Diplomacia ka hequr dorashkat dhe po tregon me gisht “përgjegjësit” politikë në Shqipëri. Përse ambasadorja amerikane, Yuri Kim. shpërtheu pas dyshimit se palët edhe “kundërshtare” po bëhen bashkë për ta vrarë reformën në drejtësi.
Kryediplomatja e SHBA-së, Yuri Kim, me misionin për të “shembur” 30 vite të klasë-kastës politike. Kush do ta pësojë nga liderët Edi Rama, Ilir Meta dhe Luzim Basha?
Nga Sebi Alla
Duhet një fuqi madhore për të mënjanuar një klasë-kastë politike në Shqipëri. Këtë po tenton ta bëjë Yuri Kim, ambasadorja e re në Tiranë, të cilës “pandemia” i vlejti për t’u thelluar dhe kuptuar se ç’po ndodh në këtë vend të vogël, por ‘shumë të madh’ në gjeostrategjinë amerikane, sidomos për rajonin gjithnjë të trazuar të Ballkanit.
Ambasadores amerikane në Tiranë iu dhurua lehtësisht “protagonizmi” në duar, e bëri pa dashje elita politike e jona, (që e konsideron veten të fuqishme, të paprekshme). Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore u bënë shkak që në vendin tonë të nisë një lëvizje e cila sapo ka ngritur krye, ndërsa fundi, edhe ai me gjasë jo i largët, mund të kalojë me dhimbje për “Big-ët” e politikës sonë.
Disa mund t’i “përpijë” drejtësia e re, qoftë edhe e ngadaltë, por të tjerë do të humbin protagonizmin politik si “të padëshiruar” nga SHBA-ja dhe populli shqiptar. Presidenti, Ilir Meta, kryeministri, Edi Rama, dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, nuk po matin më forcat me njëri-tjetrin, por po tentojnë të futen sërish në oazën e “të dëshiruarve” nga ambasada amerikane, pasi protagonismi i BE-së është venitur edhe për asye objektive.
Të gjithë po qëndrojnë në ankth për të deshifruar deklaratat e shkurtra dhe mesazhet e Yuri Kim-it, me “qitje” jo më të largët, por me rreze veprimi “Rruga e Elbasanit” – “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”! Sa seriozisht e kishte politika jonë katër vite më pare, që të sillte një drejtësi të pavarur ku politikani dhe qytetari i pafuqishëm të ishin njësoj? Koha e vërtetoi se lënia e drejtësisë së re në duart e politikës “së vjetër”, ishte njësoj si të “lindte e vdekur”.
Ata që e penguan kanë emra, ata që tentuan ta manipulojnë që në gjenezë, kanë emra, ata që po e zvarrisin me shpresën e venitjes gjithashtu mbajnë një autorësi! Meta, Rama dhe Basha gjenden në lojën e dukshme, ndërsa nuk mund të ashkalohen edhe personazhe të tjera që nuk kanë “firmë e vulë”, por mbeten të rëndësishëm edhe kur heshtin, pasi dinë t’i tërheqin fijet nëpërmjet të tjerëve.
Ambasadorja amerikane po flet fare hapur, me një gjuhë që kuptohet nga të gjithë qytetarët, ndonëse staturës së saj nuk i mungon aspak pjesa diplomatike. Arsyeja e lëshimit të mesazheve të kuptueshme është pikërisht një “lojë e ëmbël” e Kim-it për të bërë bërë diferencimin (ne): “ambasada dhe populli shqiptar” dhe (ata): “politika në vend”.
Stekën e pritshmërive e ngriti vetë ambasadorja, pasi kuptoi qartësisht se qytetarët ishin të zhgënjyer jo vetëm me politikanët që kanë afër 30 vjet që na qeverisin, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë, që me apatinë e tyre i mbajtën kaq gjatë, pa u treguar kufirin që në këtë rast shkon nga largimi prej politikës deri në një qeli, qoftë edhe e arreduar për “VIP-a”.
Drejtësia, presidenti, ambasadorët dhe “lufta” e hapur
Fillim i muajit prill! Presdienti Ilir Meta nuk kishte kohë “të përkujtonte” 7-vjetorin e marrëveshjes së madhe me Ramën, që hodhi themelet e bashkëqeverisjes së tyre. Shumë ujëra kanë rrjedhur që nga ajo periudhë. Dashuria është kthyer në urrejtje, por për “interes të përbashkët”, ishte koha të bënin paqe, por në kurriz të kujt? Presidenti Ilir Meta paraqiti një draft me 14 pika që, sipas tij, do të zhbllokonin reformën në drejtësi dhe do të integronin vendin.
Kreu i shtetit e la paksa “mënjanë” Kushtetutën, të cilën e pati “shëtitur” mjaftueshëm në tubimin e 2 marsit dhe u pa sy më sy me kryeministrin Edi Rama. Kushtet dukeshin të pjekura për politikën tonë, të paktën për dyshen më të fortë dhe në dukje “kundërshtare” të momentit. Qytetarët gjendeshin të mbyllur nën frikën e “armikut të padukshëm” të koronavirusit, dhe në emër të “shpëtimit popullor”, u gatua një marrëveshje.
Presidenti Meta dekretoi ndryshimet ligjore në Kodin Penal, të propozuara nga mazhoranca, ndërsa kryeministri thuri “lavde” për burrështetësinë e kreut të shtetit. Çfarë po ndodhte kaq papritur që dy armiqtë e përbetuar u bënë bashkë? Dilemën deri në chok-im na e shoi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim e duhet të vazhdojë”, shkroi ambasadorja më 21 maj, në një reagim në “twitter”.
Pa u mbyllur dita pasardhëse, u kuptua se për çfarë bëhej fjalë. Ajo fshihej në një nga 14 pikat, diku nga fundi, në vetëm dy rrështa. “Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore, duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.” – thuhet në pikën 9 të propozimeve të kreut të shtetit.
Ky “pamflet udhëzues”, u lexua nga ambasada amerikane si “varri” që po i hapej reformës në drejtësi. “Ambasadorja nuk e ka me mua. Në Shqipëri ka vetëm një aktor, që është Edi Rama, që ka Parlamentin, drejtësinë dhe qeverinë.
Një aktor politik ka në Shqipëri dhe një tjetër që janë këto dy ambasada. Nuk ka aktorë të tjerë. Nuk e di me kë e ka, sepse unë nuk flas në emër të saj.” – tha Meta, duke iu referuar qëndrimeve të Kim-it. Pa dyshim që presidenti nuk është një lojtar i lehtë për t’u tribluar. Së pari ka postin, që sado honorifik, i siguron statusin e numrit një të vendit.
Nëse çështja është matje forcash “personale”, cilido ambassador, i çdo vendi që përfaqëson, e ka të pamundur që të nënshtrojë dikë që ka kaluar shumë dimra të ashpër politikë mbi shpinë. Në mes është reforma në drejtësi, një produkt mirëfilli ndërkombëtar, SHBA-BE, ku edhe këtu rolin parësor e ka marrë SHBA-ja.
Prekja e produktit të tyre është “faji” që mund të lajë mëkatet e 30 viteve ndaj asaj që i është bërë Shqipërisë dhe qytetarëve. Presidenti do të bëjë lëvizjet e tij, gjithnjë me shpresën për të lobuar jo më ndërkombtarisht, por në tërheqjen e elektoratit. Një provë të fortë e dha më 2 mars, por tashmë do t’i duhet të rikrijojë një kauzë tjetër, përveç se si “mbrojtës i Kushtetutës”.
Kryeministri Rama dhe “humbja e kalit të betejës”
Kyeministri Rama politikisht ka ditur ta kthejë reformën në drejtësi si elementin kyç që ndërkombëtarisht të përkëdhelet, por edhe që në vend të krijohet perceptimi se do ta pastrojë llumin e 30 viteve politikë. Ndonëse është personazh i saj prej 22 vjetësh, Rama tentoi ta veçojë veten.
“Më mirë djepi bosh, se djalli brenda” – tha Rama disa kohë më parë, kur u pyet për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të asaj të Lartë. Me të po justifikonte ngadalësinë e procesit të vetting-ut, por edhe të apatisë gati të pashpjegueshme të krijimit të institucioneve të reja.
Reforma në drejtësi ishte kali kryesor i fushatës elektorale të kryeministrit Rama në zgjedhjet e vitit 2017, por ai “kalë i fortë” sot duket se është dobësuar. Mazhoranca është akuzuar nga opozita, por edhe mediatikisht, përfshirë edhe media ndërkombëtare prestigjioze, për korrupsion, mungesë serioziteti në luftën kundër krimit të organizuar dhe disa afera të tjera. Më e rënda është se ai po kap institucionet e reja të drejtësisë, qoftë edhe nëpërmjet kamuflazhit ndërkombëtar.
Deklarata e 21 majit, e Yuri Kim-it, për “marrëveshje të fshehtë për ta vrarë reformën në drejtësi”, pa dyshim që e trazoi kryeministrin. Nëse më militantët shigjetojnë presidentin, si aktor për të zvenitur reformën në drejtësi, kjo nuk shkon plotësisht.
Marrëveshjet duan më së paku dy palë, atëherë Meta me kë po e bënte këtë marrëveshje? Kryeministri reagoi vrik pas qëndrimit të ambasadores amerikane, duke shkruar: “Jam dakord” dhe shoqëruar me postimin: “Ferri është bosh, pasi të gjithë djajtë janë këtu”! – një citim prej dramaturgut të madh William Shakespeare.
Ishte një postim që më shumë vlejti për elektoratin e tij që mundohej t’u jepte kuptim këtyre fjalëve të vështira, duke i veshur nga pas prapashtesën: “Ramën e duan ndërkombëtarët”! Në një lexim të ftohtë, dhe deri më tani gjithnjë mbi bazë hipotezash dhe asaj që ndodhi më pas, as vetë Rama nuk doli i kënaqur nga shpërthimi i ambasadores.
Që nga ajo ditë (21 maj), kryeministri nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për çështjen e reformës në drejtësi. Ajo që rëndon më shumë edhe në këtë rast është fjala “një marrëveshje”, ndërsa nuk mundet t’i fshijë lehtë edhe deklaratat me tone fort të buta për kreun e shtetit gjatë pandemisë.
Sot kemi një draft i cili mund të ishte dakordësuar në parim, por mbeti pa nënshkrimin e protagonistëve. Dhe kryeministri Rama vetëm për mungesë protagonizmi nuk mund të akuzohet si në qeverisje, ashtu edhe në opozitë. Zgjedhjet po afrojnë, muajt shkojnë shpejt dhe kryeministrit do t’i duhet të përgatisë një tjetër “kalë beteje”, pasi ai i reformës në drejtësi duket se është dobësuar.
Pikëpyetja ngrihet po “aureola” ndërkombëtare a do t’i qëndrojë mirë si kostum? Shtatë vite pushtet dhe një produkt si reforma në drejtësi, e cila u ngjiz në vitin 2016, dhe pas katër vitesh ngrihet dyshimi i madh për një “marrëveshje për ta varrosur”, janë çështje që rëndojnë, pasojat vështirë të thuhen në këtë kohë.
Basha “futet” në lojë, edhe pse nuk di gjë…!
Nëse në këtë gjurulldi të ditëve të fundit do të kërkohej palë për nga “fuqia”, atë vështirë se do ta gjenin te kryedemokrati Lulzim Basha. Fare i qetë dha një deklaratë të ftohtë, nga u kuptua se nuk ishte ai i përfshirë në ato fjalë që qarkullonin për “një marrëveshje për ta vrarë reformën në drejtësi”.
Madje, edhe vetë mund ta ketë dëgjuar për herë të parë pas deklaratës së ambasadores amerikane. Por a është rastësi që Basha e ka kthyer zyrën e tij si pritëse-përcjellëse të ambasadores amerikane, Yuri Kim? Lideri i opozitës për momentin duket se po shijon “suksesin e tij”, pasi të paktën askush nuk po e akuzon hapur për marrëveshje okulte. Nuk di gjë për këtë rast, ndoshta nuk di asgjë për shumë gjëra, por në raste të veçanta, të mos dish, shitet si vlerë.
“Ne mirëpresim vendimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për të përfunduar reformën zgjedhore. Ne presim të shohim edhe liderët e tjerë të shfaqin udhëheqësi të ngjashme”, shkroi ambasadorja Yuri Kim në twitter. Këtë deklaratë e bëri vetëm një ditë pasi kishte reaguar ashpër për çështjen e reformës në drejtësi. Në PD dhe nga vetë Basha kjo u trumbetua me të madhe, duke tentuar të bëjnë diferencën se ambadorja amerikane po e mbështeste, jo më si individ, por si lider i opozitës, i cili mëton që në zgjedhjet e ardhshme të marrë pushtetin.
Takimi i radhës i Kim-it ishte në zyrën e kryedemokratit Basha, tri ditë më pare, ku u diskutua për reformën zgjedhore dhe premtimin e tij për ta përbyllur sa më parë. Ndonëse mund të duket pak, Bashës iu dha një dorë për t’u futur si faktor në jetën politike, pas kritikave të gjata që nga shkurti i vitit të kaluar, kur vendosi të djegë mandatet e deputetëve.
Ai doli nga sistemi me shpresën se do t’ia shkurtonte ditët politike kryeministrit Edi Rama, por nuk gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Riaktivizimi i opozitës dhe, mbi të gjitha, i liderit të saj duke e kthyer në shina, pa dyshim që i bën mirë demokracisë në vend, por koha u përshpejtua për ta nxjerrë Bashën si protagonist (qoftë edhe me shtysë), edhe nga disa zhvillime të ditëve të fundit. “Diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.
Veçanërisht folëm për rëndësinë se si udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, sikurse e kanë premtuar, për të përfunduar reformën zgjedhore deri më 31 maj.” – tha ambasadorja Kim pas takimit me Bashën, dy ditë më parë. Një detaj fare i vogël mbetet edhe tregues i madh, të paktën për “provincialitetin” tonë, kur njeriu përballë përfaqëson shtetin amerikan.
Ambasadorja Yuri Kim iu drejtua liderit të opositës me fjalët “Lul Basha”. Ky lloj afrimiteti “i përkëdheli sedrën” liderit të opozitës, i cili stampoi edhe më shumë në fytyrë një lloj gëzimi deri në ekzaltin, qoftë edhe për fare kaq pak… Lënia pas e së “shkuarës” është bonusi më i mirë që Basha mori dhe kjo duket se ishte dhurata, pasi ai nuk dinte gjë… “Dua ta falënderoj ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep reformës zgjedhore.
Organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioriteti absolut i Partisë Demokratike, i opozitës së bashkuar dhe i të gjithë shqiptarëve.” – deklaroi Basha, por u tradhtua dukshëm nga një shkëlqim dhe emocion pozitiv që shfaqte ndërsa ndodhej përkrah ambasdores. Por edhe harrimi i kohës së shkuar, për të cilën ambasada amerikane kurrë nuk e mbështeti, sidomos pas daljes nga Parlamenti dhe nisjes së protestave, ka kosto që kryedemokrati duhet ta paguajë.
Ajo është reforma në drejtësi, të cilën nuk do ta mbështesë me “sy mbyllur”, por as nuk duhet të bëhet pangesë për vijimin e saj, ashtu “të ngadaltë”, “të papërsosur”, por “të domosdoshëm”.
Tri dekada që mund të mbyllen në tre muaj!
Ka një pikë ngopjeje, një limit, edhe pse ai limit është shkelur shumë herë. Sot është e vështirë të gjesh një politikan të flasë në “emër të popullit”, disa syresh kanë guximin ta bëjnë, edhe me mungesën e plotë të cipës së moralit, por nuk u ngjit më, e thënë më hapur: “askush nuk i kapërdin më premtimet”, për t’u ruajtur nga zhgënjimet në seri.
Ata të mazhorancës, por edhe të opozitës, po i dërrmon një fakt: “Nuk u besojnë më qytetarët”. Zhgënjimi kuptohet pa pasur nevojën e sondazheve profesionale për të gjetur një të vërtetë të hidhur.
Në qëndrimet masive popullore dëgjohen shpesh pyetje dhe ankesa bashkë: Kur do të ikin këta; ky vend nuk bëhet; janë të gjithë njësoj… Përderisa i votojnë, atëherë përse nuk u besojnë më? Kjo është çështja që në muajt në vazhdim mund ta ndajë një epokë që kurrë nuk do të donim ta kujtonim.
Janë fëmijë të lindur në buzën e greminës së sistemit komunist që u rritën, kaluan adoleshencën dhe u burrëruan apo u graruan me ndikimin politik nga të njëjtët individë, herë në mazhorancë e herë në opozitë. Emrat ndryshuan, modeli qeverisës aspak.
Në demokraci vlerë ka vota, por sistemi hibrid si i yni, (gjenetikisht i modifikuar), ka nxjerrë një specie politike që s’i përngjan as diktaturës dhe as demokracisë, por një përbindëshi që në vend të lirisë tregon elemente të diktaturës dhe në vend të demokracisë anarkinë dhe autoritarizmin.
Që nga viti i largët 1992, të gjitha zgjedhjet kanë qenë të kontestuara. Nuk është risi që shqiptarët ankohen masivisht për këtë klasë-kastë politike, por ajo që dhemb më shumë është se kanë humbur besimin edhe në institucionet ndërkombëtare, veçanërisht nga përfaqësuesit e tyre në Tiranë, që vijnë me premtime për ndryshime të mëdha, por ikin me vepra të vogla, të cilat fundosen në moçalin tonë politik. Meqë shpresa vdes e parafundit [kuptohet pse] shqiptarët duhet të kenë edhe pak durim.