Kreu i PD, Lulzim Basha është takuar me pronarët e fasonëve dhe punonjësit në Krujë e Fushë- Krujë ku dëgjoi ankesat e tyre për mungesën e ndihmës nga qeveria.
Basha dëgjoi me vëmendje pronarët të cilët i shpreheshin se kishin shkurtuar vendet e punës dhe kishin pushuar njerëz nga puna por as ata nuk kanë marrë paga lufte.
Por Basha i thotë se nuk pritet më nga qeveria pasi paratë që duhet të merrnin qytetarët i çuan për tendera e koncesione me PPP si në kohë normale.
“Nga këta mos prit përgjigje. Nuk kanë as veshë për të dëgjuar, as zemër, as sy për të parë problemet e njerëzve. Sikur të kishin patur pak zemër për t’ju dëgjuar, fasoneria paguan 12 milionë euro taksa, sikur ato para t’jua kishin kthyer për të mbështetur punonjësit, ju nuk do të kishit ardhur në këtë ditë.
Ky është momenti i një krize të thellë ekonomike. Kësaj i dilej përpara duke paguar punonjësit, duke rritur konsumin dhe të mos detyroheshe të hiqje njerëz nga puna. Kostoja do të ishte 30 milionë euro në 2 muaj, por ai prish Teatrin Kombëtar, çon 30 mijë euro atje dhe mbyll 70 mijë vende pune. Kjo është kriminale”, theksoi kreu i opozitës.
Një nga faktet më domethënëse është se shumica e grave dhe vajzave të fasonerive janë ose kryefamiljare, ose personat e vetëm që çojnë të ardhura në familje. Ato i pohuan kreut të opozitës se nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga shteti dhe se janë në vështirësi të mëdha.
“Një fjalë kurajo mund t’ju them sot, mos u dorëzoni. E di që e keni të vështirë, do të na keni në krah, do të më keni në krah”- u shpreh Basha.
Në takimin e veçantë me përfaqësuesit e shoqatës së fasonëve kreu i opozitës mbështeti kërkesat e tyre për subvencionim të pagës së punonjësve dhe lehtesi fiskale në të ardhmen, si një masë mbrojtëse për këtë industri që punëson rreth 70 mijë gra e vajza në të gjithë vendin./b.b/fjala.al