Nga Adrian CIVICI, ekskluzive për gazetën “Fjala”
Komisioni Evropian prezantoi një plan ambicioz ringritjeje prej 750 miliardë eurosh, si borxh i përbashkët komunitar për t’i krijuar mundësi BE-së që të dalë e bashkuar dhe më e fortë nga kriza ekonomiko-sociale, e shkaktuar nga COVID-19. Ky konsiderohet si një “revolucion i vërtetë në historinë e BE-së”.
Plani i propozuar më 27 maj 2020 nga Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, organit ekzekutiv të BE-së, jo vetëm që do ta ndihmojë BE-në për t’i kaluar pasojat e rënda të krizës së COVID-19, pasojë e së cilës është një recesion i pritshëm prej – 7,5% i ekonomisë evropiane për vitin 2020, por, mbi të gjitha, do t’u japë fund shumë dilemave mbi të ardhmen e vetë integrimit evropian. “Bëhet fjalë për një nevojë urgjente dhe të jashtëzakonshme përballë një krize gjithashtu urgjente e të jashtëzakonshme”, nënvizoi presidentja e Komisionit Evropian gjatë prezantimit të këtij plani.
Në prezantimin dhe analizën e këtij plani të jashtëzakonshëm, gazeta prestigjoze “Le monde” i referohej mendimit të Jean Monet-së, njërit nga baballarët krijues të saj, sipas të cilit “Evropa do të kalitet nëpërmjet krizave, dhe ajo do të jetë thelbi, rezultati i përgjigjeve ndaj këtyre krizave. Komisioni Evropian i dha një përgjigje pozitive këtij predikimi të Jean Monet-së, duke propozuar një plan rindërtimi e zhvillimi prej 750 miliardë eurosh, në mënyrë që të ndihmojë ekonomitë e BE-së, të goditura shumë rëndë nga pandemia e COVID-19, të fillojnë ringritjen ekonomike e sociale dhe një zhvillim me ritme më të larta se periudha përpara krizës.
Plani i propozuar nga Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, konsiderohet si mjaft ambicioz e largpamës për sa i përket strukturës, metodës dhe përmasave të tij. Në shumën totale prej 750 miliardë eurosh, ai parashikon 500 miliardë euro subvencione dhe 250 miliardë euro kredi për vendet e prekura nga kriza e koronavirusit. Këto subvencione, të ashtuquajturat transferta, të cilat disa nga vendet më të zhvilluara e të pasura të BE-së i kishin kundërshtuar gjatë krizës së euros dhjetë vite më parë, janë shprehje e një solidariteti buxhetor impresionues në gjirin e Bashkimit Evropian, e një solidariteti të munguar në fazën e parë të pandemisë dhe krizës sanitare-ekonomike e sociale të shkaktuar prej saj, e një solidariteti të munguar që vuri në dyshim dhe vetë rolin e BE-së.
Në mbështetje të këtij plani mbështetës ose kësaj bazooke të re evropiane, të pagëzuar si “Next Generation EU” do të jetë dhe “një forcim i buxhetit shumëvjecar të BE-së për periudhën 2021-2027, në vlerat e mbi 1100 miliardë euro”, duke e çuar paketën totale financiare në 1850 miliardë euro”.
Komisioni Evropian kërkon që këto financime të shpërndahen sa më shpejt të jetë e mundur. Rreth 60% e tyre vlerësohet se do të përdoren deri në fund të vitit 2022, dhe pjesa tjetër deri në fund të 2024. Komisioni Evropian nënvizon faktin se “kjo nuk është një kamardare shpëtimi për të shpëtuar një vend apo një tjetër, por, mbi baza vullnetare, është një instrument në dispozicion të të gjitha vendeve anëtare, dhe jo vetëm të atyre të eurozonës. Pra, nuk bëhet fjalë për kondicionalitete të ngjashme me krizën greke, nuk bëhet fjalë për një program axhustues ekonomik e financiar, por për një instrument të ndryshëm zhvillues, i lidhur me suksesin në politikat ekonomike e financiare.
Sipas një raporti të Morgan Stanley, Komisioni Evropian parashikon fillimin e pagimit të këtyre borxheve, duke filluar nga viti 2028, gjatë një periudhe 30-vjeçare deri në vitin 2058. Vlerësohet se burimet për pagimin e këtyre borxheve do të vijnë nga shtimi i kuotave nacionale të çdo vendi anëtar në buxhetin evropian, reduktimin e disa shpenzimeve në nivel evropian, nga burime të reja financiare evropiane, vendosja një “takse digjitale”, të ardhura nga ushtrimi i të drejtës mbi emisionin e gazit CO2 etj.
Veç të tjerave, ky plan i krijon hapësira e mundësi Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare për të marrë hua në tregjet financiare – pra të shtohet borxhi, si një borxh i përbashkët evropian – në përputhje me mundësitë e tyre të brendshme financiare. Ky veprim duket si pararendës i krijimit të një buxheti të përbashkët evropian, ose më e pakta, i hap rrugë konsolidimit të kësaj tendence. Bëhet fjalë për instrumente inovative e efikase, të cilat, nëse do të aprovohen nga 27-shja, do të shënohen si një hap historik në integrimin evropian.
Përgjigjja pozitive e të gjitha vendeve evropiane është shumë e rëndësishme. Negociatat do t’i angazhojnë gjithë vendet anëtare, veçanërisht ato që deri tani janë treguar më të përmbajtura e refuzuese kundrejt idesë së “borxhit të përbashkët evropian” dhe parimit të subvencioneve, në vend të të cilave ata preferojnë formulën e “huave të rimbursueshme”. Bëhet fjalë për vende si Holanda, Gjermania, Austria apo Suedia, të cilësuara si “kokëfortët” dhe “refuzuesit” e idesë së borxhit të përbashkët evropian.
Ndërmjet një “Evrope të Veriut” që deri tani ka kundërshtuar rregullisht çdo “evropianizim të borxhit” dhe një “Evrope të Jugut” që ka kërkuar vazhdimisht solidaritet dhe mirëkuptim më të madh nga partnerët e Veriut, gjetja e një ekuilibri të përbashkët dhe e një zgjidhjeje unike dukej mjaft e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Aq më tepër, që në horizont vazhdonte të qëndronte varur si shpata e Demokleut kriza greke e një dekade më parë, e cila rrezikoi shembjen e vetë eurozonës.
Përpara fillimit të pandemisë, në shkurt 2020, Evropa sapo kishte përballuar momente të vështira të krizës globale financiare të vitit 2008, të krizës së eurozonës së viteve 2012-2015, të rritjes së euroskepticizmit, të Brexit-it, të krizës së refugjatëve etj., të cilat i thelluan më shumë “distancat ekonomike e financiare” ndërmjet vendeve evropiane. Recesioni i rëndë, i shkaktuar nga pandemia e COVID-19 dhe izolimi social e ekonomik duket se i nxori akoma më shumë në evidencë këto diferenca. Vendet e prekura më rëndë nga kriza janë dhe vendet me borxhin publik më të lartë në BE, për pasojë me mundësi më të pakta mobilizimi e përdorimi burimesh financiare për përballimin e krizës.
Katër vendet rigoroze apo refuzuese që janë Holanda, Austria, Suedia dhe Danimarka, të “treguara me gisht” këto javët e fundit, nuk kanë qenë kundër negocimit të formulave të ndryshme, për të gjetur një zgjidhje “efikase dhe të pranueshme”, duke i lënë Komisionit Evropian një portë të hapur negocimi për të gjetur formulën më të përshtatshme të zgjidhjes së këtij ngërçi. Pritet që këto negociata me këto vende të vazhdojnë edhe përtej samitit evropian të 18-19 qershorit 2020, deri në fillim të korrikut, datë në të cilën Gjermania do të marrë presidencën e BE-së.
Sipas Charles Michel, president i Këshillit Evropian, “duhet bërë gjithçka është e mundur që marrëveshja të arrihet përpara pushimeve të verës… Nëse 27 vendet anëtare arrijnë të bien dakord për këtë plan rimëkëmbjeje, duhet që ai të miratohet nga të gjitha parlamantet e këtyre vendeve… Duke parë recesionin e rëndë, Evropa nuk ka kohë për të humbur”.
Por, koniunkturat brenda BE-së kanë ndryshuar shumë si pasojë e efekteve të pandemisë vdekjeprurëse të COVID-19. Liderët evropianë janë ndërgjegjësuar më shumë për rreziqet e kësaj krize për vetë ekzistencën e BE-së, të disa prej themeleve bazë të saj, si për shembull tregu unik dhe hapësira Shengen, të cilat u goditën rëndë nga ashpërsia e goditjes së krizës së COVID-19. Perspektiva negative e “shkëputjes brutale” të ekonomive të vendeve të jugut (Greqia, Italia, Franca, Spanja, Portugalia), të prekura shumë më rëndë nga kriza sesa vendet e Veriut (Holanda, Gjermania, Austria, Danimarka, Norvegjia, Finlanda etj.), kërcënonte “shpërthimin e eurozonës”.
Gjermania ishte vendi i parë që e kuptoi rrezikun dhe dëmet e mëdha që mund t’i shkaktoheshin BE-së nga “shembja” e vendeve anëtare të Jugut. Sapo të kalojë faza e parë e goditjes së rëndë, “është imperative ringritja e shpejtë dhe e vendosur e BE-së”. Në komentet dhe analizat e shumta rreth kësaj iniciative të re evropiane, nënvizohet shpesh fakti se “duhet njohur merita e presidentit francez, Emanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, për marrjen e iniciativës dhe rindezjen e motorit franko-gjerman në këtë moment mjaft delikat e vendimtar për Evropën… Duke i përcaktuar qartë dhe hedhur hapur në tavolinë elementet bazë të këtij debati që në fillim të marsit 2020, ata i dhanë një ndihmë të jashtëzakonshme dinamikës së veprimit në nivel evropian”.
Data 18 maj 2020 po shihet si një moment i rëndësishëm në gjetjen e zgjidhjes për krizën. Franca dhe Gjermania prezantuan “iniciativën” e tyre për emetimin e një borxhi të përbashkët evropian prej 500 miliardë eurosh “për të subvencionuar vendet e prekura më rëndë nga kriza”. Sipas gazetës “Le monde”, ky veprim u cilësua si një “moment hamiltonian për Evropën”, duke ju referuar Aleksandër Hamiltonit, sekretarit amerikan të Thesarit, që në vitin 1790 arriti të bindte Kongresin për krijimin e një borxhi federal, duke e orientuar Konfederatën Amerikane drejt federalizmit.
Paolo Gentiloni, komisari evropian për ekonominë, u shpreh se “kjo është një arritje historike për Komisionin Evropian … nuk kishte ndodhur asnjëherë që Komisioni të kishte marrë vendime për të shkuar drejt tregjeve, për të financuar projektet e shteteve të veçanta me anën e subvencioneve apo huave”. Ndërsa Manfred Weber, presidenti i grupit të PPE (Partive Popullore Evropiane), duke mbrojtur pozicionin e Berlinit, u shpreh se “Zgjidhja e vetme është të investojmë. Unë nuk e pëlqej borxhin, urrej ta shtoj akoma më shumë borxhin, por aktualisht nuk shoh ndonjë alternativë tjetër realiste, që mundëson investime masive në ekonomi”.
Duke vepruar me një vizion të qartë strategjik dhe duke thyer tabutë e borxhit të përbashkët evropian, iu krijuan mundësi Komisionit Evropian që të avanconte me planin e tij të ringritjes ekonomike dhe zhvillimit perspektiv. Këto ishin hapa e vendime nga më të rëndësishmet në këtë situatë krize e goditjeje të rëndë të ekonomisë dhe të shoqërisë evropiane. “Ky është momenti i Evropës” do të nënvizonte presidentja Ursula von der Leyen.
Vendet evropiane që do të përfitojnë nga ky plan special financimesh duhet të paraqesin projekte të qarta reformash e investimesh, në përputhje me prioritetet strategjike evropiane, të cilat do vlerësohen nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare. Çdo vend anëtar “nuk mund t’i përdorë si të dojë këto fonde evropiane”. Sipas Paolo Gentiloni-t, “Recovery and Resilience facility është vullnetare dhe nuk kushtëzohet nga rekomandimet e Brukselit. Vendet anëtare e mbajnë vetë përgjegjësinë e zhvillimit të tyre… por,natyrisht që, mbështetja financiare është e lidhur me suksesin e politikave të tyre”. Ndërsa Valdis Dombrovski, zv/president i Komisionit Evropian, nënvizon se “këto fonde do të arrijnë në shtetet anëtare në transhe të veçanta, të lidhura ngushtë me objektivat e reformave”.
Sipas dokumentit të Komisionit Evropian, vendet e prekura më rëndë nga kriza janë më prioritare për përfitimin e këtyre fondeve. Nga shuma prej 500 miliardë eurosh e subvencioneve, Italia mund të marrë rreth 82 miliardë euro subvencione, Spanja deri në 77 miliardë, Franca 39 miliardë, Polonia 38 miliardë, Gjermania 29 miliardë; ndërsa nga shuma prej 250 miliardë eurosh e kredisë së përbashkët komunitare, Italia mund të përfitojë 91 miliardë euro, Spanja 63 miliardë, Polonia 26 miliardë, kurse Franca dhe Gjermania nuk pritet të përfshihen në këtë fond.