërta dhe kolegjeve në të gjithë Amerikën, të cilat e shtruan për një përgjigje në mes të një pandemie globale. Disa nga politikanët më frymëzues të Amerikës, drejtuesit e biznesit, aktorët, atletët dhe muzikantët ofruan fjalë inkurajimi dhe mbështetjeje për studentët e diplomuar këtë vit. Fjalimet e disave prej tyre u transmetuan nëpër media sociale, televizion e radio. “Fjala” ka përzgjedhur disa prej fjalimeve më të fuqishme, që i kanë kapërcyer kufijtë e vendeve përkatëse
Oprah Winfrey (Moderatore & Filantrope)
A mundet klasa e vitit 2020 të na tregojë se si të krijojmë një botë më të drejtë, të sjellshme, të bukur, të butë, me shkëlqim, krijuese? Ne kemi nevojë që ta bëjë diçka të tillë sepse pandemia ka ndriçuar pabarazitë e mëdha që kanë përcaktuar jetën tonë për shumë, shumë kohë. Për komunitetet e varfra pa qasjen e duhur në kujdesin shëndetësor, pabarazia është një gjendje para-ekzistuese. Për komunitetet e emigrantëve të detyruar të fshihen nën hije, pabarazia është po prapë një gjendje para-ekzistuese. Për çdo person të ngarkuar me paragjykime dhe fanatizëm, për çdo burrë dhe grua me ngjyrë që jetojnë me frikë edhe kur dëshirojnë thjesht të vrapojnë, pabarazia është një gjendje para-ekzistuese.
Ju keni fuqinë të mbështeteni, të luftoni dhe të votoni për kushte më të shëndetshme që do të krijojnë një shoqëri po aq të shëndetshme. Ky moment është një ftesë për të përdorur edukimin tuaj, për të shëruar pikëllimet tona dhe për të zbatuar më të mirën nga ato që keni mësuar dhe keni ndjerë në zemrën tuaj.
Bill Gates (Themelues i Microsoft)
Disa prej jush mund të jenë frymëzuar nga kjo krizë për të ndjekur karriera në epidemiologji ose shëndetësi. Është fantastike, por nuk është mënyra e vetme për të kontribuar. Krijuesit e politikave do të marrin shumë vendime përgjatë muajve në vijim, për mënyrën se si ne do të shërohemi nga kjo krizë dhe si ta parandalojnë diçka të ngjashme. Ju mund të përdorni zërin dhe votën tuaj për të insistuar në politika që krijojnë një të ardhme më të shëndetshme, më të mirë për të gjithë kudo.
Gjëja më e rëndësishme që dua t’ju kujtoj në lidhje me shtigjet e karrierës, është se ato nuk do të zgjasin përgjithmonë. Kur isha në të 20-at, mendova se do të punoja gjithmonë në softuer. Unë kurrë nuk e pashë veten duke punuar në filantropi dhe aq më tepër për shëndetin global, për të mos folur për një punë me kohë të plotë në Microsoft. Ndërsa plakeni, interesat dhe aftësitë tuaja do të evoluojnë. Këshilla ime për ju është që të jeni të hapur ndaj ndryshimeve. Mos kini frikë për të provuar diçka të re.
Barack Obama (Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara)
Kjo pandemi ka përfunduar plotësisht prapa perdes me idenë se shumë prej njerëzve të përgjegjshëm e dinë se çfarë po bëjnë. Ndërkohë, shumë prej tyre as nuk pretendojnë të jenë përgjegjës. Nëse bota do të përmirësohet, do të varet nga ju. Kjo është koha juaj të shfrytëzoni iniciativën. Askush nuk mund të të thotë se duhet të presësh në radhë, askush nuk mund të të thotë se kështu është bërë gjithmonë. Më shumë se kurrë ky është momenti juaj, momenti i brezit tuaj për t’i dhënë formë kësaj çka ne quajmë botë.
Malala Yousafzai (Aktiviste)
Si të gjithë ju, edhe mua me mungon ceremonia e diplomimit. Dhe ne nuk jemi vetëm. Në të gjithë botën, COVID-19 ka detyruar më shumë se 1 miliard nxënës të qëndrojnë larg ambienteve të shkollës. Por kjo është e përkohshme. Ne do të vazhdojmë rrugën e edukimit dhe do t’i ndjekim ëndrrat tona. Megjithatë, shumë vajza, veçanërisht vajzat e vendeve në zhvillim, nuk do të kthehen më nëpër klasat e tyre. Për shkak të kësaj krize ato do të detyrohen të bëjnë martesa të hershme ose punë me pagë të ulët, për të mbështetur familjet e tyre. Kur shkollat të hapen, tavolinat e tyre do të jenë bosh. Ato janë bashkëmoshatarët tanë, kanë të njëjtën të drejtë në arsim si ne.
Prandaj unë ju kërkoj t’i mbani mend, ndërsa dilni dhe ndryshoni botën. Mos i lini pas. Klasa e vitit 2020 nuk do të përcaktohet nga ajo që kemi humbur nga ky virus por nga mënyra se si iu përgjigjëm. Bota është e juaja tani dhe unë nuk mund të pres që të shoh se çfarë ju bëni prej saj.
Tim Cook, (CEO, Apple)
Kur u bashkova me Apple në vitin 1998, nuk mund ta besoja fatin tim. Prej atij momenti doja ta shpenzoja pjesën e mbetur të jetës sime duke punuar për Steve Jobs. Por fati vjen si hajdut natën. Vetmia që ndjeva kur humbëm Steve ishte dëshmi se nuk asgjë më të përjetshme, apo më të fuqishme, sesa ndikimi që kemi tek të tjerët. Ata prej nesh që mund të shikojnë mbrapa këtë herë dhe të kujtojnë momentet bezdisëse dhe madje edhe mërzitjen, mund ta llogarisin veten me fat. Kat ë tjerë që akoma do të priten në kocka. Dhe ndërsa iu drejtohemi më të dashurve dhe miqve tanë për rehati, mendoni shumë për ata që ndikimi i të cilëve në jetën tuaj është më i largët, por jo më pak i rëndësishëm.
Mendoni për një baba pa dokumente ,të injoruar ose të përçmuar nga komuniteti i tij, i cili po e vë veten në rrezik sot vetëm e vetëm për të ushqyer familjen. Mendoni për një nënë beqare, e cila ruan rafte natën dhe drejton një autobus të qytetit në mëngjes. Mbi të gjitha, mendoni se si ju, të bekuar me një arsim të lartë, mund të veproni, punoni dhe të jeni ndryshe kur thuhet dhe bëhet e gjithë kjo. Kujtoni me zemrën mënyrën se si po zbulojmë në këtë kohë se çfarë ka me të vërtetë rëndësi; shëndeti dhe mirëqenia e të dashurve tanë, qëndrueshmëria e komuniteteve tona dhe sakrificat e bëra nga ata – nga mjekët deri te grumbulluesit e mbeturinave.
LeBron James (Atlet)
Unë e di se gjëja e fundit që dëshironi të dëgjoni tani është “qëndroni në shtëpi”. Kjo nuk është porosia ime për ju. Mesazhi im është, qëndroni pranë shtëpisë. Ndoshta jo fizikisht, por në çdo mënyrë tjetër të mundshme. Ndiqni çdo ambicie, ëndërroni sa më shumë të jetë e mundur dhe bëhuni brezi i parë që pranoni një përgjegjësi të re, një përgjegjësi për të rindërtuar komunitetin tuaj. Klasa e vitit 2020, bota ka ndryshuar. Ju do të përcaktoni se si ne rindërtojmë, dhe unë kërkoj që ju ta bëni komunitetin tuaj përparësi.
Steven Spielberg (Regjisor)
Ëndrrat janë një provë e shkëlqyer. Sepse një ëndërr do të provojë vendosmërinë tuaj. Një ëndërr e vërtetë do t’ju forcojë çdo pengesë që njerëzit do të krijojnë për ju. Nëse ne jemi në shërbim të ëndrrave tona, rezultati është shumë më i lartë. Kjo na lejon të jemi pjesë e një loje, kjo na lejon të kapërcejmë frikën tonë për të ecur përpara pa marrë parasysh se çfarë pengesash hidhen në rrugën tonë.
Chelsea Handler (Komedian)
Refuzimi nuk ndjehet si diçka që dëshiron të përqafosh, por refuzimi nuk është kurrë i përhershëm, ashtu sikurse suksesi. Zakonisht, refuzimi na pushton të gjithëve në një lëmsh dëshpërimi, mendimesh të pasigurta dhe në një vetëdije si, a kemi marrë ndonjëherë ndonjë vendim të duhur dhe a jemi të rremë ndaj vetes sonë? Ne duhet të kujtojmë se kur kalojmë momente të tilla, mendimet janë vetëm mendimet tona. Askush tjetër nuk na përcakton përpos vetes. Këmbëngulja, kjo është ajo se çfarë do të kujtojnë njerëzit. Nuk është se do të biem poshtë sepse ne e dimë se të gjithë bien. Do të ringrihemi dhe do të vazhdojmë të ringrihemi. Ajo që njerëzit e tjerë mendojnë për ne nuk është kurrë aq e rëndësishme sa ajo që mendojmë për veten tonë.
David Chang (Shef)
Lumturia vjen me sigurinë. Unë shpresoj që ju të jeni të sigurt, të jeni krenarë për arritjet tuaja dhe shpresoj që të mbizotërojë tek ju dëshira për të punuar në mënyrë që t’i thoni vetes pas disa vitesh se i latë gjërat pak më mirë sesa i gjetët. Urime! Tani fillon puna e vështirë.
Megan Rapinoe (Atlet)
Ne jemi ndarë nga njëri-tjetri në mënyrë që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë, si dhe po përballemi me një botë që nuk do të jetë kurrë e njëjtë. Prandaj, nuk do t’ju kërkoj të mblidheni. Por do të bëj thirrje të vazhdueshme që të mos e humbni kurrë kuriozitetin për të ditur se kush i merr vendimet në kohë krize dhe në kohë triumfi, nga kryetari juaj lokal deri te guvernatori, senatori dhe presidenti. Unë e di nga dora e parë fuqinë e një lëvizjeje të udhëhequr nga dhe për gjeneratën tjetër. Ju jeni kjo e fundit. Merrni pishtarin dhe lini shenjën tuaj. Ndërtoni të ardhmen që dëshironi dhe besoni në të.
John Legend (Muzikant)
Arsyeja që jam këtu, arsyeja që kam kaluar një udhëtim kaq të mrekullueshëm në jetën time deri më tani është se kam gjetur dashuri. Ne të gjithë jemi bërë për t’u dashur dhe kam zbuluar që jetojmë jetë më të mirë dhe më të suksesshme jo thjesht sepse jemi më të zgjuar se të gjithë të tjerët, jo sepse ngutemi më shumë, jo sepse bëhemi milionerë më shpejt. Çelësi i suksesit, çelësi i lumturisë është hapja e mendjes dhe e zemrës suaj për të dashuruar, duke bërë gjërat që doni me njerëzit e zemrës. Unë besoj se gjatë kohërave të pasigurta ne duhet të mbështetemi në dashuri, sepse vetëm kjo ndjenjë do të na tregojë qartësisht rrugën që na shtrohet përpara.
Awkwafina (Aktore)
Të bësh gjënë e duhur nuk është aspak e lehtë. Unë kam qenë ndër ato studente që kam bërë shumë gabime. Por dua t’ju them se duhet të vazhdoni, të sfidoni veten. Mos i minimizoni ëndrrat tuaja për t’iu përshtatur realitetit të sotëm. Mos lejoni që norma e re të jetë një justifikim për të qëndruar në vend.
Anthony Fauci (Drejtor, NIAID)
Pata fatin e mirë që u diplomova në shkollën e mesme Regis, më 1958. Shpesh them se ishte përvoja më e mirë arsimore që mund të imagjinoja. Unë u zhyta në rreptësinë intelektuale të një edukimi jezuit. Më e rëndësishmja, parime të caktuara të traditës jezuite më kanë mbajtur gjatë gjithë jetës dhe karrierës sime. Dy nga këto, precizioni i mendimit dhe rezervimi në të shprehur, më kanë ndihmuar në mënyrën se si mendoj, se si shkruaj dhe komunikoj me publikun çdo ditë.
Hillary Clinton (Ish-Sekretare e Shtetit)
Do t’ju lë me disa këshilla praktike: Shokë të mirë do t’ju kalojnë edhe në kohërat më të këqija, kështu që qëndroni në kontakt me ta. Gjithmonë dërgoni shënime falënderimi. Të jesh i sjellshëm nuk është njësoj si të jesh i saktë politikisht. Pra, trajtojini të tjerët ashtu siç dëshironi të trajtoheni. Mësoni si të qepni një kopsë. Kontrolloni burimin e gjithçkaje që lexoni ose ndani. Votoni në çdo zgjedhje, jo vetëm ato presidenciale. Besoni në shkencë. Lani duart! Dhe nëse gjithçka tjetër nuk funksionon, provoni meditimin ose frymëmarrjen alternative. Unë e bëra atë përpara tri debateve me Donald Trump, kështu që më besoni, me të vërtetë është një teknikë e mirë për t’u marrë me stresin.