Rritja me shifra alarmante e numrit të të infektuarve me COVID-19 në vend, është shoqëruar me përhapje të virusit edhe në institucionet shtetërore. Një ndër institucionet e prekura është pikërisht Kryeministria, ku figurojnë të infektuar dy gardistë të cilët janë personel shërbimesh mbështetëse, jo shoqërues të politikanëve ose roja të institucioneve. Edi Rama njofton 3 masat ndëshkuese për bizneset dhe qytetarët.
Nga Ina Allkanjari
Ditën kur kryeministri Edi Rama lajmëroi hapjen e madhe, pas izolimit për shkak të COVID-19, gati u festua për “fitoren” ndaj armikut të padukshëm. Dy javë më pas, situata është vërtet alarmante për nga numri i lartë i të prekurve, por edhe pasojat në humbjen e jetës së pacientëve të infektuar nga koronavirusi. Virusi duket se ka prekur dhe institucione shtetërore në vend, ndonëse masat kanë qenë të menjëhershme për parandaliminin e përhapjes së COVID-19.
Në Kryeministri janë identifikuar me COVID dy gardistë të cilët janë personel shërbimesh mbështetëse, jo shoqërues të politikanëve ose roja të institucioneve. Burime nga Garda bëjnë me dije se të infektuarit janë izoluar. Edhe në radhët e Forcave të Armatosura, u bë me dije për gazetën “Fjala”, se disa ditë më parë, 120 rekrutëve të rinj, para se të shkonin në bazën ushtarake në Bonavi, u është bërë tamponi dhe njëri prej tyre ka rezultuar në tamponin e parë pozitiv me COVID-19.
Mësohet se, pasi ka rezultuar pozitiv, ushtari nuk është nisur për në Bonavi, por është vetizoluar në banesën e tij. Ndërkohë, rastet ditore të identifikuara pozitive me COVID-19 në Shqipëri vijojnë të jenë në rritje. Nga 364 testime gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 82 raste pozitive me koronavirus, kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive, si dhe raste te reja në proces hetimi në Tiranë, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë dhe Durrës.
Konkretisht 28 të prekur rezultojnë të jenë në Tiranë, 18 në Shkodër, 10 në Krujë, 8 në Durrës, 7 në Vlorë, 3 në Kamëz, nga 2 raste në Kukës, Elbasan, Fier dhe nga 1 i prekur në Korçë dhe Pukë. Ndërkohë ka ndërruar jetë një pacient 68 vjeç nga Puka, i cili vuante nga spok dhe ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej disa ditësh. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor 68-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Situata epidemiologjike
Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 9 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1064. Aktualisht në Spitalin Infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 571 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë. “Të nderuar qytetarë, nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, institucione publike dhe private, ndërmarrje me shumë punëtorë etj., u bëjmë apel të gjithëve: ju lutemi, respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara”, u shpreh Dervishi, teksa theksoi se në këto kushte është domosdoshmëri mbajtja e maskës në ambiente publike, kur nuk është e mundur të ruhet distanca fizike. Gjatë deklaratës për mediat Dervishi u bëri thirrje qëytetarve se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Duke qenë se ditët e fundit numri i personave të infektuar është në rritje, në një lidhje live, kryeministri Edi Rama tha se nuk do të tolerohet më asnjë biznes që nuk respekton protokollin e sigurisë dhe përveç gjobave do të aplikohet dhe heqja e lirisë, pasi nuk mund të lejohet cenimi i jetës së qytetarëve.
Gjithashtu, Rama theksoi se nuk do të lejohen grumbullimet dhe do të penalizohen dhe qytetarët në rrugë, nëse nuk respketojnë distancimin social.
“Nuk do të lejojmë më asnjë lloj grumbullimi, qoftë edhe politik, dhe u them të gjithëve vazhdoni punën, liria lëvizjes është e garantuar, por grumbullimi më shumë sesa numri i personave të lejuar nga protokolli i sigurisë, nuk do të lejohet më. Bizneset nuk do të tolerohen, përveç gjobave do t’u hiqet dhe liria. Qytetarët do të vijonë të qarkullojë lirisht, pa kufizime e autorizime, por edhe ata do të penalizohen, nëse kapen në shkelje të rregullave të thjeshta të distancimit social”, tha Rama.
Ministria e Mbrojtjes
COVID-19 nuk ka kursyer as Forcat e Armatosura, ku mësohet se gjatë periudhës prill-maj kanë rezultuar 9 ushtarakë të infektuar. Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije për gazetën “Fjala” se këto raste janë efektivë të misionit shqiptar në KFOR, pra janë infektuar gjatë misionit të tyre. Këto i përkasin periudhës prill-maj, kur ishte dhe piku i epidemisë. Bëhet me dije që, pasi janë shëruar, ushtarakët janë kthyer në vendin e tyre të punës.
Gjatë periudhës kur rezultuan të infektuar, mësohet se pjesa më e madhe e tyre ishin asimptomatikë, pra nuk kishin shfaqur shenja. Nga 9 ushtarakë, vetëm njëri kishte temperature, ndërsa të gjithë të tjerëve u është bërë tampon në mënyrë të rregullt, nga ku kanë rezultuar pozitivë. Kjo sepse në bazën e KFOR-it në Kosovë kishte pasur disa raste të efektivëve të vendeve të tjera të infektuar me koronavirus.
Sipas burimeve, në momentin që ushtarakët janë kthyer në Shqipëri, janë izoluar. Burimet theksojnë se rregulli i NATO-s gjatë periudhës së COVID-19 konsiston në faktin se në rastet kur një vend ka mision ushtarak diku tjetër, dhe efektivët e tij rezultojnë të infektuar me COVID, vendi respektiv i merr dhe i tërheq në tokën e vet, dhe qëndrojnë aty deri sa shërohen. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ushtarakët tanë gjatë periudhës kur rezultuan të infektuar, ndërsa mësohet se sot të 9 ushtarakët gëzojnë shëndet të plotë.
Nga ana tjetër, burimet bëjnë me dije se 7 ditë më parë 120 rekrutëve të rinj, para se të shkojnë në bazën ushtarake në Bonavi, u janë bërë tamponet dhe njëri prej tyre ka rezultuar në tamponin e parë pozitiv me COVID-19. Pasi ka rezultuar pozitiv, ushtari nuk është nisur për në Bonavi, por është vetizoluar në banesën e tij.
Nëse del sërish pozitiv, ushtaraku nuk shkon në Bonavi, por karantinohet deri sa të kalojë virusin. Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, aktualisht nuk rezulton asnjë efektiv i prekur me COVID-19. Ndërkohë shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ka bërë me dije se në total janë kryer 200 testime, ndërsa po merren masa për një valë të dytë të mundshme të COVID-19, në vjeshtë.
Kryeministria
Koronavirusi duket se ka prekur edhe institucionet më të larta në vend, përkatësisht Kryeministrinë, dhe disa institucione të tjera qendrore. Burime nga Garda thanë për gazetën “Fjala” se për sa i përket infektimit të dy gardistëve në Kryeministri, e vërteta është se dy të infektuarit me COVID-19 janë personel shërbimesh mbështetëse dhe nuk kanë lidhje me personalitete dhe objekte, por mund të jenë infektuar gjatë fundjavës, pasi kanë udhëtuar me familjarët e tyre. Ndërkohë dyshohet të jetë prekur edhe një person tjetër që ka qenë në makinë me ta, por tashmë është i izoluar.ka.ta/Fjala.al/