Shefi i Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata jep një tjetër version sesi u përhap koronavirusi në Qendrën Spitalore Universitare, ku deri më tani ka 33 të infektuar nga kjo vatër.
Si shkaktare ka rezultuar një infermiere e infeksionit, por Gjata në A2 rrëzoi kategorikisht pretendimet se infermierja është rikthyer në punë edhe pasi kishte marrë përgjigjen e analizave ku kishte rezultuar pozitive me Covid-19. Sipas tij, shkaktar për përhapjen e infeksionit mund të ketë qenë një infermiere.
“Nuk është e vërtetë që infermierja është kthyer në punë pas analizave. Infermierja mund të jetë prekur në pavion, ku para dy javësh, në pavionin ku janë pacientët në gjendje të rëndë, ka qenë një paciente e shtruar me shumë probleme dhe pasi u stabilizua u largua në shtëpi. Disa ditë pasi doli nga spitali pati temperatura dhe pas tamponit rezultoi pozitive. Ka shumë mundësi që infermierja dhe një pjesë tjetër e stafit mjekësor mund ta kenë marrë virusin nga kjo paciente, por nuk mund ta themi me siguri”, u shpreh Gjata.
“Infermierja pasi bëri tamponin shkoi dhe bëri edhe te ORL-ja, ku ka bërë një vizitë pasi kishte dhimbje fyti. Në darkë, ajo rezultoi pozitive dhe nga ai moment, ajo nuk është rikthyer më në punë, madje është shtruar në Infektiv. Tamponi iu mor të gjithë personelit mjekësor të atij shërbimi. Nga ana tjetër, duke qenë të sëmurë rëndë bëhen konsulta brenda shërbimit edhe nga mjekë të shërbimeve të tjera.
QSUT është një vatër shumë e rrezikshme dhe për shkak edhe të karakterit që ka, duke mbledhur pacientë nga e gjithë Shqipëria, rrezikonte shumë për hapjen e Covid-19. Prandaj ne kemi propozuar që të punohej me grupe nga dy javë, prandaj janë ndërprerë operacionet kirurgjikale, duke u çuar te Trauma”, u shpreh Gjata.