Ka përfunduar pa konsensus edhe një mbledhje tjetër e Këshillit Politik, ku nuk është pranuar formula e re e opozitës për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së. Disa orë para mbledhjes kryeministri Edi Rama paralajmëroi nga Kuvendi se marrëveshja është në fije të perit
Nga Blerina Gjoka
Opozita bëri një hap pas në tentativë për të gjetur një konsensus me mazhorancën për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Në propozimin e ri ajo e zhvendos procesin nga Avokati i Popullit te kryetari i Kuvendit, por nuk heq dorë nga komisioni ad-hoc partiak për përzgjedhjen e kandidatëve.
Por, as ky propozim nuk është duartrokitur nga mazhoranca, e cila vlerësoi rikthimin e procesit në institucionin e Parlamentit, por kërkoi kohë për reflektim deri në gjetjen e një dakordësie finale. Por formula e re, edhe pse e sjell procesin e përzgjedhjes në Kuvend, që ishte dhe kërkesë e fortë e mazhorancës, përjashton deputetët e listave shumemërore të opozitës.
Palët dolën nga takimi me një miratim parimor për këtë formulë, duke ia lënë një mbledhjeje tjetër dakordësinë nen për nen të saj, ku pritet të ketë diskutime. Këshilli Politik, i mbledhur në darkë, u parapri nga një paralajmërim publik i kryeministrit Edi Rama, se kjo marrëveshje mund të griset, nëse opozita vijon me shantazhe të njëpasnjëshme.
“Mos na tundoni se, për atë Zot, ajo është një marrëveshje që ka krijuar kushte pozitive në raport me klimën dhe me partnerët, por për mua personalisht nuk është reformë, është një kthim i madh mbrapa, i vetëdijshëm, dhe e kemi bërë në funksion të faktit që Shqipëria të mos bëhet muhabet kafenesh lart e poshtë nëpër Evropë. Por një fije peri e ndan realizimin nga grisja, pasi këtë fije duhet ta ruajë mirë Lulzim Basha e Peço Vasili.” – tha ndër të tjera kreu i qeverisë nga foltorja e Kuvendit.
Formula e re, ku ndahen palët?
Opozita propozoi një formulë të re për zgjedhjen e KQZ-së, pas refuzimit të Partisë Socialiste për të pranuar një proces që nis me Avokatin e Popullit, kalon në përzgjedhjen e partive kryesore politike dhe në fund votohet në Kuvend.
Në formulën e re, roli i Avokatit të Popullit në proces zëvendësohet me atë të kryetarit të Kuvendit, por sërish pesha kryesore në zgjedhjen e emrave u mbetet tri partive PS,PD dhe LSI. Sipas opozitës, edhe ky propozim është në përputhje me formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.
Opozita thotë se vendosi ta bëjë këtë hap, për të mos futur në ngërç procesin. Opozita thekson se propozimi synon ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizmit të KQZ së re, si dhe garancitë e palëve politike që përzgjedhja të mos jetë e njëanshme, por e balancuar dhe konsensuale.
Opozita vë në dukje se Partia Socialiste nuk është treguar e gatshme për kompromis gjatë diskutimit të çështjes. Ajo i ka qëndruar propozimit të saj të muajit shkurt, i cili i siguron maxhorancës emërimin e të gjithë trupës së KQZ-së me një proces të pastër politik.
Nga ana tjetër, PS-ja propozon që anëtarët e KQZ-së të propozohen nga çdo deputet dhe të përzgjidhen nga një komision i përbërë nga grupet parlamentare, të cilat PS-ja i kontrollon pas daljes nga Parlamenti të dy partive kryesore në opozitë dhe mosnjohjes nga ana e tyre të deputetëve që pranuan mandatin nga listat e tyre.
Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, u shpreh se heqja dorë nga institucioni i Avokatit të Popullit, dhe ardhja me zgjidhjen në Kuvend, është hap për t’u përshëndetur, por ai shtoi se sërish “propozimi i opozitës, e politizon KQZ-në”.
Gjiknuri u shpreh optimist se mund të ketë zgjidhje brenda kësaj skeme të komplikuar që ka propozuar opozita, por tha se duhet të sigurohet pjesëmarrja e gjithë deputetëve të Parlamentit, duke iu referuar opozitës parlamentare.
“Deputetët e Kuvendit duhet të jenë të përfaqësuar në këtë panel përzgjedhës. Skema e KQZ-së e përzgjedhësve më parë nuk ka funksionuar keq. Ekspertët apo përfaqësuesit që do të konkurrojnë për anëtarë të KQZ-së, do të kenë mbështetjen e mazhorancës, nëse kanë dhe mbështetjen e opozitës.”- tha Gjiknuri.
Ndërsa përfaqësuesi demokrat, Oerd Bylykbashi, këmbënguli që formula e opozitës garanton që mazhoranca të mos e shkatërrojë procesin. “Bëmë një propozim tjetër, me qëllim që marrëveshja të zbatohet, duke siguruar të gjitha garancitë e procesit të emërimit të anëtarëve të KQZ-së, që të jenë profesionistë dhe të gëzojnë respekt te spektri politik, si dhe të sigurojnë që në nxjerrjen e akteve nënligjore nuk do të kemi mazhorancë që do të shkatërrojë zgjedhjet.” tha ai.
Paralajmërimi i Ramës
Këto deklarata lanë sërish në ngërç marrëveshjen politike të arritur më 5 qershor, duke vonuar zbatimin e saj në një Kod të ri Zgjedhor. Mazhoranca po tregon shenja nervozizmi me zgjatjen e diskutimeve dhe këtë e shfaqi qartë kryeministri dje në Kuvend, duke i kujtuar opozitës se PS-ja nuk është vetëm noter që firmos çdo gjë, por forca më e madhe politike në vend.
“Mos kujtoni se jemi noterë të çdo teke e çdo kohe, dhe të ndalojnë sharjet dhe nxjerrjet e atyre të porositurve njëri pas tjetrit, të atyre që kërcënojnë PS-në se mësimin ua kemi dhënë disa herë e prapë do t’ua japim, por në këtë pikë të mos na shqetësojnë, se boll jemi tërhequr, përtej çdo lloj pritshmërie. Boll, stop!” – tha ndër të tjera, në një fjalim të gjatë dedikuar reformës zgjedhore.
Duke paralajmëruar një marrëveshje të mundshme me opozitën e re të krijuar në Kuvend,e cila ndërkohë ka depozituar disa kërkesa të reja që prekin edhe Kushtetutën, Rama shtoi se “nuk kam më shumë respekt për Lulzim Bashën, për Peço Vasilin e me radhë sesa për Rudina Hajdarin, Murrizin dhe ata që zgjodhën të qëndrojnë në Parlament. Duam s’duam ne, duan s’duan ata, sot janë 3 palë në Shqipëri. Jemi ne, ata jashtë, janë ata brenda dhe ne kemi detyrimin t’i akomodojnë kërkesat e tyre, por nuk jemi fondacioni ‘Populli’ që merr dhe ik.” – theksoi ai.
Thanë për reformën zgjedhore:
Taulant Balla:
“Jam betuar dhe stërbetuar në këtë foltore me dhjetëra herë se historia staliniste ku paritë votohen dhe numërojnë votat e vendit, duhet të kishte marrë fund. Duhet të kuptojmë se, për hir të konsensusit, ne jemi dhe duhet të jemi të detyruar që t’i qëndrojmë. Kushtetuta është Kushtetutë. Ka një proces të koklavitur.
Pas javës së parë të korrikut le të jetë një proces i shkutër dhe intensiv. Unë respektoj më shumë deputetin më të fundit të këtij grupi këtu, sesa deputetin e parë të atij grupi që ka ikur. Kemi gjithë kohën për ta bërë. Marrëveshja për faj të Lulit dhe Rundina Hajdarit u vonua për muaj të tërë. Ne kemi kohë që t’u japim shqiptarëve një marrëveshje, dhe kjo bëhet me punë”, u shpreh ndër të tjera Balla.
Rudina Hajdari:
“Ajo marrëveshje u bë se, për hir të integrimit të Shqipërisë, duhet ta bënim. Por s’mund të lë pa theksuar një të vërtetë. E ktheu Rama-Bashën në SHPK. Se çfarë e ktheu atë marrëveshje ishte veç një tender, disa ulkonja që folën për tenderin. Për këtë më erdhi keq, se nuk duhet të kishte përfunduar ashtu. Fati i shqiptarëve nuk duhet të jetë më në dorën tuaj”, u shpreh Hajdari.
la.mi/Fjala.al