Dalin treguesit fiskalë, në dy muaj 220 mln euro/ Karantina fundos financat publike

Mbyllja e vendit në karantinë për shkak të COVID-19 u ka kushtuar financave publike rreth 22 milionë euro. Ministria e Financave bëri publikë treguesit fiskalë, ku mësohet se në maj u arkëtuan në buxhet 27,5 miliardë lekë, me një tkurrje prej 29,7% me bazë vjetore, ose 11,6 miliardë lekë më pak.

Një muaj më parë, të ardhurat kishin shënuar të njëjtën tendencë rënëse, me rreth 30% më pak. Për dy muaj e gjysmë, që kur filloi pandemia, gjysma e marsit-prill-maj, buxheti ka arkëtuar rreth 220 milionë euro (27 mld lekë) më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare.

Në maj tkurrja më e lartë erdhi nga tatimi mbi të ardhurat personale, që ra me 56%, e ndikuar dhe nga fakti që vitin e kaluar u shënua një rritje jo normale, për shkak të uljes së tatimit mbi dividendin që kishte dhe efekt prapaveprues, çka bëri që bizneset e mëdha të shpërndanin fitimet e prapambetura.

Të ardhurat nga TVSH-ja, një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi, ranë me 24%. Në tkurrje të fortë ishte dhe tatimfitimi, me 75%, akcizat u tkurrën me 14%, taksat doganore me 13%. Ndërkohë për të gjithë 5-mujorin, të ardhurat bien me 14,7% ose 27,7 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Efektin kryesor në këtë tkurrje e ka dhënë TVSH-ja (-7 miliardë lekë), e ndjekur nga tatimfitimi (-6 mld lekë), tatimi mbi të ardhurat personale (-5 mld lekë), taksat lokale (-4,3 mld lekë) dhe të ardhurat nga fondet speciale, kryesisht sigurime shoqërore e shëndetësore (-1,5 mld lekë).ka.ta/Fjala.al/