I riu lihet në burg, “kyç” gojën për tritolin tek lokali në Tiranë

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 28-vjeçarin, i cili 4 ditë më parë vuri tritol në një lokal pranë gjimnazit “Petro Nini”.

Togat e zeza të kryeqytetit lanë në burg Franc Alimi, të paktën deri në përfundim të hetimeve.

Dyshohet se ai është porositur për të vënë sasinë e eksplozivit në lokalin në pronësi të Arben Koçollarit.

Mësohet se gjatë seancës i riu nuk ka folur asnjë fjalë përpara trupit gjykues, ndërkohë hetimet për identifikimin e porositësit janë në vijim.

28-vjeçari Franci Alimi, u  identifikua nga kamerat e sigurisë, si autor i kësaj ngjarjeje.

Nga filmimet e kamerave të sigurisë ai shfaqet i veshur sportiv me një biçikletë dhe kapuç i cili vendos lëndën plasëse te dera e lokalit dhe largohet.

Nga kontrolli i ushtruar në banesë, mësohet se uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale biçikletën, veshjet, një qese në të cilën ishte vendosur lënda eksplozive, atletet, sende këto të cilat autori i kishte përdorur në kryerjen e veprës penale./Bl.Ba/Fjala.al