Basha: Pamundësia për të siguruar mbijetesën ka prekur shumicën e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka takuar paraditen e sotme bizneset e vogla në njësinë 4 në Tiranë.

Sipas tij bizneset e vogla mundohen nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes në këmbë, në kushte të vështira për bukën e gojës e në fund dalin me humbje.

“Kjo është e vërteta e përditshme e shitësve dhe sipërmarrësve të vegjël në Njësinë Nr. 4 në Tiranë. Përditë nga çdo qytetar, pensionist apo i ri, konsumatorë apo tregtarë dëgjoj të njëjtin shqetësim; Rënie e fuqisë blerëse, rritje e faturave dhe e çmimeve, pasiguri dhe pamundësi për të nesërmen.

Ramavirusi godet përditë shumicën e qytetarëve dhe majmet me paratë e taksave. Xhepat e shqiptarëve po boshatisen përditë sepse paratë e tyre, paratë e taksave të tyre pasurojnë një grusht oligarkësh”, shprehet Basha.

Më tej ai thekson se pas 7 vitesh ky KM nuk mund të ofrojë më asgjë sepse gjithçka që ka bërë në këto 7 vjet ka qenë e kundërta e asaj që ka premtuar duke përkeqësuar vit pas viti situatën ekonomike të shqiptarëve.

“Njerëzit kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për punë, kanë nevojë për liri dhe mundësi. Shqipërisë i duhet një qeverisje normale, për të zgjidhur krizën që po thellohet çdo ditë dhe për të parë përpara drejt normalitetit dhe zhvillimit”, tha Basha./Bl.Ba/Fjala.al